Nga Laurete Rexha

Duke e shikuar këtë pamje magjepsëse të hënës dhe bukurinë që sjell nata në botë, mu kujtua një titull eseje që Profesoresha e gjuhës shqipe na kishte dhënë të shkruajmë rreth saj pothuajse dy-tre herë gjatë shkollës së mesme.Saherë vinte ai titull: ”Mos më lër pa kuptim të jetës”, pyesja veten përse fjalia nuk kishte kryefjalë të qartë?Pastaj me binte ndërmend që në fjali ajo mund të vijë edhe e nënkuptuar.Sidocoftë, gjithmonë e ndjeja se në fjali kishte një mungesë, çoftë sintaksore apo kuptimore.E dija që ishte një lutje, një thirrje, por drejt kujt?Ndonëse nuk praktikoja   namazin, prapëseprapë, e dija se lutja ishte diqka që mund ti drejtohet vetëm Zotit, ndërsa njeriut i takonte pjesa e vetë në kërkimin e gjërave dhe në njohjen e tyre.Por atëkohë, disi ndihesha sikur gjërave që më rrethonin ju mungonte qartësia.

Duke qenë në kohën më të vështirë të jetës, si adoleshente, mendimet e mija silleshin nga boshti në bosht, në njerëz, vende, e në ndjenja nga më të ndryshmet.E kisha një ndjenjë të mos përkatësisë, një shkëputje nga diqka e madhe që më dhimbte herë pas here, por as vetë nuk e dija se nga qka.

Në orën e letërsisë mësonim për teatrin e absurdit të autorëve modernë anglezë, dhe drama ”Në pritje të Godosë” nga Samuel Becket”, mi hapte dyert e të gjitha pyetjeve. Ishte edhekoha për të bërë pyetje. Ndërsa titulli i esesë ma linte gjithe fletën e hartimit bosh. Nuk e dija cili është kuptimi i vërtetë i jetës.

Dija që duhej të mësoja, të sillesha mirë, të bëhesha njeri i ndershëm, dhe sa të mundja t’i bëja prinderit e mi krenarë. Duke u munduar t’i bëja këto, më dukej sikur nuk më mjaftonte;sikur nuk po bëja asgjë për veten, por prapë vazhdoja të jetuarit, duke shpresuar se mirësia një ditë do të shpërblehej dhe do të jetoja një jetë të bukur.

Tani kur mendoj për titullin ”Mos më lër pa kuptim të jetës”, e di që kjo lutje i drejtohet vetëm Zotit. E di që plotësimi shpirtëror arrihet vetëm me njohjen e kësaj të vërtete qenësore.Një e vërtetë që i ndriçon të gjitha rrugët tjera të jetës, në një botë që sillet rrotull, dhe një vete që ngritet e plotësohet pambarimisht, në dritën e njohjes së Krijuesit. Në dritën e kuptimit.

Jo rastësisht Zoti në Kuran thotë: Ne nuk i kemi krijuar  xhinët dhe njerëzit për asgjë tjetër, pos që të më adhurojnë.Suretu Dharijat, Kuran, ajeti 56.

Nëse jeton me këtë ajet, nuk mund ta humbësh rrugën sado që nuk i kupton ngjarjet dhe sprovat që të vijnë, sepse e di se ti këtu je në një mision të shenjte, shumë special, e që të përket vetëm për shkak se je njeri. Dhe kuptimi mund të jetë si kjo hënë, ndonjëherë i fshehur mes reve, por gjithnjë aty, i plotë, duke pritur që të shfaqet, i sigurtë në kujdesin dhe urtësinë e Zotit të Madh! 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.