“E vetmja gjë e re në botë është historia që nuk e njeh. (H.S. Truman)

Pa dyshim arti ka qenë dhe vazhdon të jetë një pjesë domethënëse e civilizimit njerëzor. Cdo kulturë dhe vend është e pamundur të mos ketë prezencën e artit, në cfarëdo forme të mundshme. Shoqëria nuk ka egzistuar pa shprehur mënyrën e jetësës së njërëzve nëpërmjet anës artistike.  Aleksander Nehamas thotë: “Nga gjërat që mund të pohojmë me siguri, është se askush nuk është kompetent të thotë se ku fillon arti, aq më tëpër ku mbaron ai”.

Krahas pikturës, muzikës dhe arkitekturës, mozaikët kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e perandorive më të mëdha në histori. Mozaiku është një formë arti dekorativ për të prodhuar imazhe zbukuruese mbi një sipërfaqe (dysheme, mur, tavan, et.) që realizohet nga kombinimi i ndryshëm përbërës të vegjël elementesh si copëza guri, xhami ose qeramike, të cilat ngjiten afër njëra-tjetrës. Mozaiku është një art i cili kërkon shumë kohë dhe punë dhe shpesh është shumë e kushtueshme. Por, nga ana tjetër është shumë më i qëndrueshëm në kohë sesa piktura, duke lejuar kështu dhe  realizimin e efekteve të dritës që janë të pamundura me media të tjera. Disa punime të suksheshme të mozaikëve ndër shekuj ruhet dhe ekspozohet në disa muze, ndër ta “Great Palace Mosaic Museum”(Stamboll, Turqi) dhe “Mus´ee du Bardo” (Tunis, Tunizi)

Mozaikët më të hershëm u aplikuan në veshjen e dyshemeve ose trotuareve, herë pas here edhe muret. Më vonë, tavanet gjithashtu u dekoruan. Fillimisht, mozaikët u përdorën rreptësisht në një kontekst arkitektonik. Më vonë, krijimi i mozaikëve të lëvizhme apo portretet u zhvilluan , si ikonat nga epoka e vonë e Bizantit. Mozaikët e parë që ne dimë ndodhen në Lindjen e Mesme. Kolonat e tempullit në Babiloninë së lashtë (Iraku i ditëve të sotme) kishin mijëra kone balte të vogla të shtypura në suva të lagësht në modele dekorative dhe gjeometrike.

Arti i mozaikut ka qenë i pranishëm dhe në territoret shiptare. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar pasuri të madhe mozaikësh në disa qytete si Shkodër, Durrës, Apoloni, Sarandë, Butrint etj. Mozaiku më i hershëm dhe më i shquar është Bukuroshja e Durrësit, e cila daton në shek. IV para Krishtit. Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit. Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe zë një sipërfaqe afro 9 metër katrorë. Si figurë qendrore ka kokën e një gruaje, të cilën e rrethojnë bisqe të mëdhenj me dredhëza, rrotëza, lule zambaku e lule kambane, që mbushin njëkohësisht të gjithë sipërfaqen e mozaikut. Mozaiku është mbiquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtreve ilirë që e krijuan atë. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe.

Mozaikët e kanë zanafillën në shtrimin e dyshemeve me gurë të bardhë e të zinj dhe në shek. III vijojnë me dyshemetë polikrome, të pasura me figura floreale e gjeometrike. Në këtë kohë hasim mozaikë me temë nga mitologjia. Në Apoloni është zbuluar një mozaik me skena nga lufta e amazonave. Shumica e mozaikëve të zbuluar në vendin tonë tregojnë se kanë qenë dysheme kishash, paraklisesh të krishtera ose dysheme pagëzimoresh.  Në shekujt e parë të krishterimit vërejmë se nga gurët e zallit u kalua në kubikë të prerë prej mermeri, balte të pjekur e qelqi. Arti i mozaikut në Shqipëri arriti kulmin e tij gjatë viteve të sundimit të perandorit Justinian, në shek. V-VI. Disa nga mozaiket më të shquar mund të përmendim; bazilika e Tepesë në Elbasan, mozaiku i Shën Joanit në Tiranë, mozaiku pranë trapezerisë së manastirit të Shën Mërisë në Apoloni, mozaiku i Antigonesë në Gjirokastër, mozaiku i Linit në Pogradec.

Mozaiku, kjo formë elegante e artit është vërtetuar të jetë e gjithanshme dhe e qëndrueshme duke mbijetuar për mijëra vjet. Për shkak të eleganës dhe shkëlqimit që shpërfaq ai aplikohet edhe sot në nderrtesa të ndryshme, edhe në forma moderne.

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

Latest posts by Brunilda Basha (see all)

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.