Nga Liridona Bregovina*

Në gusht të vitit 2019, vëllai im mori një telefonatë se ishte ftuar për intervistë pune në një shkollë fillore në Fushë Kosovë. Të nesërmen morëm autobusin dhe pas gjysmë orë u gjendëm para një ndërtese të bardhë dykatëshe.

Kur hymë në oborr vërehej mungesa e nxënësve. Aty ishte vetëm mirëmbajtësi i shkollës, i cili as që e vërejti praninë tonë. 

Në hyrje të objektit qëndronte një grua që po tymoste. E pyeta nëse testi do të mbahej aty. Vështroi për pak sekonda dorën e Betimit kapur pas krahut tim dhe u përgjigj: “Po po, këtu mbahet”.

Kur hymë brenda, salla ishte e mbushur me kandidatët që kishin ardhur në testim për pozitën e mësimdhënësit të psikologjisë në atë shkollë.

Atë ditë isha aty për të shoqëruar vëllain tim në testin me shkrim, siç bëj gjithmonë për secilin konkurs pune ku ai aplikon. Por as kësaj here, si të gjitha herët e tjera kur kemi njoftuar paraprakisht se Betimi do të merrte pjesë në testim, institucioni nuk kishte siguruar test në alfabetin Braj.

U ulëm në bankën e parë që gjatë leximit të testit të mos pengonim kandidatët e tjerë. Filluan të shpërndanin testet. Kur erdhi radha jonë më kërkuan të kaloj në një bankë tjetër. U thashë që isha aty për të shoqëruar Betimin. Pas një sqarimi 10 a 15 minutësh pasuan një seri pyetjesh. 

“Ky djali ka apliku për vend të punës a? E qysh, ti ia lexon pytjet këtij a?” Vazhdoja t’ua shpjegoja se isha aty vetëm për të shkruar atë që thoshte vëllai im.

Një burrë rreth të pesëdhjetave më kërkoi t’i tregoja letërnjoftimin dhe ID-në e studentit. Për të gjithë kandidatët filloi testimi, përveçse për Betimin. Tre nga katër anëtarët e komisionit u afruan krejt pranë nesh dhe deri sa mbaruan të gjitha pyetjet nuk na lejuan të fillonim testimin. Më në fund, gruaja që shpërndante testet më zgjati edhe mua testin trefaqësh.

Derisa unë i lexoja pyetjet e Betimi mundohej të dëgjonte, zëri im përzihej me zhurmën e takave të njërës prej anëtarëve të komisionit. Ajo u afrua pranë nesh dhe qëndroi aty pothuaj gjatë tërë procesit të testimit.

Betimi fliste dhe unë vazhdoja të shkruaja. Në fund, pasi u dorëzuan të gjitha testet, anëtarja e komisionit që më dha testin i bëri një shenjë me laps testit të Betimit. 

Pas dy javëve dolën rezultatet, por ai nuk u ftua në intervistë.

Betim Bregovina me motrën Liridonën, e cila zakonisht e shoqëron kur ai aplikon për ndonjë vend pune. Foto: Mrika Selimi.

Kjo lloj shpërfilljeje është e zakonshme dhe vazhdon që tri vite radhazi, që kur Betimi ka filluar të aplikojë për punë. Vëllai im 34 vjeç ka përfunduar studimet për psikologji dhe pedagogji në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Por Betimi nuk është i vetëm në këtë. Ai është vetëm një nga shumica e personave me aftësi të kufizuara që ballafaqohen me një varg barrierash institucionale e shtetërore për t’u punësuar, e që shpesh nuk arrijnë të punësohen. 

Në fakt, në Kosovë mungojnë edhe shifrat zyrtare të këtyre personave. Ministria e Punës dhe Mirëqenie Sociale (MPMS) thotë se posedon të dhëna vetëm për numrin e përfitueseve të skemës pensionale për personat me aftësi të kufizuara, i cili është 18,450. Ndërkaq sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë varion nga 170,000 deri në 255,000.

