Nga Hajrije Emini Sinani, Psikologe

Dhe ja ku po takohemi përsëri edhe këtë Ramazan, të shëndetshëm e plot vullnet për një rrugëtim të ri mujor drejt prehjes shpirtërore sepse deshi Zoti të jemi në grupin e të përzgjedhurve të Tij për ta përjetuar edhe një vit tjetër agjërimin, e sa me fat jemi!

Sa shumë mall për ata që ishin e më nuk janë në tryezat e ngrohta të lutjeve të sinqerta pranë sofrës së iftarit dhe Ramazani që lamë pas mbeti përjetimi i tyre i fundit i kësaj jete, kështu ata ikën duke na lënë ne në vendin e tyre me duart lartë të lutemi për ta…
Por, ne nuk e humbim shpresën kurrë për t’u takuar me ta nën stolitë e sofrave të xheneteve pranë të mirëve dhe bujarëve.

Kurse ne që ecim ende pa ndalur në rrugët e jetës, një Ramazan tjetër nënkupton një shans, një pendim, një lutje, një falje dhe, mbi të gjitha, shumë shpresë për botën, familjen dhe për ne. Shpresë për t’u afruar më shumë me Krijuesin, për ta ndjerë prezencën e Tij madhështore në bërthamën e qenies sonë dhe për ta kuptuar edhe njëherë se ne nuk jemi as zotëruesit e vetes!

Dinamizmi i jetës po na tërheq permanent me fuqinë e gravitetin e tij, e gradualisht na përthith deri sa ne shkrihemi brenda sistemit rutinë të tij duke na pafuqizuar për të bërë diçka të lirë jashtë kornizës së hartuar robotike. Kjo rutinë na merr gjënë më të çmuar të jetës, kohën tonë. Kjo rutinë na ka shndërruar jetën në monotoni duke e bërë gjithnjë e më shumë të njëjtën gjë, në ambientin e njëjtë, në të njëjtën orë dhe për çdo ditë. Përpiqemi aq shumë për t’i mbijetuar këtij presioni të kohës dhe prapë se prapë të humbur jemi, sepse kurrë nuk po e arrijmë maksimumin e dëshiruar dhe zhgënjehemi, dëshpërohemi, frustrohemi, shajmë dhe derdhim mllef mbi jetën, e kjo, thellë-thellë e dalë ngadalë, na e zbraz shpirtin duke na ngjallur egon. Sikur e gjithë kjo mos mjaftonte, tani përballemi edhe me këtë pandemi qe po luan me psikikën tonë duke na ngjallë shpresë kur duket sikur po ik dhe përfundoi, e në çast bën një kundërvajtje duke u kthyer edhe më fuqishëm, duke na kërcënuar edhe më fort dhe kështu vjedh lirinë e dashur bashkë me stilin e lirë të jetës.

Këtë përditshmëri që po na mbyt shpirtin arrin ta thyejë vetëm një gjë. Vetëm ajo mund ta zbusë nivelin e materializmit të pangopshëm dhe rivalitetit të fshehtë mes miqve “të ngushtë”, e konkurrencës mes armiqve të përbetuar. Garë dëshpëruese që të plogështon të jetuarit.

Andaj, duhet të ngremë shpirtin dhe po e ngritëm atë jemi të lartësuar dhe falënderues. Një stad me tutje nënkupton një të kuptuar më të thellë, një introspeksion, një progres dhe një vëzhgim më të saktë mbi dukuritë.

Sensi i jetës varet nga ngopja e shpirtit. E kush mund të na ushqejë shpirtin më shumë se shfrytëzimi i duhur i të bekuarit Ramazan! Dhe si mund të ushqehemi shëndetshëm nëse dieta jonë nuk ka vitamina? Shumë nga ne kur dëgjojmë mësime dhe këshilla fetare e shohim veten si të përkryer dhe kritikat ua adresojmë të tjerëve, tek ata që nuk i kemi shumë për qejfi. Nëse ne vazhdojmë me këtë avaz bosh kemi për të ngelë si një ibrik antik i mbuluar nga pluhuri i së shkuarës që nuk e trazon njeri, edhe pse jemi në Ramazan, sepse Ramazani është mundësia jonë më e mirë e ndryshimit por zgjedhjen e të ndryshuarit e vendosim ne. Mënyra më e mirë për të filluar të ushqyerit e shëndetshëm është ndezja e motorit të mendjes për t’i parë gjërat nga disa perspektiva dhe si fillim të reflektojmë për çdo mësim që dëgjojmë duke e testuar fillimisht atë me veten e jo me të tjerët. Konkurrenti më i madh i vetes është vetvetja. Të garojmë vetëm me veten për përmirësimin e madh të vetes! Të mundohemi për më të mirën tonë duke e përjetuar çdo moment të këtij muaji, duke u bërë të sinqertë në besimin tonë dhe në atë që themi, duke u bërë praktikant të sinqertë në urdhrat e Zotit, duke ia shtrirë dorën atij që ka nevojë për ndihmë dhe mos nënçmojmë të ngratin që e donë Zoti, duke mos e përfolur atë qe s’po e arrijmë dot dhe atë që punon pa ndalur për sukseset e tija, të jemi në dyluftim vetëm me nefsin tonë për të stimuluar gjithnjë e më shumë maksimumin e mirësisë që kemi përbrenda, larg çdo intrige, dashakeqësie, urrejtjeje dhe mllefi.

Të bëhemi të sinqertët e fjalës dhe veprës sepse sinqeriteti i fjalës dhe veprës peshon rëndë, të siguron dinjitetin në këtë botë dhe të bën nga më të dashurit në botën tjetër. Dhe, po dolëm ndryshe nga çdo Ramazan në çdo vit, ne përfitojmë diçka të re, një virtyt, një bekim mirësie dhe një zemërgjerësi që do i bashkëngjitet përditshmërisë sonë për të mos iu ndarë më kurrë, e deri në fund të jetës të bëhemi nga ata që reflektojnë permanent mbi veten dhe rrezatojnë mirësi tek tjerët!

Historia islame na jep modele shembullore që duhet ndjekur. Edhe pse këto modele janë rëndë të arritshëm, megjithatë ajo që preferoj më shumë është të përpiqemi pa ndalur për t’u bërë vetë shembulli më i mirë në gërshetim me modelet tjera dhe ne kemi mundësi për ta bërë këtë sepse ende frymojmë dhe kemi forcë të madhe shpirtërore për t’i mbijetuar kësaj bote të shthurur duke mbajtur qëndrueshmërinë e besimit dhe praktikës.

Çdo kush ka mundësi ta paraqesë besimin, sinqeritetin, besnikërinë dhe dashamirësinë në mënyrën e vetë ashtu siç ky muaj dëshiron të na shohë, çdo herë nur mbi nur.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.