RF: Nada, ke zgjedhur të prezantohesh në këtë intervistë si aktiviste dhe jo si gazetare…

Nada: Zgjodha termin aktiviste pasi mendoj se më përfaqëson më shumë. Si gazetare kam punuar vetëm një vit dhe tashmë jam në fund të studimeve të mija Master në degën e Gazetarisë. Momentalisht jam duke shkruajtur tezen mbrojtëse. Kam plot eksperienca të tjera në fushën e gazetarisë si trajnime, kurse dhe një numër artikujsh të publikuara vetëm për audiencën shqiptare.

Mirëpo, aktivizmin kam gjithë jetën që e bëj.Që nga fillorja kam qenë fëmijë aktiv në nisma vullnetare dhe aktivitete jashtëshkollore. Ndërkohë, eksperiencën time të parë në fushën e aktivizmit shoqëror e kam fituar gjatë një perjudhe tre vjeçare si vullnetare fillimisht në shoqatën kulturore “Ardhmëria” e njëkohësisht edhe tek qendra “Emtec” (ose ndryshe Shtëpia e Vajzave në Qytet Studenti”, te instituti AIITC etj. Njëkohësisht jam munduar të jem aktive edhe në shoqata të trevave, kryesisht të Kosovës dhe Maqedonisë.

Kam frekuentuar shoqata të ndryshme pavarsisht politikave të tyre të brendshme, kritereve apo grupit të cilit i përkisnin. Nuk kam pasur asnjë paragjykimi ndaj asnjërës prej shoqatave por jam munduar të marr më të mirën dhe të jepja sa më shumë të mundesha.

RF: Po pas zhvendosjes në Turqi si ka vazhduar aktivizmi yt?

Nada: Pas transferimit në Turqi u “punësova” si vullnetare e rregullt në dy shoqata njëkohësisht: njëra me aktivitet vendas, tjetra ndërkombëtare. Puna ime si vullnetare ka qenë kryesisht në ideimin dhe drejtimin e projekteve, mentore vullnetarësh të rinjë, përfaqësuese e shoqatës në aktivitete jashtë vendit etj.

RF: Nga të lindi dëshira për t’u marrë me aktivizëm dhe përse vazhdon ta bësh? 

Nada: Nga natyra ime gjithmonë duke i parë gjërat me kriticizëm kuptova se të kritikosh pa reaguar është e kotë. Që kur e kam pas lexuar për herë të parë më ka pas mbetur në mendje kjo thënie:

“Ka të drejtë për të kritikuar / Kush ka një zemër për të ndihmuar”  – Abraham Lincoln

Gjithashtu kam qenë gjithmonë tip që nuk kam ditur t’i them kurrë jo kërkesës së dikujt për ndihmë. Mirëpo në shumë raste më ndodhte që të tjerët abuzonin nga zemërgjërsia ime, ose duke mos ditur të menaxhoja prioritetet (duke lënë gjërat parësore për veten në ndihmë të dikujt tjetër)  si dhe duke parë se përpjekjet për ndihmë ishin të dështuara, sidomos kur personi tregohej mosmirnjohës ose në të shumtën e rasteve hiqte vetë dorë nga ajo për të cilën kishte kërkuar ndihmë. Kështu, gjeta tek aktivizmi një formë të organizuar të vullnetarizmit. Kuptova se cila ishte kauza ime, sa dhe ku mund të kontribuoja si dhe gjeta persona të frymëzuar për të mbështetur të njëjtën kauzë.

Vazhdoj ta bëj sepse e ndjej si përgjegjësi si besimtare muslimane. Thënia profetike e cila ka qenë gjithmonë një frymëzim dhe nxitje për mua tregon se si njeriu me besimin më të dobët rrin pa reaguar por mjaftohet me urrjetjen e të keqes, dhe ajo është: “Nëse shikon diçka të keqe ndryshoje atë me dorën tënde, e nëse nuk mundesh me gjuhën tënde e nëse nuk mundesh urreje me zemrën tënde dhe kjo është grada më e dobët e besimit”.