Sipas një raporti të vitit 2019 nga UNICEF, kjo mungesë e numrave të saktë ndodh për shkak që në Kosovë ekzistojnë shumë përkufizime rreth nevojave të veçanta apo të kufizuara, dhe si rezultat institucionet nuk kanë një përcaktim të njësuar që do të ndihmonte në krijimin e politikave të përshtatshme për këto grupe në nevojë.

Kështu që vëllai im Betimi, dhe shumë e shumë të tjerë, mbesin vetëm numra të pasaktë e të pakuptuar.

Mundësi në letër, përjashtim në praktikë

Jetesa me Betimin, përveç një kuptimi të thelluar të nevojave dhe specifikave të personave me kufizime në shikim, më ka ekspozuar ndaj çdo ligji, mase apo çfarëdo dokumenti që do të duhej të kishte ndikimin në garantimin e mirëqenies dhe përfshirjes së tyre në shoqëri. Po ashtu më ka bërë t’i njoh për së afërmi shumë anëtarë të OJQ-ve të ndryshme në Kosovë që punojnë për të drejtat e personave me aftësi të ndryshme të kufizuara.

Ajo çfarë shumica e këtyre anëtarëve theksojnë është mungesa e mundësive për punësim, e kjo përkundër faktit që Ligji për Aftësim, Riaftësim Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara obligon çdo punëdhënës — qoftë në institucione publike apo private — të punësojë të paktën një person me aftësi të kufizuara për çdo 50 punëtorë. 

NORMA E PUNËSIMIT TË PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA NUK ARRIN AS NË 1%.

Mungesa e punësimit të këtij grupi social bie ndesh edhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, sipas së cilës “shtetet palë duhet të marrin masat e duhura për të bërë të mundur që personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësinë për të zhvilluar dhe përdorur potencialin e tyre krijues, artistik, dhe intelektual, jo vetëm për të mirën e tyre, por gjithashtu, për pasurimin kulturor të shoqërisë”.

Por që të dyja këto në Kosovë shpesh shpërfillen. Për shembull, sipas të dhënave të marra nga MPMS, nga 347,000 persona të punësuar në Kosovë, vetëm rreth 90 prej tyre janë persona me aftësi të kufizuara. Prej 11,287 personave që rezultojnë të punësuar në ministritë dhe institucionet e tjera të nivelit qendror (shërbimi civil), të punësuar me aftësi të kufizuara janë 64 persona. Edhe sikur t’u referoheshim të dhënave të ministrisë, ku përfshihen vetëm ata persona me aftësi të kufizuara që përfitojnë pension, sërish norma e punësimit të tyre, qoftë në ndërmarrje publike apo private, nuk do të arrinte as në 1%.

Por edhe kur personat me aftësi të kufizuara aplikojnë për punë, shpeshherë e vetmja mënyrë që të pranohen është duke vënë në pah diskriminimin që iu ndodh. Një përvojë të tillë e ka pasur Hajredin Krasniqi, i cili me profesion është teknik i telekomunikacionit.

Hajredin Krasniqi, i cili ka probleme në të ecur, arriti të punësohet vetëm pas një sërë ankesash drejtuar institucioneve dhe presionit publik. Foto: Mrika Selimi.

Më 24 shtator të vitit 2019 ai kishte aplikuar në Minierën e Trepçës, nëndega në Kishnicë, në sektorin administrativ. Krasniqi, i diagnostikuar me luksacion koksofemoral (probleme në të ecur, çalim), ua kishte bashkëngjitur dokumenteve të aplikimit edhe vendimin mjekësor që dokumenton aftësinë e tij të kufizuar. Ndonëse ai thotë se kishte kaluar 66% të testit me shkrim, dhe sipas tij, kishte qenë po ashtu në intervistë i suksesshëm, ai nuk u përfshi në listën me emrat e të punësuarve. Sipas tij, në këtë listë i vetmi rezultat që nuk ishte shënuar ishte ai i testimit të tij.

