Vetëm pesë minuta larg sheshit Skëndërbe, shumë pranë “Mavrovkës”, në një ndër rrugët kryesore të kryeqytetit, bulevardi “Goce Delçev”, gjendet kjo ndërtesë e lënë pas dore, e njohur si Biblioteka Kombëtare Universitare “Shën Klementi i Ohrit”.

Akoma në gjendje më të mjerueshme është ambienti i brendshëm. Simbol i degradimit të dijes, ëndrrës për një të ardhme më të mirë dhe çdo lloj përpjekjeje për t’u kapur fort pas një arsye për mos ta lënë këtë vend. Kjo gërmadhë epike që pluskon mu në qendër të kryeqytetit, dhe e cila në fakt duhej të përfaqësonte një vatër dijeje, jo vetëm nuk pasqyron ndonjë pasuri nga e kaluara, por duket se një paralajmërim ogurzezë për të ardhmen distopike që e pret këtë vend. Trofeu i një lufte imagjinare mes pushtetesh, postesh, buxhete të ndara padrejtësisht dhe shumë krime të tjera të rënda, përfshi këtu dhe vrasjen e ëndrrave rinore.

Ish-drejtoresha e Biblotekës Kombëtare në Tetovë, Njomza Imeri Ismaili për Nistori tregon se sa herë që përmendet institucioni “bibliotekë”, të gjithëve menjëherë u shkon mendja në ato fotografitë e bukura me libra dhe leximoret moderne. Ndër të tjera, biblotekën në fjalë e quan “një përplasje në fytyrë e realitetit tonë”.

Se si jetojmë ne në RMV, e tregojnë vetë këto pamje të biblotekës Shën Kelmenti i Ohrit. Gjendje e mjerueshme. Shkupi me leximore ku mund të incizohen filma horror. Dhe ne pastaj habitemi se ka po na shkon rinia. A e dini se rëndësinë e institucionit e rrit kujdesi që dedikojmë për të?! Kjo I bije që për RMV nuk është aspak e rëndësishme se sa, si dhe ku do të lexojë populli meqënëse përballemi me këtë gjendje. Normalisht, meqë një numër i mirë pushtetarësh i rehatuan fëmijët e tyre nëpër shkolla private, për qytetarët e thjeshtë është e mjaftueshme ta merr librin ta lexojë në shtëpi. Gjithmonë e kam thënë dhe do vazhdoj ta them: Shkupi meriton më shumë, Tetova meriton më shumë, NE meritojmë më shumë. Investoni në institucionet kulturore, aty ku zhvillimi i një shoqërie e ka themelin. Se sa lexojmë varet nga ajo se çka na ofrohet… E çka na ofrohet, flasin faktet!!! T’i vizitosh bibliotekat në shumicën e vendeve tona, menjëherë e merr një pasqyrë se sa larg Europës jemi, andaj kemi zgjedhur nje rrugë tjetër: Meqë Evropa svjen te ne, po nisemi ne drejt Evropës! Fatkeqësisht ky është realiteti ynë!” shprehet e revoltuar Ismaili.

Një shqetësim i ngjashëm vjen dhe nga një dashamirëse e librit dhe leximit, Donika Bakiu.

Kur i pash këto pamje m’u rënqeth trupi e m’u bë copë shpirti. Të jenë bibliotekat në këtë gjendje të tmerrshme është fytyra e tyre e vërtetë! Çfarë e ardhme mund të shihet pas këtyre pamjeve?! Bibliotekat gjithmonë na japin frymëzim për të mësuar në ato vende të mrekullushme! Nuk guxon të flet askush për Europën ose ky vend do të jetë në Europë, sepse vetëm po ta shihnin Europën më nuk do ta përmendnin! Në këtë rast duhet mediet, Parlamenti Studentor të gjithë të ngrihen! A do të zgjohemi ndonjëherë?! Për të tashmen dhe të ardhmen tonë?! Këto pamje flasin se vetëm fjalë boshe janë “digjitalizimi i librave” e shumë gjëra të tjera! Kushtet në arsim i kemi katastrofë! Ende kemi shkolla në Maqedoninë e Veriut që nxënësit mësojnë në bodrume. Në vendin tonë ende reklamohen duke premtuar nëpër fushata se do të kemi ujë të pijshëm! E më e keqja se aty shohim ministra, deputetë e drejtorë, kryetarë komunash, të gjithë njerëz të shkolluar! Shumë turp!”, deklaron Bakiu.

Një reagim zyrtar vjen dhe nga Unionit Studentor Shqiptar të shqetësuar gjithashtu pas publikimit të pamjeve. Kryetarja e Unionit, Nermine Hamidi u shpreh gjithashtu e indinjuar duke theksuar se ka përafërsisht katër vjet që e ka ngritur si shqetësim.

Kur i dëgjojmë dhe i shohim disa fushata dhe fjalime publike apo njoftime tjera për publikun rreth projekteve të kulturës dhe arsimit, ne si studentë dhe organizatë joqeveritare studentore “dyshojmë” mos vallë ne jemi fajtorë kur disa herë kemi kritikuar, kemi bërë kërkesa dhe thirrje në disa pika thelbësore të sistemit arsimor dhe kulturor edhe pse nga ana tjetër vazhdimisht duket sikur vazhdojnë të “punojnë”… Këto pamje të bibliotekës janë vetëm pjesë e realitetit të studentëve, nxënësve dhe gjithë lexuesve dhe studijuesve të cilët e dinë se sa vuajmë ne për leximore dhe biblioteka në komunat e qyteteve tona, ndërsa ato egzistencialet janë pothuajse me kushte të mjerueshme dhe nuk i përmbushin nevojat elementare për të qëndruar për lexim/mësim/studim.

Në disa projekte tona përfshi edhe atë të fundit, që nga informimi me institucionet përkatëse të arsimit dhe kulturës deri tek debatet publike, kërkesat për ndërtime ose adaptime të pronave publike për biblioteka, ofertë që ne si studentë të jemi “ekip ndihmues”, edhe atë kemi gjetur hapësira ku për “X” arsyje nuk janë realizuar kërkesat tona, përveç një pjese të vogël të cilat nuk lidhen me përmisimin e kushteve të bibkiotekës në fjalë, fatkeqsisht! Mungesa e transparencës dhe bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse dhe organizatave joqeveritare studentore, mungesa e kulturës për lexim, mungesa e investimeve konkrete për biblioteka bën që ato fotografi të pasqyrojnë nivelin e kulturës së leximit dhe mungesën e hapësirave si leximore dhe biblioteka.

Para se të krijojmë sisteme “inovative” në përputhje me standartet europiane, së pari le të kthehemi në realitetin, në brendësinë e bibliotekës, universitetit, shkollës, si shtet, ministra e ministresha, kryetare e kryetarë të komunave, drejtorë e drejtoresha të cilët fajin e hedhin lartë e poshtë: Asnjë shtet i zhvilluar tash më, nuk njihet të ketë arritur zhvillim pa shkencë dhe kulturë leximi, e nëse vërtet duam të kemi histori, së pari le të mësojmë ta ndërtojmë atë. Le të fillojmë me foletë e dijes!

Të tilla reagime nuk synojnë të gjejnë fajtorë apo të drejtojnë gishtin në ndonjë autoritet apo individ të caktuar, por të ndërgjegjësojë për këdo që ka zë dhe impakt në politikbërje.

Kjo biblotekë kryeqyteti nuk duhet të jetë me patjetër luksoze dhe moderne, sepse e tillë do stononte tepër me varvërinë dhe mjerimin vendas, por të paktën e dinjitetshme dhe modeste. /Nistori/

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.