Ftesa për të studiuar në Malajzi për mua ka qenë e papritur. Të shpërngulesha në një vend për të cilin dija vetëm se ishte në Juglindje të Azisë dhe se ishte një vend Musliman dhe nuk kish qenë ndonjëherë pjesë e diskutimeve me miqtë apo të afërmit, sigurisht që nuk ishte dicka e zakonshme. Jo pak herë më është dashur të marr globin e vogël për t’ua demostruar të afërmve se sa larg më duhej të udhëtoja. Mu desh të bëja kërkime në internet rreth kulturës, gjuhës e shumë aspekteve të tjera jetësore. Sigurisht, edhe ky informacion ishte i mangët përballë realitetit të të qënit fizikisht në atë vend.

Një pjesë e Malajzisë shtrihet në gadishullin e Malajzisë dhe një pjesë në ishullin e Borneos. Rrethohet nga Singapori, Tajlanda, Brunei, Indonezia, dhe Vietnami. Kuala Lumpur është kryqyteti i tij ndërsa Putra Jaya është selia e qeverisë federale. Numri i popullsisë arrin deri në 30 milion e gjysmë duke e renditur Malajzinë në shtetin e 43-të më të populluar në botë. Gjuha zyrtare eshte Bahasa Malayu (gjuha malajzjane) dhe gjuhë e dytë është ajo angleze. Eshtë një monarki kushtetuese federale zgjedhore. Kreu i shtetit është Yang di-Pertuan Agong, i cili eshte dhe mbreti i Malajzisë.

Të njohësh e jetosh Malajzinë në tërësinë e saj, do të shohësh se jeton cdo ditë në një vend ku njerzit kanë rraca e fe të ndryshme, ne nje vend ku jetojne harmonishem dhe në paqe malajzjanët, kinezët, indianët, dhe të gjithë nënshtetasit e tjerë të cilët gjenden atje për bisnes, turizëm, studime apo të tjera interesa.

Malajzia me multidiversitetin kulturor etnik dhe fetar, eshte shnderruar ne nje festival shumëngjyrësh. Ndoshta kjo eshte arsyeja pse malejzjanet janë shumë të qetë, të ngrohtë dhe miqësore si natyrë.

Momenti i parë i perballjes me atmosferën malajzjane ka qënë në aeroport:

“Selamat Datang!”- ishte fjala e parë që dëgjuam e cila do të thotë “Mire se erdhët!” E kujtoj shumë turbullt atë kohë nga emocionet dhe hutimi nga ambjenti shumë ndryshe dhe i ri. Fytyra te reja, esmere, që të buzëqeshnin edhe pse nuk të njihnin, femra muslimane me shami, gjë e cila ishte shumë e rrallë në Tiranën prej nga unë vija.

Sapo dolëm nga aeroporti u perballëm me klimën tropikale të nxëhtë të Kuala Lumpurit. Duke qënë se u nisëm në nëntor (ishim të veshur me pallto dhe xhupa), patëm një vapë dhe një marrje frymë te tmerrshme.

Përgjatë gjithë rrugës nga aeroporti deri tek Universeti Islamik i Malajzisë shikoja tërë kërshëri nga dritarja rrugët e gjëra, pemët e palmeve që shtriheshin përgjate gjithë rrugës, fusha plot jeshillëk, tek tuk ndonjë ndërtese, deri sa arritëm afër qëndrës së qytetit ku binte ne sy dukshëm lartësia e ndërtesave dhe qiellgervishtëset e Kuala Lumpurit.

Në këtë vend nuk do të ndihesh kurrë e huaj sepse gati i gjithë populli di të flasë anglisht. Në zonat përreth Kryeqytetit mund të lëvizim me autobus, tramvajë, taksi, që janë edhe transporti kryesor në vend, ndërsa për të mbërritur në qytetet e tjera të afërta duhet të marrim autobuz, ose tren Sigurisht dhe makinë nëse na e lejon buxheti. Qytetet si Sarawak, Penang, Tërënganu, përvec transportit urban, ofrojnë dhe atë ajror.

Ndoshta mënyramë e lehtë për të filluar për të kuptuar ndërveprimin tejet komplekse kulturore të Malajzisë, është të shikojmë në mënyrën e festimit të festave religjioze. Edhe pse traditat e ndryshme kulturore ndryshojne dukshëm nga njëri tjetri, në Malajzi, të gjitha komunitetet hapin dyert e tyre për anëtarë të kulturave të tjera gjatë një festimi fetar. Një përfshirje e tillë më shumë se për të thyer barrierat kulturore është dhe një menyrë për të nxitur mirëkuptimin . Madje një nga zakonet të cilën malejzjanët e kanë adaptuar nga kinëzet janë dhuratat që u bejnë fëmijëvë për Bajram. Ditën e bajramit, teksa vizitojnë njëri-tjetrin, u dhurojnë zarfa me disa para simbolike me dizenjo të motiveve tradicionalë, femijëvë të vegjel.

“Jom Makan!”-(Le të hamë dicka!) eshtë shprehja e preferuar e cdokujt në kohën e drekës apo nëse ka një “kanduri” (festë). Diversiteti i kulturave është një privilegj edhe kur bëhet fjale për ushqimin, pasi shumëllojshmëria varion nga ushqimet tradicionale malajziane, në atë kinezë, indianë,të cilat jane dhe 3 kuxhinat dominuese. Po ashtu dhe ajo euroaziatike është pjesë. Orizi dhe nudëlls është ushqimi i zakonshëm për cdo kuzhinë. Ushqimet pikante janë shumë të preferuara nga vendsasit kryesisht, por me kalimin e kohës cdokush do dëshironte të hante në mengjes “nasi Lemak” . Dhe nëqoftëse duam të shijojnë ushqim tradicional që gatuehet për festa, kthimi ne fshatrat tek shtëpia e gjyses ështe zgjedhja ideale. Frutat kryesore janë ato tropikale, si mango, ananas, rambutan, bananja, dhe mbreti i frutave quhet Durian, nje frut me aromë të fortë dhe shije pak të thartë. Ky është fruti i vetëm i cili më ben të ndihem jo malajziane, pasi është shumë i fortë për shijet tona.

