A worker in protective suit disinfects St. Stefan Bulgarian Orthodox Church in Istanbul,Turkey March 17, 2020. REUTERS/Umit Bektas

Nga Arijana Ibrahimi

Një ndër citatet që vijnë nga fjalët e bukura, fjalët të cilat përmbajnë shumë mesazhe dhe porosi hyjnore për mbarë njerëzimin, pra fjalët e Profetit Muhammed (paqja e Zotit qoftë mbi Të) ku mes tjerash thotë: ‘’ ..dhe shfrytëzojeni shëndetin tuaj para sëmundjes”.

Kjo shumë qartë na tregon që feja e bukur Islame, që moti ka folur mbi rëndësinë edhe vlerën që ka shëndeti në jetën e një individi.

“Vetëm me shëndet njeriu mund ta kuptojë kënaqësinë e vërtetë të jetës”, kjo është një frazë që e kemi degjuar shpesh kohën e fundit, pra kohën në të cilën gjendet e gjithë bota dhe mbarë njerëzimi, pra në këtë kohë të pandemisë.

Pra, pikërsht në këtë kohë, kemi kuptuar që asgjë në jetë nuk ka vlerë nëse neve na mungon shëndeti, kuptuam që as fama e autoriteti s’kanë vlerë, as gjendja materiale, as pasuria, asgjë nuk është përpara të shtrenjtit shëndet.

Një ndër masat e rekomanduara sot nga autoritetet e shndetësisë në botë është pikërisht kujdesi në higjienën trupore, pastërtia, larja e duarve.

Një ndër faktorët e parandalimit të sëmundjeve të ndryshme, dhe mbrojtjes së shëndetit, është pikërisht pastërtia.  Poashtu, një nga veçoritë kryesore të Islamit është pastërtia, nga e cila buron forca në trup, shëndeti dhe gjallëria.

Mes tjerash, në Librin Hyjnor, Kur’anin Famëlartë thuhet:

‘’…dhe ata që duan të pastrohen.” (Bekare:222).

Kjo flet shumë qartë gjithashtu që Islami i ka dhënë rëndësi pastërtisë dhe higjienës trupore përmes ritualit të abdestit. Tregohet se në atë kohë një jo besimtarë në momentin që pranoi Islamin tha:  “Edhe sikur të mos kishte në Islam asgjë tjetër veç rëndësisë që i kushtohet pastërtisë, ajo do t’i mjaftonte”.

Dobitë e shumta që sjell pastërtia në organizëm janë të shumta, e ndër to mund të përmendim: parandalimin e transmetimit të shumë sëmundjeve virale që kalojnë nëpërmjet ndotjes së duarve; aktivizimin e qarkullimit të gjakut dhe e gjallërimit të trupit, dhe të gjitha këto ndërlidhen me ritualin e pastërtisë që në fenë Islame njihet si abdes.

Kjo fe e madhe, ka dhënë udhëzime dhe këshilla gati për të gjitha aspektet e higjienës individuale dhe shoqërore si edhe për ambientin jetësor, prandaj ka kërkuar edhe nga besimtarët që të mos kursejnë asgjë në ruajtjen e shëndetit.

Tani kur vetë shkenca e mjekësisë dhe vetë autoritetet mjekësore bëjnë thirrje për distancim fizik për mos perhapjen dhe transmitimin e sëmundjes virale, feja Islame ka folur poshatu për këtë dukuri duke thënë që ai i cili nuk ruan shëndetin e tij dhe bëhet shkak për përhapjen e sëmundjes te shoqëruesit afër tij ka kryer mëkat sikur të kishte mbytur të gjithë njerëzimin.

Edhe atëherë kanë ekzistuar epidemitë, sepse gjithashtu Profeti Muhammed (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:

‘’Nëse dëgjoni që në një vend ka shpërthim të murtajës, mos shkoni në atë vend, dhe nëse murtaja shpërthen në një vend përderisa ju jeni në të, mos e lini atë vend”.

Gjithashtu një element tjetër që vlen të theksohet është roli që ka imuniteti i organizmit në luftimin e sëmundjeve të ndryshme, e konkretisht sëmundjes së shkaktuar nga virusi Korona.

Për të pasur një imunitet të fortë, sigurisht që duhet të ushqehemi shëndetshëm, duhet të ushqehemi me ushqime natyrore dhe ato ushqime që i bejnë mirë organizmit tonë, me qëllim që të luftohet sëmundja.

Gjithashtu, një ndër faktorët që ndihmon në paraqitjen e sëmundjes së organeve të frymarrjes është edhe pirja e duhanit, sepse dëmton qelizat në mushkri. Për këtë ka folur feja Islame, madje dijetarët islam, kanë thënë që cdo gjë që e dëmton organizmin tuaj, duhet ta eliminoni atë sepse është i ndaluar në fe.

Poashtu edhe agjërimi, për një kohë të caktuar, mundëson një shëndet të mirë për çdo organ në trupin tonë, sepse gjatë agjerimit ne kemi nje zemër që pompon gjak në rregull, një qarkullim gjaku më të përmirësuar, një lukth që pushon me peristaltikën e tij për një kohë të caktuar, një frymarrje më të çliruar, dhe gjithashtu nje psiqik më të kthjellet. Dhe kështu ne përmes agjeirmit dhe arrijmë kënaqësinë e Krijuesit duke dërguar në vend urdhërin hyjnor;’’ Agjëro” por edhe kemi një organizëm dhe trup të shëndetshëm.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.