Ai arriti të punësohet aty vetëm pasi dorëzoi ankesë në administratën e minierës, në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, te Avokati i Popullit dhe te Zyra e Kryeministrit.

Por ai mendon se fakti që ushtroi edhe presion publik i ndihmoi më shumë përpjekjes së tij. 

“Unë besoj se, në fakt, çështja e pranimit tim në punë ka të bëjë edhe me paraqitjen time në televizion, gjatë kohës sa ankesat ishin në shqyrtim”, më tha ai kur bisedova me të në një kafene ne lagjen Hajvali në Prishtinë, gjatë shtatorit. “Pra unë kam folë në intervistë për çështjen e mospunësimit tim dhe besoj se kjo ka ndikuar që edhe me u punësu unë”. 

Në fakt, në gusht 2018, MPMS po ashtu kishte miratuar një Udhëzim Administrativ mbi Mënyrat, Procedurat dhe Afatet e Pagesës Mujore për Punëdhënësit të cilët nuk Punësojnë Persona me Aftësi të kufizuara. Ky udhëzim obligon punëdhënësit t’i paguajnë MPMS-së një shumë baras me pagën minimale nëse nuk punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo të pesëdhjetin punëtor.

Në shtator takova Afrim Maliqin nga Handikos — shoqatë e cila njihet për angazhimin e saj shumëvjeçar për përmirësimin e të drejtave dhe standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ai më tha se as ligji për punësim të çdo të pesëdhjetit person e as udhëzimi për pagesën mujore nuk zbatohen. Për shembull, në vitin 2018 Handikos realizoi një anketë me 26 ndërmarrje private dhe gjeti që 12 nga to as nuk janë në dijeni për ekzistencën e këtij ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Maliqi ishte posaçërisht kritik ndaj inspektoratit të punës, që sipas tij nuk ka monitoruar zbatimin e udhëzimit dhe të ligjit, e që është i obliguar të monitorojë zbatimin e ligjit dhe të veprojë në rastet kur detyrimet e tij nuk përmbushen, duke përfshirë edhe pagesën e detyrimit për mospunësim të personave me aftësi të kufizuara. 

Afrim Krasniqi nga Handikos është kritik ndaj institucioneve, posaçërisht ndaj Inspektoratit të Punës, për moszbatimin dhe mosmonitorimin e ligjit që do t’u mundësonte punësim personave me aftësi të kufizuara. Foto: Mrika Selimi.

E kryeinspektori i Inspektoratit të Punës (IP), Ekrem Kastrati, këtë e arsyetoi me faktin që deri më tani nuk është shqiptuar asnjë gjobë për moszbatimin e këtij ligji, sepse sipas tij “nuk ka pasur ankesa nga kjo kategori e qytetarëve”.

“Ankesa të veçanta nga personat me aftësi të kufizuara nuk janë pranuar në IP, kjo për faktin e mos-sensibilizimit të kësaj kategorie për të drejtat e tyre, ndërsa sipas detyrës zyrtare gjatë inspektimeve të rregullta janë njoftuar punëdhënësit me të punësuar mbi 50 punëtorë në lidhje me obligimin e tyre”, më tha Kastrati.

Por me diçka të tillë nuk u pajtua Halil Kurmehaj. Ai është kryetar i organizatës joqeveritare Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës, e vetmja organizatë në vend e cila që tri vite merret me avokimin për të drejtat e të verbërve. Me Kurmehajn njihemi pothuaj që nga themelimi i organizatës që drejton; në mars 2018 edhe i kam ndihmuar në organizimin e një proteste pranë ndërtesës së qeverisë. Aty kërkonim angazhim institucional për zbatimin e ligjit për punësimin e personave të verbër, e që mblodhi një numër të vogël qytetarësh, kryesisht të verbër dhe familjarë të tyre. 

Në tetor e takova Kurmehajn, i cili është jurist me profesion, në zyrën e tij në Prishtinë. Ai më tha se në rastet kur është vërtetuar se ka pasur shkelje të ligjit apo diskriminim në konkurs, ata kanë reaguar si organizatë. 

