Muslimanes shqiptare tentohet t’i shqyhet shamia nga maqedonasit në mes të Shkupit

0
Në foto Sumeja Ademi, vajza e sulmuar në mes të Shkupit.

Ditën e premte rreth orës 3 të pasdites, m’u në qendër të Shkupit, një 19-vjeçare është sulmuar fizikisht dhe është fyer për shkak të fesë dhe etnisë së saj.

Shkupjania Sumeja Ademi është sulmuar nga një grup prej tre djemsh dhe një vajze maqedonase ndërsa po kthehej nga shkolla sëbashku me shoqen e fakultetit.

Ajo ka treguar për agjencinë  turke të lajmeve Anadolu se ndihet e traumatizuar pasi nuk e kishte pritur kurrë një gjë të tillë në ditët e sotme duke qenë se jetojmë në shekullin e 21 dhe çdo kush është i lirë të shpreh përkatësinë fetare.

Ajo thotë se këtë mund ta kishte pritur nga çdo kush por jo nga moshatarët e vetë sepse pikërisht të rinjtë mendohet të jenë më mendjehapur dhe “avokatë” të paqes e harmonisë.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë, sidomos të rinjve, që të mos bien pre e provokimeve, por për të luftojnë për harmoni në mesin e qytetarëve të këtij vendi multietnik e multikulturor.

“Sot më ka ndodhur me mua, nesër mund t’I ndodh dikujt tjetër. Kjo mund t’i ndodhë jo vetëm një shqiptareje por dhe ndonjë turke apo boshnjakeje. Pra, të mos lejojmë të tilla gjëra të ndodhin në mesin tonë duke na prishur harmoninë dhe bashkjetesën që kemi ndërtuar për kaq vite. Le të kontribuojmë për paqe dhe harmoni mes nesh,” ka thënë ajo.

Ditën kur ndodhi sulmi, babai i Sumejës postoi në mediat sociale një letër me titull ironik “Deklaratë për Shtyp”. Letra e tij nis kështu:

“Bashkatdhetarët e mi të dashur, kudo që jeni, çfarëdo përkatësie fetare apo kombëtare të keni, dëshiroj të ndajë me ju një shqetësim timin si prind me atë që do t’ju tregoj. Sot rreth orës 15:00, përballë një dyqani Swarovski, m’u në qendër të qytetit, para dhjetra dëshmitarëve dhe qytetarëve, një grup prej 3 djemsh dhe një vajze, kanë sulmuar fizikisht vogëlushën time duke e fyer me akuzën: “Shqiptarka e ndyrë, terroriste islamike! Ik atje ku e ke vendin, në Arabinë Saudite!!!”

Që nga kjo lloj fyerje kuptohen dy gjëra me rëndësi në lidhje me natyrën e sulmit:  racizëm – të thirrurit  “shqiptarka” dhe “terroriste” diskriminim për shkak të fesë. Ndryshe nga realiteti shqiptar ku femrat muslimane diskriminohen mbi të gjitha për shkak të fesë, në Maqedoni femrat muslimane sulmohen edhe për shkak të etnisë.

Madje dhe në qofshin torbeshë apo maqedonase të konvertuara, siç rëndom u ndodh, akuzohen se “kanë pranuar fenë e shqiptarëve” dhe si të tilla me racizëm ofendohen me emrin “shqiptarka”. Së bashku me Sumejën ka qënë dhe mikesha e saj maqedonase e krishterë e cila gjithashtu është fyer dhe quajtur “tradhtare!” për shkak se i ka dalë në mbrojtje.

Babai Sumejës, Hisen Elmazi, vazhdon duke shprehur se sulmuesit kanë qenë thjeshtë disa adoleshentë “të pafajshëm” apo viktima të retorikës idiote dhe shoviniste të politikave nacionaliste të cilat dita ditës ndërtojnë strategji të kota për të “mbrojtur” interesat nacionaliste.

Sipas tij, kriminelët e vërtetë janë familjet e tyre të cilat ose nuk dinë se ç’vëlon në kokat e fëmijëve të tyre ose vetë ata i nxisin duke ushqyer tek ta urrejtje, në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, ndaj kombësive të tjera.

Ai mund t’a kishte denoncuar rastin, mirëpo shprehet se ka preferuar mos t’a bëjë këtë për shkak se Islami është fe e paqes dhe nuk dëshiron që disa adoleshentë “të pafajshëm”, “tru shpëlarë” të arrestohen, e ndoshta kjo i shërben si mësim për t’a kuptuar këtë.

Letrën e tij e përfundon me apelimin për harmoni dhe respekt ndërmjet etnive:

“Maqedonia është e jona dhe e juaja dhe e atyre që duan të jetojnë në paqe dhe qetësi. Maqedonia është një vend i krishterë. Maqedonia është edhe një vend musliman. Maqedonia është një vend ateist. Maqedonia i takon të gjithë atyre që duan të jenë të respektuar, por mbi të gjitha që dinë të respektojnë. Këtu kemi lindur dhe ndoshta këtu do të vdesim. Nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër përpos të bashkëjetpjmë dhe të bashkëpunojmë për të ndihmuar njeri-tjetrin me hir a me pahir.”

Duhet theksuar këtu se përveç agjencisë turke Anadolu, asnjë media tjetër, shqiptare apo maqedonase, nuk e ka raportuar incidentin, dhe siç si do të kishte komentuar një shqiptar Maqedonie “po sikur të kishte ndodhur e kundërta (pra një grup shqiptarësh musliman të kishin fyer një maqedonase të krishterë) çfarë do të kishte ngjarë? Çfarë pasqyrimi do të kishte bërë media në lidhje me ngjarjen në fjalë?”

©Muslimania.al

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.