Erdhi përsëri kjo periudhë e vitit kur të gjithë ndihen më të motivuar për ndryshime. Dëshira e vullneti për t’u përmisuar dhe vetëzhvilluar nis pikërisht ditët e para të janarit, pra të një viti të ri. Edhe pse jo për të gjithë ndërrimi i viteve nuk përbën një ngjarje posaçërisht të veçantë, vetë ndërrimi i një kalendari në bazë të të cilit veprojmë, rikthimi në aktivitete dhe angazhime pas një pushimi të gjatë dimëror, sjellë një atmosferë domosdoshmërie për ndryshim.

Kështu, ne nisim të bëjmë një rezyme të vitit të kaluar për të analizuar sukseset dhe dështimet tona, të bëjmë plane vjetore, të përcaktojmë objektiva,  përpiqemi të shtojmë më shumë nga gjërat pozitive të cilat na ndihmojnë të zhvillohemi, e të eliminojmë sa më shumë nga gjërat toksike të cilat na bëjnë të humbasim kohën, ekuilibrat dhe vullnetin për të ecur përpara.

Përse leximi i librave duhet të jetë në krye të listës së gjërave për të bërë?

Gjenden artikuj e punime pa fund mbi dobitë që sjell leximi. Leximi kontribon në vetëzhvillimin tonë, largon stresin, përmison shprehitë tona, përmison cilësinë e jetesës, etj. Mirëpo në këtë shkrim dua të ndalem tek ndryshimi i qasjes ndaj leximit. Ekziston një mentalitet tepër i rrezikshëm për kohën tonë i cili e paragjykon librin dhe leximin. Shumica prej këtyre skeptikëve hedhin akuza të pabaza vetëm që të ruajnë një ndërgjegje të pastër duke qenë se shumë pak ose aspak nuk lexojnë, e disa të tjerë me kryelartësi paragjykojnë disa lloje leximesh duke mos iu dhënë një mundësi për t’i parë gjërat nga një këndvështrim tjetër. Andaj, duke qenë se ekzistojnë të tilla paragjykime le t’i marrim me rradhë disa nga këto tipologji individësh paragjykues ndaj leximit:

“Nuk jam tipi i leximit”

Ta thuash një gjë të tillë është sikur të thuash “nuk para ha shumë ushqim” ose “nuk para pij shumë ujë. Nuk jam tipi ujëpirës”. Leximi nuk është hobi, as sport, as art. Ndoshta mund të konsiderohet një kombinim i të gjitha këtyre sëbashku (nëse arrijmë ta shohim leximin si një mbushje e kohës së lirë, stërvitje e mendjes dhe kontribues në artbërje). Mirëpo, nëse arrijmë ta shohim leximin si një ushqim për mendjen dhe shpirtëin, atëherë kthehet në një domosdoshmëri esenciale dhe jetësore. Andaj, ne si qënie nuk mund të veçohemi dot nga ky proces.

“Diturinë e vërtetë do ta mësosh nga jeta, jo nga librat”

Është e vërtetë që një pjesë e njohurive tona përvetësohen gjatë praktikave të përditshme, mirëpo leximi duhet parë si një manual jetese. Përshembull, librat psikologjikë të përcjellin disa lloj qasjesh për të njohur më mirë veten në mënyrë që të të lehtësohet jeta dhe sidomos për të përmirësuar marrdhëniet ndërnjerëzore. Libri ta zhvillon intuitën për të qenë më i mprehtë për të përballuar sfidat e jetës dhe për të deshifruar mesazhet që përditë na përcillen.