“Kam dorëzu ankesa me të cilat edhe kam arritë me prishë konkurs në procesin e rekrutimit për punësim në Kuvendin e Kosovës, pastaj në Ministri të Drejtësisë, Ministri të Financave. Gjithashtu pjesërisht kam prishur një konkurs në Institucionin e Avokatit të Popullit”, më tha. “Por zakonisht ka përfundu me aq, prishje të konkursit, e jo me punësim të personave me kufizime në shikim”.

Ligji nuk parashikon vetëm dënime, por edhe shpërblim në rastin e zbatimit të tij nga punëdhënësit, të cilët do të përfitonin një sërë lehtësish dhe përfitimesh financiare. Për shembull, përveç lehtësive doganore dhe tatimore, punëdhënësit mund të përfitojnë edhe stimulim në të holla, i cili përcaktohet në bazë të lartësisë së kontributit të obliguar në paga.

Por përkundër të gjitha këtyre — qoftë dënimeve apo shpërblimeve — shumë pak persona me aftësi të kufizuara punësohen, qoftë në institucionet publike apo në ato private. Për shembull, prej 28 komunave që i kam kontaktuar (nga 38 sa janë gjithsej), vetëm 10 nga to kanë të punësuar persona me aftësi të kufizuara dhe vetëm njëra e ka të plotësuar kuotën minimale.

Tabela përfshin të dhëna rreth asaj se sa janë duke zbatuar komunat e Kosovës Ligjin për Aftësim, Riaftësim Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili parasheh që për çdo të pesëdhjetin punëtor të punësohet një person me aftësi të kufizuar. Nga 28 komuna të kontaktuara, vetëm 11 janë përgjigjur me të dhënat e përfshira në këtë tabelë.

Infrastrukturë diskriminuese

Po ecja me Betimin në trotuaret e lagjes “Aktash” në Prishtinë dhe për herë të parë ai nxori lirshëm shkopin. “Lëshoma krahun se a po e sheh, mundem vetë në këtë pjesë me ecë”, më tha. Njerëz përreth shihnin nga ne, mbase mund të ishte hera e parë që në rrugët e Prishtinës shihnin një të verbër me shkop.

“Tash në fakultet mundem me ardhë pa problem veç me shkop. As që mundesh me imagjinu Donë se sa shumë na e lehtëson jetën ky trotuar”, më tha Betimi. Gjatë kohës së studimeve, ai ka mundur të shkojë në fakultet vetëm duke qenë i shoqëruar nga dikush tjetër, ndaj dhe instalimi i kësaj infrastrukture përkthehet në pavarësi të shtuar për të dhe të verbrit e tjerë.

Ky përmirësim i infrastrukturës në Prishtinë është bërë gjatë këtij viti, ku një pjesë e trotuareve janë rindërtuar duke plotësuar kushtet për lëvizje të pavaruar të të verbërve përmes vendosjes së vijave relievore të pandërprera. Por rrugë të tilla janë të kufizuara vetëm në Prishtinë dhe Prizren. Betimi në gusht të këtij viti ka kërkuar nga komuna e Obiliqit, vendbanimi ynë, që të mundësohet infrastruktura për personat e verbër në sheshin që ishte në ndërtim e sipër. Por kërkesa e tij nuk u mor parasysh. 

Gjithashtu, në shumicën e qyteteve në Kosovë mungojnë semaforët akustikë dhe infrastruktura tërësisht e qasshme për karrocë.

NË KUVEND VAZHDON TË MOS KETË SHENJUES RELIEVORË NË DYSHEME APO UDHËZUES AKUSTIKË PËR PERSONAT E VERBËR.

Në një hulumtim të realizuar nga Handikos në vitin 2019, në të cilin u përfshinë 394 objekte të institucioneve publike në 30 komuna të Kosovës, rezultoi se shumica prej tyre janë me qasje të pjesshme, apo objekte tërësisht pa qasje për personat me aftësi të kufizuara. Këto objekte përfshijnë shkolla, spitale dhe banka, dhe si të tilla kanë rëndësi jetike për personat me aftësi të kufizuara për integrimin e tyre në shoqëri.

