Intervistë me Misrete Edipin “Љубов сме/Jemi Dashuri” 

Në luftën kundër kancerit, nevojitet mbështetje 24-orëshe, këshillim dhe bisedë, diçka që sigurohet nga navigatori virtual Ana

E krijuar nga pacientët e tanishëm dhe të mëparshëm me kancer, shoqata “Љубов сме/Jemi Dashuri” është e përkushtuar plotësisht në ngritjen e vetëdijes për kancerin, çmitizimin e turpit dhe stigmës, si dhe zgjerimin e ndihmës dhe mbështetjes për të gjithë pacientët, për të arritur te çdo grua pa asnjë barrierë ose pengesë. E veçanta e kësaj shoqate është se aktivitetet e saj përfshijnë edhe mjekë-onkologë, psikologë-psikoterapistë dhe shumë të tjerë që duan të ndihmojnë, por edhe emri i grupit, i cili është dygjuhësh, sepse sëmundja nuk zgjedh sipas kombësisë. Flasim për aktivitetet e shoqatës “Љубов сме/Jemi Dashuri” me Misrete Edipin, një nga themeluesit e shoqatës.

Cili është qëllimi i shoqatës “Љубов сме/Jemi Dashuri”?

Shoqata “Љубов сме/Jemi Dashuri” është një shoqatë e re që u krijua si iniciativë e anëtarëve të saj të grupit, që ekziston tani e 3 vjet. Në radhët e shoqatës sonë ka pacientë që luftojnë kundër kancerit, ish pacientë të shëruar dhe që veprojnë vullnetarisht, mjekë-onkologë, psikologë-psikoterapistë dhe të gjithë ata që duan të kontribuojnë në parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e pacientëve me kancer. Qëllimi ynë është të rrisim ndërgjegjësimin e njerëzve për kontrollet e rregullta, diagnostikimin e hershëm të kancerit, trajtimin aktiv dhe rëndësinë e shëndetit mendor në trajtimin e sëmundjeve malinje. Ne synojmë të çmitizojmë turpin si një nga faktorët për zbulimin e vonë të kancerit dhe dështimin e trajtimit. Të gjithë ne që e përbëjmë “Љубов сме/Jemi Dashuri” besojmë se dashuria është një armë e fuqishme në luftën kundër kancerit, në mënyrë që ai të mos e fitojë betejën.

Çfarë mbështetje u ofroni pacientëve?

Ne i inkurajojmë pacientët të flasin hapur për sëmundjen dhe të raportojnë çdo ndryshim te mjeku i tyre amë. Përparësi për shoqatën tonë janë zonat rurale dhe qytetet më të vogla në të gjithë vendin, ku në bashkëpunim me ekipin e psikologëve dhe onkologëve, planifikojmë të mbajmë forume, në të cilat, përmes përvojës sonë personale me sëmundjen, do të përpiqemi të arrijmë te çdo grua dhe të rrisim ndërgjegjësimin për rëndësinë e kësaj problematike. Përmes shoqatës sonë, pacientët me sëmundje malinje vijnë deri te informacione të dobishme dhe të verifikuara që kanë rëndësi të veçantë për ta. Jemi shpesh në kontakt me autoritetet shëndetësore, falë të cilëve kemi arritur të fitojmë mbështetje psikologjike falas për pacientët e onkologjisë në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë – Shkup.

Për çfarë kanë nevojë pacientët që janë përballur me këtë sëmundje?

Luftimi i kancerit i lidh njerëzit me ata që janë të ngjashëm me ta, kurse ndarja e përvojave është një mënyrë për të kapërcyer dhimbjen dhe trishtimin. Anëtarët janë vetë pacientë që luftojnë çdo ditë me sëmundjen dhe të gjitha problemet që na i sjell gjendja. Ajo që e bën grupin të ndryshëm është se anëtarët e tij përfshijnë onkologë dhe një ekip psikologësh, si ndihmë dhe mbështetje për ne, si dhe për të marrë përgjigje nga ekspertë dhe njerëz kompetentë për çdo problem që kemi. Përvojat tona tregojnë se, secili prej nesh, pas tronditjes fillestare, ka nevojë për dikë si ne, i cili do të jetë motivimi ynë dhe do të na zgjatë një dorë ndihme dhe mbështetjeje për t’i kapërcyer më lehtë momentet që pasojnë. Ne do të jemi zëri i të gjitha atyre grave që nuk mund të shprehen lirshëm dhe shpresojmë që ta lehtësojmë rrugën e tyre drejt trajtimit.

A kanë pacientët tanë dikë për të biseduar, ku mund të marrin informacionin e nevojshëm në lidhje me sëmundjen, terapinë, llojin e sëmundjes dhe të ngjashme?