“U budallallepse duke lexuar”

Siç e përmenda më lart, nëse do ta konsideronim leximin si një ushqim për mendjen dhe shpirtin atëherë nuk ka se si njeriu të budallepset nga dija dhe ushqimi mendjes me informacione të reja. Sigurisht, është e vërtetë se ka lexime të padobishme. Lexime humbje kohe prej të cilave nuk përfiton asgjë, ose e kundërta përfiton vetëm gjëra negative: të mbushin me mllef, me gjëra toksike, ideologji të shtrembëta dhe devijante. Por kjo mund të kontrollohet duke bërë një selektim të zgjuar të leximeve që ne bëjmë. Mund të pyesim miq nëse i kanë lexuar më parë, mund të bëjmë një kërkim paraprak në lidhje me kritikat dhe analizat ndaj librit në fjalë, apo autorit, mund t’i hedhim një sy vetë përmbajtjes për të kuptuar natyrën e librit, etj.

“Ja lexove 10 libra, e çfarë pastaj? Kujton se do gjesh zgjidhjen e problemeve të tua?!”

Nëse bëjmë një përzgjedhje të mirë të leximeve tona, librat mund të shndërrohen në manual të vërtetë jete. Vërtet hallet dhe problemet nuk do të na zgjidhen, por të paktën do të mësosh si t’u bësh ballë këtyre sfidave, si të reagosh në situata të caktuara, si ta njohësh veten dhe njerëzit më mirë, si të ndërveprosh me të tjerët, me natyrën përreth, si të bëhesh njeri dhe besimtar më i mirë, e kështu me rradhë. Librat e mirë zgjedhur mund të jenë edhe manual për profesione të ndryshme por jo vetëm. Prej letërsisë së mirëfilltë mund të përfitojmë gjëra më abstrakte si shprehi gjuhësore, zhvillim fjalori, përmirësimin e një gjuhe të re që jemi duke e mësuar, kuriozitete të reja në lidhje me një kohë dhe hapësirë të caktuar gjeografike, etj. Por veçanërisht nga librat e psikologjisë së përgjithshme, psikologjisë islame dhe librat e vetëzhvillimit mund të mësohen hapa konkrete për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, si për shembull në lidhje  me prindërimin, marrdhënet në çift, vetëbesimin, traumat, stresin apo depresionin. Duhet vetëm pak vullnet për vetëdisiplinim dhe shumë motivim për t’i aplikuar këshillat që gjenden aty dhe për t’ua përshtatur situatave dhe rrethanave tona.

“Kur kemi Kuranin ç’na duhen librat e tjerë”

Nga mendimtarë dhe filozofë të fesë islame Kurani është cilësuar gjithmonë si një oqean plot me thesare, të cilat për t’u zbuluar kërkojnë një mendjemprehtësi dhe një botëkuptim të thellë. Sa më shumë rritemi në moshë por edhe shpirtërisht zbulojmë perla të reja nga ky libër hyjnor. Në varësi të moshës, të gjendjes shpirtërore, të ndërgjegjësimit aktual zbulojmë të tjera mrekulli ose i rizbulojmë ato të vjetrat në një kundvështrim ndryshe. Sa më shumë të thellohemi në këtë oqean aq më shumë do të zbulojmë e rizbulojmë. Për ta bërë këtë, pra për të pasur një mendje të mprehtë, duhet që kjo mendje të aftësohet edhe me lexime të tjera. Librat spiritual, apo librat fetar, përtej librave të shpjegimit të Kuranit (tefsiri), ndihmojnë në një kuptim më të thellë të këtij libri.

Për çdo ditë jeta na përballë me të papritura, me sfida të ndryshme ndaj të cilave mund të mbetemi të hutuar dhe nuk dijmë si të veprojmë dhe ragojmë. Sfida të cilat nuk presin që ne t’u futemi kërkimeve dhe hulumtimeve të konsultohemi me specialistë apo të shfletojmë libra të tërë për të gjetur përgjigjet tona. Të gjitha këto mund të bëhen, dhe duhen bërë, në një fazë të dytë. Deri atëherë jepja librit një mundësi të re: shikoje atë si një manul parapërgatitor ndaj këtyre sfidave!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.