Ngjashëm është edhe objekti i Kuvendit të Kosovës, ku deri në vitin 2020 nuk ka pasur infrastrukturë që mundëson lëvizjen e personave nga ky grup shoqëror. 

Më 3 dhjetor 2020 dhe 11 muaj pasi Fetah Rudi mori mandatin e deputetit, u krijua infrastruktura për personat që kanë nevojë të lëvizin me karrocë, duke vënë në punë një ashensor që u mundëson lëvizjen e pavarur. Por në Kuvend vazhdon të mos ketë shenjues relievorë në dysheme apo udhëzues akustikë për personat e verbër, duke penguar kështu qasjen fizike të personave me kufizime në shikim në këtë institucion.

***
Ishte mesditë dhe Prizreni ishte i përfshirë në një kaos veturash. Prisja përballë një dyqani në lagjen “Lakuriqët”. Nga larg dallova Resmije Rrahmanin, drejtuese e Organizatës së të Drejtave të Personave me Distrofi Muskulore, e cila vinte drejt meje me karrocën elektrike. Megjithëse rrugët e kësaj lagjeje janë të përshtashme për karrocë, veturat e parkuara në trotuar ia vështirësonin asaj lëvizjen. Por për dallim nga kjo lagje, shumë rrugë në Prizren vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat në karrocë. 

Pasi u përshëndetëm, Rrahmani më drejtoi për në zyrën e organizatës që ajo udhëheq.

Ajo ka bërë 20 vite punë vullnetare në organizata të ndryshme për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si dhe në kompani private dhe institucione publike, por asnjëra nga këto nuk ia kanë mundësuar një vend pune. 

“Nuk kam kërku asnjëherë të bëj punë që nuk mund t’ia dal, e as të marr punë për të cilën unë nuk e kryej fare dhe vetëm marr pagë”, më tha ajo. “Unë gjithmonë kam kërku një vend pune të cilin kam mundur ta bëj, pra t’i përmbush detyrat e vendit të punës dhe ta përmbush edhe veten”.

Resmije Rrahmani në vitin 2018 themeloi organizatën për të Drejtat e Personave me Distrofi Muskulore, ku në baza vullnetare vazhdoi avokimin kundër diskriminimit në punësim të cilin e ka përjetuar edhe vetë. Foto: Mrika Selimi.

Ajo themeloi organizatën që udhëheq në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë thotë se vazhdon të punojë vullnetarisht.

“Përkundër gjendjes sime fizike unë nuk mund të ndalem; unë kam dëshirë me punu, madje edhe vullnetarisht siç kam bërë për këto 20 vite”, më tha. “Pasi neve nuk na ofrohet mundësia me punu, unë vazhdoj mos me u ndalë, duke provu me kriju vetë një vend pune”.

Sipas Rrahmanit, mungesa e punësimit nuk e pamundëson vetëm pavarësinë ekonomike për personat me aftësi të kufizuara, por ka ndikim domethënës edhe në aspektin psikologjik.

“Njeriu ndihet i pavlerë, sepse nëse vazhdimisht aplikon apo edhe punon vullnetarisht dhe punëdhënësi e sheh kapacitetin tënd, por nuk të pranon në punë për shkak të aftësisë së kufizuar, është vërtet shumë dekurajuese”, më tha. “Pastaj fillon ta mendosh veten si të padobishëm, madje fillon të besojë njeriu se nuk është i aftë të bëjë as punën për të cilën është kualifikuar”.

Edhe ajo përmend mungesën e infrastrukturës dhe thotë që edhe sikur personat me aftësi të kufizuara të punësohen, një pjesë e konsiderueshme e institucioneve kanë infrastrukturë të papërshtatshme për ta.