Si grup, kërkuam që vetë Klinika të kishte një kabinet për mbështetje psikologjike për të gjithë pacientët me kancer dhe familjet e tyre dhe gjetëm mirëkuptim nga Ministria e Shëndetësisë, e cila e mbështeti iniciativën tonë që nga fillimi. Përveç veprimtarisë virtuale si shoqatë, kemi realizuar edhe aktivitete të tjera, siç janë tribunat në amfiteatrin e Klinikës, ku pacientët morën pjesë me pyetje më specifike drejtuar mjekëve. Fatkeqësisht, në zonat rurale dhe qytetet më të vogla në vend, qëndrimi ndaj sëmundjes, gjegjësisht ndaj kancerit të gjirit, është një temë tabu dhe nuk diskutohet. Këto gra, përveç sëmundjes, përballen edhe me paragjykime nga mjedisi dhe kjo i bën ato të tërhiqen dhe ta fshehin sëmundjen. Kjo është një nga arsyet pse këto gra kërkojnë ndihmë mjekësore në fazat e përparuara të sëmundjes. Ne si shoqatë i këshillojmë që zbulimi i hershëm i kancerit është një nga kushtet për trajtimin e suksesshëm. Ne i inkurajojmë të flasin hapur për sëmundjen dhe të raportojnë çdo ndryshim te mjeku i tyre amë. Këtu do ta theksoj navigatorin virtual për pacientët me kancer të gjirit, i krijuar nga Roche Maqedoni për ndihmë dhe këshillim 24-orësh. Dhe është pikërisht kjo vegël që e mundëson ndihmën dhe mbështetjen për gratë që përballen me paragjykime, stigmë ose ndonjë pengesë, distancë ose izolim. Në një mjedis krejtësisht privat dhe diskret, përmes bisedës së drejtpërdrejtë dhe interaktive, me veglën automatike digjitale, navigatorin Ana, mund të zhvilloni një bisedë me avatarin në faqen e Roche Maqedoni. Pacientët mund të informohen për gjithçka që lidhet me kancerin e gjirit, si dhe për rrjedhën e sëmundjes. Navigatori virtual Ana ofron ndihmë dhe mundësi për tema që lidhen me sëmundjen dhe trajtimin e saj. Përmes bisedës me Anën, informohemi dhe edukohemi dhe në atë mënyrë na ofrohet mbështetje.

Cila duhet të jetë qasja ndaj pacientëve me kancer?

Pacientët e diagnostikuar me kancer kanë nevojë për inkurajim, kujdes, ndihmë dhe mbështetje. Qasja duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Angazhimi i pacientëve për kujdesin ndaj vetvetes është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Familja duhet të përfshihet në mënyrë aktive në kujdes, kurse mjekët duhet të sigurojnë komunikimin me pacientët dhe anëtarët e familjes së tyre. Për këtë arsye, është e nevojshme të përdoret çdo lloj komunikimi, çdo lloj qasjeje, qoftë personale, e ndërmjetësuar, grupore, individuale apo virtuale. Dhe pikërisht këtë e bën shoqata. Me përvojat personale që kemi, kemi zbuluar të gjitha pengesat në qasjen ndaj secilit pacient, ndaj secilës grua dhe e hapim rrugën, krijojmë komunikim. Këtu qëndron edhe përparësia e navigatorit virtual Ana – në rastet kur askush tjetër nuk mund të arrijë dhe të ndihmojë. Për këtë arsye, i inkurajoj gratë që të flasin me navigatorin Ana, ku mund të marrin mbështetjen dhe ndihmën e pashmangshme që u nevojitet në kohën përplot ankthi dhe pasiguri pas diagnostikimit me kancer të gjirit.

Çfarë mesazhi do t’u dërgonit personalisht grave që përballen me këtë sëmundje?

Emri i grupit është vendosur qëllimisht të jetë dygjuhësh, sepse sëmundja nuk zgjedh sipas kombësisë. Problemet që sjell kanceri janë të njëjta për të gjithë njerëzit dhe nevoja për ndihmë dhe mbështetje është po aq e rëndësishme. Ne si shoqatë u bëjmë apel të gjitha grave të kërkojnë informacion, të drejtohen tek ne për çdo nevojë. Secili anëtar i shoqatës jep më të mirën nga vetja dhe qëllimi është të ndihmohen dhe të mbështeten pacientët e rinj dhe anëtarët e rinj ose familjet e tyre. Në një epokë kur kemi diagnostikë përmes së cilës kanceri mund të zbulohet që në fillim dhe kështu të kemi më shumë mundësi për shërim, kërkoni ndihmë në që në zanafillën e sëmundjes. Edukoni veten në lidhje me sëmundjen, bëni vetë-ekzaminime, eko të gjirit dhe mamografi. Përdorni navigatorin online Ana të Roche për të gjitha pyetjet tuaja dhe ndihmoni në rritjen e ndërgjegjësimit tek gratë. Zbulimi i hershëm i sëmundjes ka rëndësinë më të madhe.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.