RF: Dhe cila ishte kauza jote?

Nada: Pasi mbarova klasën e tetë vendosa të mbulohesha, mirëpo kjo jo vetëm që nuk u prit mirë as nga familja as nga rrethi shoqëror por kam kaluar sprova, sfida dhe peripeci të ndryshme. Këto ekperienca, në një farë mënyre traumatike lanë shenjë në jetën time si adoleshente në atë kohë dhe kushtëzuan gjithë të ardhmen time. Sot kauza ime është mbrojtja e të drejtave të femrave muslimane, ngritja e imazhit të tyre dhe integrimi në jetën shoqërore.

Disa mund të thonë se mbulesa fetare është një obligim hyjnor dhe femra muslimane nuk nevojë të integrohet në shoqëri apo t’u tregojë pjesës tjetër të shoqërisë se atë e ka ngritur Zoti ne grada edhe më të larta. Jam shumë dakort me këtë thënie, por gjithashtu mendoj se në shoqërinë ku jetojmë, plot paragjykime dhe diskriminime, në një shoqëri islanofobe dhe e cila gjykon nga paraqitja dhe jo nga përmbajtja jemi të detyruar t’u tregojmë njerëzve se kush nuk jemi. Jemi të detyruar t’u tregojmë të tjerëve se kush në të vërtetë jemi para se ta bëj dikush para nesh, siç dhe rëndomtë po ndodh nga persona me ndikim apo nga njerëz të rëndomtë rrugëve të kryeqytetit.

Kauza ime ka qenë dhe është që unë, si muslimane me mbulesë, të çajë në jetë, të hap dyer të reja vetes dhe t’i lë ato të hapura për të tjerat pas meje.

RF: A ke pasur shembuj frymëzues, mund të na përmendësh dikë?

Nada: Shembuj femrash frymëzuese mund të hasim çdo ditë në përditshmërinë tonë, mjafton të jemi të kujdesshme në vëzhgim. Por megjihtatë dëshiroj të veçoj këtu, në radhë të parë shembuj muslimanesh shqiptare nga ato që unë i quaj brezi i parë. Për mua kanë qenë frymëzuese në shumë aspekte, disa i kam njohur nga afër dhe disa jo, por megjithatë kanë ndikuar në krijimin e një imazhi të femrës muslimane që unë doja të bëhesha.

Ndër shembujt e muslimaneve të huaja mund të përmend Tauakkul Karman (jemenase) si aktiviste, Dzevada Susko (boshnjake) në fushën akademike, Zehra Göçkün Adilovic (turke) në fushën e gazetarisë, Sonya Emilova (bullgare) në mëmësi.

RF: Mund të na e sqarosh më shumë këtë të fundit?

unnamed (34)
Në foto: Nada me të birin Ensarin kur sapo i kishte 6 muaj.

Nada: Po,  atë e kam takuar për herë të parë në një kamp për studentet e Ballkanit teksa ligjëronte dhe djali i saj lodronte nëpër sallë. Kjo skenë më ka mbetur në mendje dhe ja vura qëllim vetes që dhe unë do e vazhdoja aktivizmin edhe nëse një ditë do të bëhesha nënë. Sonya më ka frymëzuar sepse është një nënë e përkushtuar dhe aktiviste e palodhshme. Nuk ka aktivitet apo udhëtim që mos ta marri fëmijën me vete. Të njëjtë kam vepruar dhe unë vite më pas dhe kam gjetur shumë përfitime siforcimi i lidhjes nënë-fëmijë, zhvillimi i fëmijës i rritur në një ambient me diversitet dhe me dije, si dhe dhënia e një shembulli frymëzues për dikë tjetër ashtu siç unë u frymëzova nga Sonya.

