Këto ditë e përfundova tezën time të diplomës rreth paraqitjes së ciklit menstrual në media dhe shoqëri – një temë vërtetë tabu. Aq tabu, në fakt, sa universiteti im gjerman jo vetëm që rrefuzoi të më ndihmonte, por në mënyrë të vazhdueshme më dekurajonte të mos e zgjedhja këtë temë gjatë kërkimit tim për mentor. (Më thanë që asnjëherë s’do të mund të gjeja një profesor që do ta miratonte këtë temë. Më thanë që nuk ka bazë shkencore për këtë temë dhe arsyeja për këtë: është temë tabu.)

Tani që me sukses e kam përfunduar punimin tim dhe e kam mbrojtur para një paneli profesorësh në prezantimin tim final, të gjithë të përfshirët e panë rëndësinë e kësaj teme duke qenë se injoranca rreth ciklit menstrual ka pasoja të gjëra për mjedisin, ekonominë dhe barazinë finansiare dhe gjinore.

Nuk po përpiqem t’ju bind të bëni “party” për ta festuar ciklin. Veç dua që njerëzit të jenë të vetëdijshëm për disa fakte të rëndësishme: Gjysma e popullsisë së botës humb afërsisht disa qindra mililitra gjak çdo muaj. Megjithëse ky proces është jetik për origjinën e çdo njeriu, gratë me cikël kanë qenë rëndë të diskriminuara në tekstet religjioze dhe madje edhe në konsensusin shkencor mjeksor deri në mes të shekullit XX. Konotacioni i grave me cikël nxit imazhe të përbindëshave helmues, djallit, mangësive psikologjike, dhe në të shumtën e rasteve grate me cikël janë paraqitur si të papastra dhe inferiore.
Sigurisht, mund të thoni se si shoqëri i kemi lënë pas këto botëkuptime ekstreme, por në fakt ky qëndrim akoma e shfaqë veten në mënyra më delikate. Sot gratë akoma stigmatizohen dhe portretizohen si histerike, tepër emocionale, dhe të paafta për të marrë vendime të qarta. Për pasojë, gratë e vajzat turpërohen dhe nuk ndihen rehat; i pëshpërisin njëra-tjetrës si kriminele kur kanë nevojë për një tampon për shkak të “dobësisë biologjike” të tyre, dhe nuk merren seriozisht kur kanë çrregullime që kanë të bëjnë me ciklin e tyre.

Në të gjithë botën, çdo ditë, gratë e vajzat humbasin nga jeta shoqërore, shkolla dhe puna, dhe nuk kanë qasje në produkte sanitare, apo përjashtohen nga shoqëria për mungesë të edukimit dhe deklarohen si të papastërta dhe inferiore. Në Indi, 20% e vajzave e lënë shkollën sapo fillojnë të kenë ciklin menstrual. Në shume vende, grave u ndalohet të dalin nga shtëpia gjatë kohës që janë me cikël, për shkak të frikës se bartin sëmundje, e mund të përhapin të tilla si kanceri e të tjera. Në Gjermani, gjysma e grave thonë se nuk ndihen rehat në rrethana shoqërore gjatë kësaj periudhe të muajit. 16% e tyre kanë rrëfyer se kanë munguar në shkollë, punë ose aktivitete tjera sepse kanë pasur frikë se të tjerët mund ta vërejnë se janë me cikël. Në fakt, stigma shoqërore është aq e fuqishme sa gratë zgjedhin të izolohen nga shoqëria përgjatë ciklit të tyre.

Shumë gra turpërohen kur blejnë vata (në Gjermani, ky numër raportohet të jetë 1 në 5 gra) dhe mbi të gjitha, kjo u kushton shumë atyre! Vatat tatimohen rëndë thuajse çdokund. Në Gjermani, ato tatimohen 19%, që është vlera më e lartë e mundëshme për produktet e përgjithshme (më e lartë se taksa për gjëra plotësisht të parëndësishme si salmoni, kaviari apo lulet). Nëse pyesni veten kush do të vendoste një rregull të këtillë? Nuk ju duhet shumë për ta kuptuar: njerëzit që nuk kanë cikël.

Kjo do të thotë se gjatë gjithë jetës, një grua paguan rreth 9000 eur për produkte sanitare (duke përfshirë më shumë se 1600 në taksa). Kjo e përforcon pabarazinë gjinore dhe ekonomike, aty ku veçmë ka dallim mes gjinive në pagë, dhe mbi të gjitha, grave u kërkohet të bëjnë shpenzime shtesë çdo muaj për nevojat e tyre thelbësore.

Për fat të mirë, viteve të fundit kanë filluar të shfaqen ndryshime në qëndrimin rreth ciklit. Në disa shtete, “taksa e vatave” është larguar ose është ulur. Madje, ditën që unë mbroja tezën time, Skocia vendosi t’u jape produkte sanitare falas grave me të ardhura të pakta.

Kjo është pjesë e arsyes pse po e shkruaj këtë, dhe pse e kam shkruar tezën fillimisht. Dua të ngris vetëdijen e njerëzve për pabarazinë ekonomike dhe keqtrajtimin e këtij funksioni të natyrshëm të trupit. Duhet t’I japim fund kësaj tabuje që të mund të krijojmë një shoqëri me të drejtë e më të barabartë. Ju kërkoj të flisni për këtë çështje, ta ngrisni zërin për këtë takes të kotë, të shkruani teza për të dhe t’i turpëroni profesorët injorantë.

Autore: Franzi Waitmountain

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.