Nga Madiyah Rana

Duaja ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën time. Ishte arma ime më e mirë për të luftuar dyshimet, frikën dhe hutimin nga sprovat e jetës. Ka patur momente në jetën time që jam ndjerë e keqkuptuar, e humbur dhe mendimet e mia ishin një rrëmujë e madhe e përhumbur, megjithatë, duke i shkarkuar ato në sexhde, te Krijuesi im, Ai që e kupton edhe heshtjen time apo pëshpëritjet e mia, ndihem e përtërirë dhe e lehtësuar.

Ka patur raste në jetën time kur kam qenë në udhëkryq, duke mos ditur se cilën rrugë të ndjek, çfare vendimi të marr; emocionet ishin mbizotëruese, megjithatë duaja më ndihmoi të merrja vendimin e duhur, pasi mund të flisja me Allahun, t’i kërkoja Atij, të mbështetesha tek Ai dhe t’i shprehja Atij mendimet e mia më të thella dhe më të errëta. Ka patur gjithashtu raste kur nuk shihja dritë në fund të tunelit. Raste kur faji më rëndonte, pendimi më paralizonte, më shkaktonte mpirje nga brenda, megjithatë disi, falë lutjes e rimora guximin dhe forcën për të vazhduar.

Kur dëgjojmë fjalën, “Ramazan”, menjëherë mendojmë për Kur’anin. Aq sa është muaji i Kur’anit, Ramazani është gjithashtu muaji i duase, pasi që duaja është thelbi i adhurimit. Vetë Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Duaja është thelbi i adhurimit.”

Dhe çfarë bëjmë ne kur kemi nevojë? Po kur ndiejmë uris? Kur dikush na ka lënduar, por ne duhet t’i kontrollojmë ndjenjat tona dhe të kontrollojmë gjuhën për të mos humbur shpërblimin e agjërimit tonë? I drejtohemi Allahut. Kërkojmë nga Ai. Dhe ky është momenti kur gjejmë kënaqësi, siguri dhe shpresë ..

Në këtë shkrim dua t’ju jap një pasqyrë të mënyrës se si unë zakonisht shkruaj listën time të duave, me shpresën që ju të përfitoni dhe pse jo të krijoni librin ose listën tuaj të duave – çfarëdo që dëshironi ta quani 

Së pari, ju do të duhet t’i dhuroni vetes (ose nëse jeni martuar, atëherë përdorni hilet tuaja femerore që t’jua dhurojë burri;), një libër ose ditar të bukur – preferohet diçka që mund të futet në xhepin e xhaketës ose që nuk zë shumë vend në çantën tuaj. Nëse nuk jeni admirues i librave, atëherë mund të përdorni një program interneti ose një aplikacion telefoni. Unë rekomandoj aplikacionin “evernote”, pasi mund ta përdorni si nga celulari ashtu edhe nga kompjuteri / laptopi juaj.

Libri im i duave pasqyron dashurinë time për duanë. Ndaj dhe zgjodha një mini fletore, ngjyre vjollcë dhe të artë për të ruajtur të gjitha ato gjëra që dua të kërkoj nga Zoti.

Me pak fjalë, kjo ju vendos në gjendjen shpirtërore dhe me të vërtetë ju bën, (të pakten mua me siguri!) të ngazëllyer për të mbajtur shënim të gjitha ëndrrat dhe qëllimet tuaja dhe për t’i shndërruar ato në dua të bukura.

Së dyti, kategorizoni listën tuaj të duave. Kjo nuk do të thotë t’i kategorizoni ato sipas ngjyrave, por t’i ndani duatë sipas seksioneve të mëposhtme:

Dunjaja

Ahireti

Natyra shpirtërore

Të tjerët

Superstars

Në kategorinë “Dunjaja” shënoni të gjitha ato dua që kanë të bëjnë me gjërat që dëshironi në këtë botë. Për shembull, nëse dëshironi shumë një fëmijë, të hyni në një degë të caktuar studimi, të vizitoni një vend të veçantë, apo t’ju jepet një punë që dëshironi. Mos harroni, për aq kohë sa ajo që po kërkoni është e mirë dhe e lejueshme, atëherë mos u turpëroni nga kërkesa juaj.

Në kategorinë e dytë shkruani të gjitha ato dua që lidhen me botën tjetër. Mendoni dhe reflektoni për duatë ndërkohë që i shkruani ato. Jini specifik nëse dëshironi dhe kini parasysh që Allahu mund t’ju japë çfaredolloj gjëje, madje edhe atë që shkon përtej imagjinatës suaj. Mos shkruani që thjesht doni Xhennetin, por që doni gradat më të larta të Xhennetit bashkë me familjen dhe të dashurit tuaj. Dua të tjera nën këtë seksion përfshijnë kërkimin e mbrojtjes nga zjarri, ndërhyrjen e Resulullahut (salallahu alejhi ëeallam), arshin e Allahut etj.

Kategoria e tretë është “të tjerët”. Ajo përfshin të gjitha duatë për familjen, miqtë, njerëzit që kanë kërkuar dua, të shtypurit dhe nevojtarët. Është gjithashtu një zakon i mirë të shkruani emrin e një personi sa herë që ai ju kërkon të bëni dua për të. Në këtë mënyrë, ju nuk thoni po dhe pastaj e harroni atë, por edhe tregoni kujdes ndaj personit duke u perpjekur të kujtoheni për t’u lutur për të.

Pastaj vjen “natyra shpirtërore”. Kjo ka të bëjë me zemrën tuaj. Pra istigfar, dhikër, kërkesë drejtuar Allahut për udhëzim, pastrim dhe qëndrueshmëri dhe 3 i’te siç quhen ndryshe – ihlas, istikam, ihsan.

E fundit “Superstars” ose “Superyjet”. Kjo kategori përfshin të shkruarit e 5 duave tuaja kryesore, mbase mund të merrni një nga secila kategori, ose të shkruani diçka që me të vërtetë dëshironi në atë pikë të jetës tuaj. Mund të jetë një ëndërr apo qëllim. Shkruajeni atë dhe pranë saj shkruani masat që po merrni për ta realizuar atë – dhe pastaj le të vërshojnë duatë!

Shfrytëzoni kohët kur duaja ka një probabilitet më të lartë për të marrë përgjigje gjatë këtij Ramazani.

– Pas teshehudit

– Në namaz nate (tehexhud)

– Pasi të keni marrë abdest

– Para çesljes se agjërimit

– Në çdo kohë ndërkohe që jeni agjerueshëm

– Kur bie shi

– Midis ezanit dhe ikametit

– Ora e fundit e ikindisë në ditë të Xhuma

Dhe kujtoni gjithmone që duaja është thelbi i adhurimit, është superfuqia juaj dhe arma më e fuqishme qe mbani, ndaj përdoreni atë.

“O robërit e mi! Sikur i pari dhe i fundit prej jush, sikur të gjithë njerëzit dhe xhindet te mblidheshin në një vend, të më luteshin e Une t’jua plotësoja dëshirat dhe lutjet secilit prej jush, prona ime do pakësohej aq sa pakësohet deti kur i hiqet një gjilpërë.” (hadith)

Perktheu:Risilda Hylviu

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.