Jo të gjithë e bëjnë këtë. Shumë nëna preferojnë të zgjedhin rrugët më të shkurtra dhe më të rehatshme: si të qëndruarit në shtëpi duke hequr dorë nga mundësitë që ju ofrohen përditë ose e kundërta të përfitojnë nga mundësitë duke hequr dorë nga përkujdesja për fëmijën. Nuk paragjykoj asnjërën nga të dyja palët, por thjesht dua të them se kërkon një sakrificë dhe mund të madh dhe e gjitha për t’i mundësuar fëmijës një shembull për të ardhmen dhe një ardhmëri sa më të mirë.

RF: Dëshiron të na flasësh pak më shumë për të jetuarit në Turqi?

Nada: Në Turqi kam ardhur në vitin 2012, pra po bën më shumë se katër vjet që jam këtu dhe eksperiencën time në këtë vend do e kisha përshkruar si mundësia më e mirë që më është dhënë. Kjo për shkak të njohjes me shumë njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme, mundësia për të marrë dije dhe eksperiencë në karrierë. Mirëpo, nga ana tjetër këto dy vitet e fundit, sidomos pas shpërthimeve të sulmeve terroriste nëpër Turqi, kriza siriane dhe pasoja e këtyrë në politikën dhe në ekonominë vendase ka ndikuar shumë edhe te ne studentët e huaj. Gjërat kanë ndryshuar thuajse me 100 për qind. Pas grusht shtetit situata në Turqi është shumë e tensionuar. Vendi po kalon një gjendje të jashtëzakonshme që mund ta përjetosh vetëm duke qenë pjesë e këtij realiteti.

RF: Të pëlqen të udhëtosh?

Nada: Në fakt jo dhe aq shumë. Udhëtoj shpesh por nuk më pëlqen procesi i udhëtimit sepse vuaj nga rruga. Nuk e mohoj që më pëlqen të vizitoj vende të reja, të njoh kultura të reja, të provoj shije dhe aroma të reja. Porudhëtimin më shumë e kam parë si domosdoshmëri. Një mundësi për të krijuar lidhje të reja, për të hapur mendjen dhe për të luftuar paragjykimet. Mbi të gjitha, për të njohur veten më mirë: për të parë se ku jam dhe ku du duhet të jem. Mbaj mend herën e parë kur kam udhëtuar jashtë vendit. Ka qenë përmes një këmbimi studentor organizuar nga shkolla për një kurs me kredite. Më kujtohet që isha shumë paragjykuese ndaj shumë fenomeneve dhe kulturave si dhe kur diçka më shqetësonte flisja duke ndërprerë të tjerët dhe nuk kisha durim t’i dëgjoja deri në fund.

RF: Si e shikon veten pas 5 vjetësh?

Nada: Shpresoj që të kem realizuar ëndrrën për të bërë doktoraturën prej të cilës hoqa dorë në momentin kur mora vesh për ardhjen e tim biri. Doktoratura kërkon angazhim, punë sistematike dhe shumë vite lexim dhe kërkime. Shpresoj gjithashtu që deri atëherë të kem hedhur bazat për të realizuar projektin tim për të themeluar një organizatë dedikuar femrës muslimane në Shqipëri për të kontribuar sadopak për kauzën time. Ajo që unë kam në plan nuk është lloji i shoqatës së zakonshme specializuar në fushën e bamirësisë por diçka më konkrete në fushën e advokimit/mbrojtjes dhe reagimit.  Për momentin po punoj për të shtuar eksperiencat e mia në këtë fushë dhe për të krijuar rrjetëzim dhe mbështetje.

RF: Çfarë këshille u jep vajzave tjera në lidhje me aktivizmit?

Nada: Përkrahni njëra-tjetrën në kauzat tuaja të përditshme, promovoni përpjekjet e secilës prej jush dhe kur të gjeni një derë të hapur, mundohuni ta hapni një edhe për të tjerat. Nëse bashkëpunojmë mes nesh mund ta arrijmë shumë në dashtë Zoti. Nuk ka gjë më të dhimbshme se kur një femër has pengesa dhe vështirësi nga femrat e tjera.  Ndajini historitë tuaja!  Keni plot mundësi dhe platforma për ta bërë këtë. Duke ndarë historitë tuaja mund të bëheni frymëzuese edhe për të tjerat.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.