Teksa udhëton nëpër qytete të ndryshme ndihesh sikur po udhëton nëpër shtete të ndryshme, dhe jo në një vend të vetëm. Kjo falë arkitekturës të atyre qyteteve. Një qytet si Penang-u , për shembull , shpesh mund të japë përshtypjen e të qënit në Kinë më tepër sesa në Malajzi. Nëse duam të ndjejme atmosferën franceze, lehtësisht mund të vizitojme “French Village”, ose për Arkitekturën Gjermane, mund të shkojmë ne Melaka. Stili gjerman dhe ai britanik gjendet si pasojë e proçesit kolonizues të Malajzisë.

Stili vernakular, ose tradicional kryesisht gjendet në fshatra, të cilat sot e kësaj dite e kane mbajtur traditën e ndërtimit të shtëpive me lenden e drurit dhe të ngritura nga niveli i tokes. Ndërsa në qytetet si Kuala Lumpuri mbizotërojnë zhvillimet moderne me ikonën e qytetit, Kullat Binjake, të cilat deri para pak vitesh shënonin edhe më të lartat ne Bote.

Feja dhe praktikimi i saj është një nga vlerat më të mëdha qe Malajzia ka. Ndonëse egzistojnë 4 fe kryesore, Islami, Budizmi, Hinduizmi,dhe Krishtërimi, cdo fe ka kultin e saj dhe të gjithë respektojne hapësiren e gjithsecilit. Xhamitë, kishat dhe tempujt budist e hindu janë kudo nëpër qytete. Është e habitshme se Malajzia ndonëse një vend me shumice Muslimane, ka në kryeqytetin e tij tempullin me te madh Hindu (Batu Caves) i cili vizitohet nga mijëra besimtar nga e gjithë bota.

Sa i përket islamit dhe muslimanëve, atë përbëjnë shumicën e popullsisë dhe u jepet prioritet në cdo drejtim. Për këtë arsye në malajzi përvec ligjit civil, egziston dhe ligji i Sheriatit i cili aplikohet për disa aspekte te caktuara të së drejtës familjare kryesisht, dhe për komunitetin Musliman. Në çdo cep të Malajzisë, mund të ulesh të hash pa u shqetesuar ne lidhje me ushqimin “hallall”, sepse cdo asortiment qe shitet, apo cdo restorant ka stampën e fjalës “hallall”. Nëse nuk ka stampën atëhere nuk duhet te hash atje. Dyqanet të cilat servirin mish derri apo pije alkolike janë te vecuara dhe po ashtu kanë pankarta të dallueshme për të treguar se ai dyqan nuk është për muslimanët.

Çdo ndërtese, qofte dhe nje klinikë e vogel, ka të paktën një dhomë faljeje, ndërsa komplekset komerciale apo ndërtesat industiale, zyrat, spitalet, etj, kanë dy dhoma faljeje të ndara (meshkuj dhe femra). Perveç Xhamive që përshkrojnë qytetin, egzistojnë dhe “surau” dhoma faljeje në shkallë më të vogël se xhamia të cilat ndodhen në çdo lagjie, sidomos për moshën e vjetër dhe për namazet ditore.

S’mund të lë pa përmendur dhe veshjet karakteristike të tyre sidomos gjatë festës së Bajramit apo martesave. E gjithe familja do zgjedhë nje ngjyrë te preferuar dhe me të do i porosisë veshjet për të gjithë familjen, “baju malayu” per meshkutj dhe “baju kurung” per femrat.

Po ashtu ata kanë karakteristike edhe punhimet artizanale, sidomos ajo e drurit apo e baltës.

Ka shumë për të treguar apo shkruar rreth Malajzisë por ajo që mund të thuhet në fund është se Malajzia është nje vend me kontraste dhe ekstreme të cilat veçse i shtojnë aspektet e diversitetit. Jo me i ndryshem, se sa si nje film i cili ndryshon fotografinë çdo sekondë.

Vend i shtepive te drunjta, aq sa dhe vend i rrokaqiejve; vend i hoteleve me 5 yjeve, aq sa dhe vend që mbledh rreth sofrës për të ngrënë me duar dhe të ulur në shesh; vendi i njerezve të buzëqeshur e të ndrojtur, aq sa edhe të zotë në ndertimin e vendit.

Natyrë e mrekullueshme, që varion nga male e thepisura qe duan te arrijne qiellin, te fushat e gjëra e plazhet ekzotike me një det ngjyrë të kalter-gjelbert e me shkembinj nënujore te mahnitshëm.

E kështu, të vizitosh apo jetosh në Malajzi është një experiencë sa emocionuese aq edhe shumë-dimensionalisht e paharrueshme.

Autorja punon si arkitekte në një studio prestigjoze në Kuala Lumpur, ndërkohë vazhdon studimet master në degën Arkitekturë dhe Mjedis (Ruajtje dhe Vazhdueshmëri Trashgimie).

©Muslimania.al

Brunilda Basha

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

Latest posts by Brunilda Basha (see all)

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.