Të kuptuarit e artit Islam, lidhet drejtpërsëdrejti me të kuptuarit e mesazhit të fesë si dhe me përdorimin estetik të elementeve të ndryshëm të cilat i shërbejnë atij qëllimi Hyjnor. Nëpërmjet punimeve të mjeshtrave dhe artistëve muslimanë, përgjatë gjithë kohës që kur Islami u shpall si fe, u shfaqën edhe forma të ndryshme të estetikës Islame si arabeskët, kaligrafia, floralet, format gjeometrike, e shumë element të tjerë. Të gjitha këto forma arti synonin të përconin filozofinë e besimit, botëkuptimin e jetës dhe mendimit racional të krijimit, madje jo rrallë herë duke shërbyer si katalizator për të shtyrë njeriun në introspeksionin shpirtëror mbi kuptimin  dhe lidhjen e Krijues- Krijim.

Për 13 shekuj, dekorimi ka qenë një element lidhës ndërmjet ndërtesave dhe objekteve nga e gjithë bota islamike – nga Spanja në Kinë, nga Turqia në Indonezi. Dalu Jones në esenë e tij mbi “Elementet Dekorative: Sipërfaqja, modeli dhe drita” shprehet se Arti Islam duhet të konsiderohet në tërësinë e tij, sepse cdo ndërtesë dhe objekt mishëron deri diku parime identike, ndonëse arti tek cdo ndërtesë ndryshon në stil, ide, forma apo tek dizajni duke patur secila individualitetin e saj. Zbukurimet apo dekorimet vizuale përvec mureve dhe tavaneve janë të pranishme edhe tek qilimat, jastekët, enët, mobiljet, e më tej. Është Interesante se pavarësisht pozitës gjeografike, qoftë Xhamia e Kordobës apo shkollat e Samarkandit, e njëjta dritë dhe i njëjti art islam shkëlqen në cdo vepër arti.

Unitetit te universit ne dizajnin e mandalës.

Kjo falë një parimi kryesor të artit islam, atij të Unitetit.  Ky është dhe koncepti primar i atij arti sic edhe pohohet nga studiues të shumtë të cilët kanë eksploruar artin islam. E gjitha nis nga “teuhidi”-Njeshmëria. Parimi kryesor i Islamit është Njëshmëria e Zotit dhe adhurimi vetëm i Tij. Njeriu nga vetë natyra e tij, shpesh kërkon për një qoshkë, vend apo ndërtesë për t’u vetmuar, lutur dhe falur Zotit, ndaj përfaqësimi fizik i këtij ambjenti është shumë i rëndësishëm dhe esencial.  Ky lloj uniteti pastaj aplikohet në cdo formë arti, si për të reflektuar edhe unitetin e kozmosit, e botës që na rrethon. Cdo formë apo figurë nëse e shohim në prespektivën e kuptimit simbolik reflekton një vlerë dhe parim brenda kornizës së harmonisë Universale.

Elementi estetik i cili zgjerohet në të katërta drejtimet

Një koncept tjetër mjaft i rëndësishëm është ai i Përjetësisë, që lidhet me Pafundësinë e Zotit. Elementet e artit të cilat nisin nga një pikë duke u zgjeruar në të gjitha drejtimet të ftojnë në meditim, reflektim e mahnitje.  Platoni thotë: “Bukuria është shkëlqimi i së vërtetës” dhe në Islam, e bukura është mjaft objektive pasi shpreh të vërtetën e pandryshueshme, atë Hyjnoren. Ky parim sic shprehet dhe Oleg Grabar e pajis vëzhguesin e tij me një liri të konsiderueshme. Ai mund të zgjedhë këndvështrimin dhe cilin kënd të dojë për ta vështruar atë model, ashtu sikurse mund të humbasë nëpër detajet. Ai mund të zgjedhë një motiv të vetëm dhe ta ndjekë atë në një trekëndësh ose të shqyrtojë ndryshimet e tij në një duzinë trekëndëshash. Ai mund të kërkojë për modele përbërëse ose për efekte të dritës dhe hijes.

Dome interior of Shaykh Lutfollah Mosque

Në besimin Islam, nuk lejohet që lutjet apo adhurimet të kryhen duke ju drejtuar statujave, figurave apo cdo qenie tjetër vec Zotit. Njëkohësisht vizatimet e fytyrave të kafshëve apo njerëzve janë të ndaluara, ndaj koncepti i abstraksionit ishte një mënyrë kreative e shpërfaqjes së ndjenjave të brendshme të artistëve dhe arkitektëve musliman.

Dy parimet  tjera janë:  Ritmi  dhe Simetria.  Sipas Etikan,S. dekorimet përfshijnë shumë forma të rregullta të përsëritura në ritëm të rregullt.Ndonëse nuk vizatojnë konturet ato janë  të vendosura brenda rretheve të cilat kthehen në poligone. Në pikëprerjet e atyre formave krijohen gjithashtu motive me më shumë rrathë dhe poligone të tjerë.  Simetria është po ashtu një element mjaft I pranishëm në ndërtesa të shumta. Kjo ishte e pranishme sin ë fasadat, apo planimetritë arkitekturore ashtu edhe në dekorimet. Psh mund të përmendim simetrinë e shkollës Al-Mustansiriya në Irak, apo zbukurimet florale të palaltit Alhambra.

Shkolla Al-Mustansiriya në Irak

Sic edhe u përmend më sipër, Arti islam dhe Arkitektura Islame është krijuar në bazë të harmonive thelbësore të natyrës së bashku me kuptime të ndryshme simbolike dhe teori të përmasave të përsosura. Modelet e përsëritura janë simbol i idesë së pafund dhe pa kohë, pafundësisht të zgjerueshme; simbol nga dimensioni i brendshëm i Islamit mbi rëndësinë e unitetit.  Në varësi të kësaj artistët musliman zhvilluan disa teknika dhe elemente dekorimi të cilat pasqyronin mesazhin dhe frymën universal të atij besimi. Qëllimi i cdo elementi estetik ishte në shërbim të lidhjes midis Krijusit, mjedisit dhe Njeriut. Ndër elementet dhe format tradicionale të dekorimit dhe zbukurimit Islam mund të listojmë: Gjeometrinë, Kaligrafinë, floralet (motivet bimore), arabesk-et, mukarnas-et, figurat, drita dhe uji.

Detaje nga pallati i Alhambrës.

 

Brunilda Basha

Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.
Brunilda Basha

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.