Mosdorëzim e përpjekje, midis padrejtësive 

Alarmi i parë i telefonit ra në orën 6:00. Nga frika se mos nuk do të zgjohesha dot kisha lënë dy alarme dhe në përkujtesat përkatëse kisha shkruar “konkursi për Betimin”. Kishim lënë çdo gjë të gatshme që të mos e humbisnim autobusin e orës 7:30. 

Betimi sërish aplikoi në një konkurs pune për psikolog shkollor. Kësaj radhe bëmë 89 kilometra rrugëtim për në qytetin e Pejës, në shkollën ku ai kishte përfunduar një pjesë të shkollimit. Ishte Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim për Fëmijët e Verbër dhe me të Parë të Dëmtuar “Xheladin Deda”, institucioni i vetëm për shkollimin e fëmijëve të verbër, i cili kishte hapur konkursin. 

Në stacion, në peronin numër 1 na priste autobusi.

Betimi u ul pranë dritares. Tetë vite të jetës Betimi i ka kaluar në atë shkollë, prandaj aq mirë e njihte rrugën deri atje sa nuk kishte nevojë që unë t’i tregoja edhe sa kohë do të mbërrinim. Të gjithë në autobus mbanim maska, përveç kondukterit i cili pasi u nis autobusi erdhi të merrte paratë. 

Teksa i afroheshim stacionit, Betimi përsëriste teori të psikologjisë, udhëzime administrative dhe materiale të ngjashme. Kur mbërritëm në Pejë, u ulëm të hanim në restorantin ku ai kishte ngrënë shumë herë gjatë kohës sa ishte nxënës. Edhe gjatë ngrënies nuk mund të mos e përmendnim çështjen e testimit. 

“Nuk e di Donë, edhe pse gjithmonë lexoj e përgatitna para testimeve, kurrë nuk ndihna që kam lexu mjaft. Kështu jam ndie edhe në fakultet, edhe kur kam marrë notë 10”, më thoshte. “Pas 12 viteve, pesë muaj e katër ditë pas testit të maturës, po vi në shkollë sërish në test, por krejt ndryshe. Sot në test po hy jo për me përfundu shkollën, por mbase për me u kthy prapë këtu”. 

Bashkë me pesë kandidatët e tjerë — asnjë nga ta me ndonjë aftësi të kufizuar — pritëm kohën e testimit në sallën e mësimdhënësve. 

Të gjithë mësimdhënësit që hynin dhe dilnin i përshëndetnin kandidatët e pranishëm, por Betimin e përshëndetën në veçanti; madje përkundër masave mbrojtëse ndaj COVID-19, disa e pëshëndetnin duke ia shtrënguar dorën. Shumica prej tyre kishin qenë mësimdhënësit e tij. 

Pas rreth gjysmë ore, drejtori i institucionit na drejtoi bashkë me kandidatët e tjerë për në klasën ku mbahej testimi, por Betimin e ndanë në një klasë të veçantë. Ishte hera e parë që ndodhte diçka e tillë. Sikur kjo të mos mjaftonte, komisioni vlerësues kishte vendosur që unë të mos isha shoqëruese e tij. Atë e shoqëroi në testim njëri nga ligjëruesit e qendrës, i cili ishte mësimdhënës i lëndës së informatikës.

PAS DY DITËSH DOLËN REZULTATET DHE BETIMI ISHTE NË MESIN E TRE KANDIDATËVE TË FTUAR PËR INTERVISTË.

Sa herë që Betimi është testuar me shkrim për një vend pune, unë kam qenë shoqëruese dhe asnjë institucion nuk më ka penguar ta asistoj. Betimit i duhet më shumë kohë për të realizuar testin, dhe për këtë gjë secili institucion ka pasur mirëkuptim. Por e njëjta nuk ndodhi me qendrën burimore në Pejë.

