Se arsimimi i vazhdueshëm ia vlen, nuk ka asnjë dyshim. Këtë e konfirmon edhe historia e një gruaje nga Dearborn, SHBA.

Najat Machiche është një grua e martuar, nënë e tetë fëmijëve, e cila punon me orar të plotë dhe… sapo ka mbaruar studimet në inxhinieri në Universitetin Shtetëror të Wayne.

Ajo po merret si shembull jo vetëm në komunitetin e saj, por edhe brenda qarqeve të universitetit që sapo i doli në krye.

“Unë shkoj  në punë, i dërgoj fëmijët në shkollë, shkoj në palestër, dal në natyrë me fëmijët, i dërgoj ata në aktivitete, dhe gjithmonë gatuaj,” thotë Najat për mediumin amerikan ABC News.

Dita e saj e zakonshme duket mjaft e ngarkuar për një familjare, por kur shtohet edhe ngarkesa e studimeve në një drejtim inxhinierie, nisin “dyshimet” nëse kjo është e mundur.

Najat ishte re kur nisi studimet, por i ndërpreu menjëherë, pasi u takua me bashkëshortin e saj në vitin 1999, dhe gjatë martesës së tyre erdhën në jetë 8 fëmijët, nga 17 deri 8 vjeç sa janë tani.

Ajo tregon se si iu mbush mendja të niste rishtazi rrugën për në karrierë.

“Babai im erdhi nga Maroku për vizitë, dhe unë shkoja në punë, plus merresha me familjen. Ai më pyeti me shumë seriozitet: ‘ku e ke diplomën’”?

“Kjo më bëri që të kthehem nga fillimi në universitet, për ta përmbushur ëndrrën që e kisha harruar.”

“Të gjithë kishin dyshime nëse mund t’ia dilja,” tregon ajo.

Pasi kishte dalë shumë mirë me testimin, asaj iu ofrua bursë, të cilën e refuzoi pasi nuk mund t’i ndiqte rregullisht ligjëratat. Kështu, ajo shfrytëzonte kohën e lirë për të studiuar, dhe doli me rezultate maksimale.

Sa për të mos mjaftuar sfidat e derikëtushme, Najad tregon se gjuha angleze ishte gjuhë terciare për të.

Por të gjithë u mahnitën me rezultatet.

Profesorët universitar që ndoqën ecurinë e studimeve ishin të habitur nga vullneti dhe arritjet në provime.

Por ka edhe pak. Najat do të rikthehet në Universitetin Shtetëror të Wayne për të vazhduar me magjistraturën.

Zonja 43 vjeçare si për shaka thotë se e ka bërë këtë për t’iu treguar 6 vajzave dhe 2 djemve të saj se çdo gjë është e mundur.

Ajo jep këtë këshillë për të gjithë: “Bëni çfarë duhet bërë. Çdo grua mund t’ia arrijë. Çdo vajzë mund t’ia dalë. Nëse ia dola unë me tetë fëmijë, mund t’ia dalësh edhe ti.”

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.