Rrënjët e këtij mjerimi janë të thella e as në këtë shekull akoma s’kanë mundur të këputen.

Askush s’do mund ta besonte dot se kafshata që i “ngecte” në fyt Migjenit në vitet 30-të do ishte aq e gjallë sot, në shekullin e 21-të. Tabloja rrënqëthëse e shtypjes dhe shfrytëzimit, grushtit dhe shkeljes së më të dobëtit merr jetë më shumë se kurdoherë në Shqipërinë Demokratike, të civilizuar dhe të lirë në mes të Europës.

Mjerimi që shoqëria Shqiptare – sidomos familja, bërthama e çdo kombi – po kalon është ulur këmbëkryq dhe po merr përmasa marramendëse çdo ditë. Femra të përdhunuara, bashkëshorte të vrara, fëmijë që rriten nën hijen e dhunës. Baballarë të dobët që s’kanë përjetuar kurrë dashurinë e shpirtit. Kobshëm nuk frikësohen të tregojnë burrërinë me grushtin e vdekjes duke mbjell dhembje, trishtim e lot në çdo fytyrë të pafajshme.

Rrënjët e këtij mjerimi janë të thella e as në këtë shekull akoma s’kanë mundur të këputen. Të tërbuar e të frustruar nga paaftësia për t’i bërë ballë jetës, mallkojnë çdokënd që u del përpara; prishin qetësinë e njerëzve të zemrës. Sidomos asaj, krijesës më sublime e të brishtë në mes kësaj bote të ashpër. Ajo që nuk ndalet asnjë sekond, sakrifikon çdo gjë për këdo. E skllavëruan, e përdorën, e kthyen zërin e saj në heshtje të mekur, mbytën çdo ëndërr e pasion, e trajtuan herë si shërbëtore, herë kujdestare të pjellës së tyre, a thua se detyra e vetme e tyre ishte t’i jepnin një kafshatë bukë femijëve në darkë. Kurrë nuk shfaqën afeksion, kujdesje, mirënjohje, falënderim, por përkundrazi e kritikuan, e shvlerësuan sikur të mos kishte asnjë vlerë.

Të drejtohem ty Femër! Te drejtohem ty o nënë, që nën këmbët e tua gjendet Parajsa, motër, bashkëshorte që plotëson gjysmën e burrit, e ty bijë që hap derën e parajsës për çdo Prind!  Ti që mban në gji vazhdimësinë e jetës. Për hir të çdo vuajtjeje e mundimi, çdo ngrohtësie e sinqeriteti, për dorën e ngrohtë teksa shtrëngon fëmijën, për lotët që rrjedhin fshehurazi, për të gjitha netët pa gjumë: Mos u bë bashkëfajtore!

Në një kohë kur shteti është jofunkional, shtëpitë e strehimit janë të padukshme, punonjësit social s’mund të ofrojnë asnjë ndihmë.  Ju duhet të jeni shpëtimtaret e vetvetës. Jini heroina që brezi ynë të mos vuaj më nga plagët patriarkale e të pamëshirshme të meshkujve që s’njohën kurrë dashurinë. Dhuro dashuri pa kushte, por Mbro vetveten! Mbro foshnjën në krah, mbro Jetën që veç Zoti mund të ta marrë! Njih Ligjin, të drejtat e tua, arsimohu, promovohu, bashkëndërvepro me shoqërinë dhe dil nga guacka në të cilën janë munduar të të mbajnë për vite. Thyeji gardhet çjerrëse të mureve të ngritura rreth teje.

Mos prano skllavërinë për hir të asnjë rrethane pasi ajo do të të shtojë plagën e krimin dita ditës. Eduko bashkëshortin, djalin, vajzën tënde që të mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndoshë. Mos lejo të të hedhin hi syve, të të ndrydhin e frikësojnë!  Mos mallko fatin e barrën e rëndë që të ka rënë, por mbështetju Atij që të dha jetën për të gëzuar dhe hapëro nëpër lirinë që ti meriton.

©Muslimania.al

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.