A jeni gjendur edhe ju në mes të një sprove apo një brenge që ju ka shkundur ekzistencën tuaj? Humbja e një personi të dashur, humbja e vendit të punës, humbja e miqve, një tradhëti, një braktisje…të gjitha këto dhembin, dhembin fort. Dhe pikërisht mu atëherë kur dëshirojmë të dëgjojmë fjalë solidarizuese, kur presim mirëkuptim dhe ta ndajmë këtë dhimbje me dikë që mendojmë se na e do të mirën, vjen fraza e famshme: “mos u mërzit (më keq akoma “mos u anko”) se kjo ka për të të bërë më të fortë”. Brenda vetes shpërthejnë fraza të tipi: nuk dua të jem më e fortë, dua të mbetem kështu e brishtë, e thyeshme…! Dua vetëm që kjo dhimbje të marrë fund dhe të jem në gjendje të ndërroj faqe dhe të vazhdoj përpara.

A nuk tingëllon kjo shprehje njëjtë me “kjo dhimbje ka për të të bërë më të fortë në mënyrë që të jesh në gjendje të përballosh dhimbje të tjera”, apo si një parashikim ogurzi që sjell para syve të tu imazhin e një tjetër tragjedie, ndërsa ti ende nuk e ke kapërdirë këtë të tanishmen?

Dhimbja dhe vuajtjet nuk janë një gjendje e këndshme, të cilës duhet t’i shkojmë nga pas, por nëse vjen duhet ta mirëpresim si një mundësi për ta riformësuar veten herë pas here. Mënyra se si presim këtë gjendje dhe mënyra se si reagojmë karshi saj përcakton kush jemi dhe do të përcaktojë të gjithë të ardhmen tonë. E kemi në dorë vetë nëse dëshirojmë të zhytemi në vorbullën e vetëviktimizimit dhe vëtëmëshirimit, apo e kundërta të shtiremi sikur asgjë s’ka ndodhur, të stampojmë në fytyrë një buzqeshje fallco për t’u përshtatur me këtë atmosferën e shtirur pozitive të shoqërisë tonë kapitaliste/postmoderniste. Pozitivitet pompoz, i cili fryhet më së shumti nga industria e vetëzhvillimit me ato frazat super motivuese sa që të vjen turp nga vetja dhe të bën të ndihesh në faj nëse qoftë edhe një ditë nga jeta jote të kalon në lot.

As vetëviktimizimi, as pozitiviteti i shtirur nuk na ndihmon ta pranojmë dhimbjen tonë ashtu siç duhet. 

Pra jo, dhimbja nuk na bën më të fortë por na mëson si ta marrim veten, si të ecim përpara dhe si të ndërrojmë kapitull për të filluar një të ri. Sepse kur ke prekur fundin, kur je përballur me stuhitë më të frikshme dhe më të tmerrshme të jetës tënde, ke mësuar në të njëjtën kohë si të krijosh reziliencën/ përpjekjen për të mbijetuar dhe për të bashkëjetuar me traumën derisa të vijë koha që të marrësh vendimin për t’ja lënë atë së kaluarës.

Dhimbja nuk na bënë më të fortë. Përkundrazi. Dhimbja na shkatërron ëndrrat dhe entuziazmin, madje na largon dhe dëshirën për të jetuar. Ajo çfarë na bën më të fortë është kalitja e karakterit, apo aftësia për ta marrë veten dhe për të mos lejuar që cilado dhimbje që kemi kaluar mos të na kthejë në një njeri të padurueshëm, por në një person solidar, i gatshëm për t’u zgjatur dorën atyre që përjetojnë të njëjtën dhimbje apo dhimbje të ngjashme. Na bën më të fortë pranimi i vetes dhe kurajo për të folur për dhimbjen tonë dhe për të shpjeguar se si pasi u bë pjesë e jona i thamë lamtumirë dhe i treguam derën.

Vuajtjet nuk janë të këndshme dhe nuk janë ndonjë gjëndje e mrekullueshme. Por, mund të notoni deri në fund të thellësisë dhe të sillni diçka në sipërfaqe që mund të ndihmojë të tjerët”, thotë shkrimtarja Lidia Yuknavitch.

*Ky shkrim eshte publikuar fillimisht ne BusinessMagAlbania me i zgjeruar

linku i plote

https://businessmag.al/pieces-of-a-women-dhe-miti-i-famshem-se-dhimbja-na-ben-me-te-forte/

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.