Forcimi i partive të ekstremit të djathtë në Perëndim së fundmi, ka vënë në qendër të vëmendjes edhe mendësinë në rritje të islamofobisë. Shembull konkret i kësaj mendësie është një vendim i fundit i gjykatës belge, i cili ndalon vënien e mbulesës së kokës në institucionet e arsimit të lartë. Një ndalim i tillë nuk është konsideruar si shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut sipas Konventës Evropiane. Pavarësisht kësaj, shumë njerëz kanë dalë në mënyrë të vazhdueshme në rrugët e kryeqytetit belg, për të protestuar ndaj këtij vendimi, i cili u heq shumë grave të drejtën për arsim të lartë.

Kundër këtij ndalimi të mbulesës kanë protestuar disa organizata anti-raciste dhe feministe, të tilla si: Belges Comme Vous, La Cinquième Vague dhe Collectif Contre l’Islamophobie en Belgique. Kështu, mbi 1000 protestues u mblodhën në qendër të Brukselit në një manifestim masiv me moton “Të mbuluarat kundërshtojnë”. Ky manifestim synoi t’u jepte zë shqetësimeve ndaj vendimit në fjalë. Aktivistët e kësaj lëvizjeje thonë se masat e marra pengojnë mundësitë e barabarta, nuk lejojnë përfshirjen e grave muslimane në jetën sociale të vendit si dhe u cënojnë atyre të drejtën për t’u arsimuar. E gjitha kjo është një goditje e madhe ndaj ekonomisë së tyre. Aktivistët po u bëjnë thirrje universiteteve që të marrin në konsideratë të drejtat e këtyre grave dhe ta kundërshtojnë vendimin e imponuar nga shteti.

Deri më tani, rreth 12 universite në të gjithë Belgjikën e kanë dënuar këtë ndalim dhe kanë lëshuar deklarata, nëpërmjet të cilave i sigurojnë studentet e tyre, se ato do të lejohen që të vazhdojnë studimet, si me mbulesë, si pa mbulesë. Për fat të keq, protestat dhe peticionet e zhvilluara nuk kanë patur ndonjëfarë ndikimi te gjykata belge. Kjo e fundit nuk ka reaguar dhe as nuk ka pranuar që ta rivlerësojë vendimin e saj.

Në një deklaratë të tij, Këshilli i Muslimanëve Evropianë u shpreh me këto fjalë:

“Ky vendim i gjykatës nënkupton që gratë e mbuluara nuk e kanë të drejtën për të ndjekur studimet e arsimit të lartë. Mjerisht, disa prej tyre do të duhet të heqin dorë nga ëndrrat, ndërsa disa të tjera do të detyrohen që ta heqin mbulesën, në mënyrë që të mund të arsimohen.”

Për t’iu kundërpërgjigjur këtij ndalimi të diskutueshëm, Këshilli i Muslimanëve Evropianë nisi lëvizjen “Të mbuluarat kundërshtojnë”, e cila është projektuar si një platformë për kundërshtimin e vendimeve të tilla. Kjo lëvizje ka për qëllim që të ushtrojë presion ndaj sistemit legjislativ dhe t’i bëjë ligjvënësit të kuptojnë, se duke synuar “çlirimin” e grave nga mbulesa e kokës, ata në fakt po u shkelin atyre të drejtën e lirisë fetare.

Megjithatë, me sa duket, shteti nuk do të ndërhyjë në këtë çështje. Tashmë u takon universiteteve që të vendosin nëse do ta zbatojnë apo do ta shpërfillin vendimin në fjalë. Ky vendim nuk përbën ndonjë surprizë të madhe, po të kemi parasysh klimën anti-muslimane që mbizotëron në vendet fqinje të Belgjikës, siç është Franca. Ndalimi i mbulesës së kokës në institucionet arsimore dhe në administratën publike ka qenë në qendër të shumë polemikave dhe protestave në Francë. Abuzimi verbal dhe fizik ndaj grave të mbuluara ndodh rëndom në këtë vend. Ndonëse ky lloj abuzimi është denoncuar në shumë media sociale dhe shumë njerëz kanë dalë në mbrojtje të grave muslimane, sërish qeveria franceze nuk është tërhequr nga vendimi i saj për ndalimin e mbulesës, duke e cilësuar këtë vendim në përputhje të plotë me linjën shekullare të shtetit.

Shfaqja e shekullarizimit dhe e qeverisjeve të ekstremit të djathtë e ka përkeqësuar atmosferën islamofobe të shoqërive tona, duke e përhapur edhe më shumë retorikën negative mbi mbulesën. Muslimanët duhet të bashkëpunojnë për ta çrrënjosur këtë retorikë shtypjeje dhe duhet t’i hedhin poshtë pretendimet se mbulesa e kufizon lirinë.

Komuniteti ynë duhet t’i mbështesë gratë që detyrohen të heqin mbulesat, por duhet edhe të ndërgjegjësojë opinionin publik për vlerën dhe bukurinë e mbulesës. Duke imponuar vendime të kësaj trajte, qeveritë nuk po bëjnë tjetër veç se po pranojnë dhe po përforcojnë stereotipet, të cilat do t’i izolojnë dhe do t’i përjashtojnë gratë muslimane nga shoqëritë e tyre.

Është e domosdoshme që muslimanët të bëhen faktor kryesor në ndryshimin e situatës dhe në garantimin e lirisë së shprehjes së besimit. Kjo për shkak se diskriminimi me të cilin përballen gratë muslimane sot, rrjedh pikërisht nga keqkuptimet dhe atmosfera ksenofobe që ekziston në botën tonë.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.