Ende pa përfunduar testin erdhi drejtori i shkollës dhe u kërkoi anëtarëve të komisionit që Betimi ta dorëzonte testin sepse koha prej 45 minutash kishte përfunduar. Ai vazhdonte të bënte presion. “Po deklaroni që mundeni me kry punën si të gjithë të tjerët, edhe testin si të gjithë kandidatët e tjerë duhet me plotësu. Nëse ti Betim hyn në punë, tetë orë ki me punu si krejt të tjerët e jo 12” i tha. Pavarësisht presionit të vazhdueshëm, Betimi arriti ta përfundojë testimin. 

Pas dy ditësh dolën rezultatet dhe ai ishte në mesin e tre kandidatëve të ftuar për intervistë. 

Për në Pejë morëm sërish të njëjtin autobus, në të njëjtin orar, ku i njëjti kondukter erdhi për të marrë paratë, sërish pa maskë.

Një burrë rreth të pesëdhjetave që ishte ulur para nesh kishte dëgjuar bisedën tonë dhe filloi të fliste me Betimin. Ai ishte mësimdhënës i biologjisë në fshatin Kijevë të Malishevës. “E di që s’kanë me m’pranu në punë, se nuk është as hera e parë që po aplikoj”, më tha Betimi. Tjetri ngriti supet, mblodhi buzët me keqardhje dhe tha disa fjalë ngushëlluese.

Betimi qëndroi rreth 30 minuta brenda klasës ku u realizua intervista. Kur doli ishte i lodhur dhe më kërkoi që menjëherë të niseshim për në Prishtinë. Asnjë fjalë mbi çfarë ndodhi brenda asaj klase. Gjatë kthimit ai foli vetëm dy herë: një herë më pyeti sa ishte ora dhe një herë ma kërkoi një shishe ujë. 

Betim Bregovina është refuzuar në rreth 15 vende pune, përkundër faktit që ka përgatitje akademike të begatshme, përfshirë dy grada bachelor dhe dy master. Foto: Mrika Selimi.

Pas një jave mora mesazhin në email se Betimi nuk ishte përzgjedhur për vendin e punës në qendrën burimore. Ishim në oborrin e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ku Betimi studioi për tetë vite dhe sot është student për herë të katërt.

Gjatë viteve të tëra refuzimi në 15 vende të ndryshme pune, Betimi nuk është dekurajuar dhe as është dorëzuar në ndjekjen e synimit të tij për të shërbyer në fushën e psikologjisë. Pasi fillimisht përfundoi studimet baçelor në psikologji të përgjithshme, ai kreu edhe studimet universitare në pedagogji, për të vazhduar më pas në master për psikologji shkollore dhe këshillim dhe në një tjetër master për pedagogji teorike-shkencore të cilin po e ndjek aktualisht.

Falë këtij angazhimi të pandalshëm akademik, ai mund të konsiderohet i mbikualifikuar për shumicën e pozitave për të cilat ka aplikuar, por mbikualifikimi nuk është përmendur kurrë si arsye e refuzimit të tij.

Nuk ekziston ndonjë mënyrë e lehtë për ta dhënë një lajm të keq. Dhe ndërsa ecnim më tej në brendësi të oborrit, ku praktikisht ndodheshim vetëm ne të dy, i tregova se sërish nuk ishte pranuar në punë.

Betimi u ndal për pak sekonda. “Buka me helm doli”, më tha. Dhe nisi të ecë sërish, pa u ndalur. Duke e njohur këmbënguljen e vëllait tim, e di se te ai nuk do të zërë vend kurrë dorëzimi, pavarësisht refuzimeve, pavarësisht çdo diskriminimi.K

Imazhi i ballinës: Mrika Selimi.

Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.

* Liridona Bregovina, është gazetare dhe ka përfunduar studimeve për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Temat të cilat i ka ndjekur gjatë studimeve kanë pasur të bëjnë me të drejtat e njeriut, ndërsa është aktiviste për të drejat e personave me aftësi të kufizuara. Pasioni i saj është leximi i letërsisë klasike. Liridona ka qenë edhe përfituese e programit Bursa në Gazetari për të Drejta të Njeriut (cikli 2020)

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.