Nga Assma Hussein

Prej kur ime bijë ishte e vogël, ajo dhe unë kemi folur haptazi për Xhenetin. Ajo shpreson se do të ketë fusha me fazanë apo kalë me flatra që do ta kalerojë (dhe këmbëngul që unë të ulem pas saj që ajo të mos rrëzohet). Ka shumë pyetje se kur do të shkojë, kë do të shohë atje, dhe sa vjeç do të jetë atje. Dhe i përgjigjem, në të shumtën e rasteve me durim, sepse dua që ajo ta ndjejë natyrshëm që perjetësia është një realitet i pashmangshëm.

Allahu sët është me afër nesh se sa rrajhet e zemrës. Është në dijeni të shqetësimeve dhe dhimbjes që ne kapërcejmë si njeri, si familje, apo si bashkësi njerëzore. Si rrjedhojë a nuk do ta shërojë Krijuesi i Gjithëdijshëm gjithë atë dhimbje dhe vështirësi? Epo, e shëron Ai, shumë shumë herë.

Në vazhdim përmendim pesë shpërblimet emocionale që i kam hasur në Kur’an dhe që më kanë prekur zemrën shumë dhe lutem që të mund t’i përjetoj ato në botën e përtejme.

1.      Ska ofendime

A e ke lexuar ndonjëherë një artikull të ri dhe ke shkuar poshtë në pjesën e komenteve (edhe pse e dije që s’duhej bërë)? Nëse po e di çfarë janë komentuesit ofendues, dhe se sa dëmtuese dhe të dhimbshme mund të jenë fjalët e njerëzve. Dhe kjo vetëm në online, mirëpo ne dëgjojmë gjithashtu fjalë që janë lënduese, gjykuese apo pezmatuese nga njerëzit që na rrethojnë, bile edhe nga më të afërmit.

Kjo dhunë ka qenë një e vërtetë e jetuar nga besimtarët përgjatë gjithë historisë.

“Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në veten tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që iu është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni e ruhuni ajo është gjëja më vendimtare.”(3:186)

Si muslimane, veçanërisht gratë që duken se e praktikojnë islamin, shpesh e kalojnë jetën duke e ditur që fjalë të pavërteta dhe ofendime të vrazhda drejtohen kah ne. Mund të jetë e dhimbshme të bartësh këtë barrë ndërkohë që mundohesh të jesh një njeri aktiv dhe produktiv.

2.   Pa hatërmbetje ndërmjet njerëzve

Allahu i Lartmadhëruar thotë se do ta largojë çfarëdo mërie apo ndjenja të këqija sapo ne të hyjmë në xhennet. Cfarëdo hatërmbetje që kishim mbajtur, vuajtjet ku kishim rënë, çfarëdo plage që zemrave tona u është dashur ta mbartin do të jetë zhdukur.

“E ata, të cilët u ruajtën (mosbesimit dhe punëve të këqija) janë në xhennete mes burimeve. (U thuhet) Hyni në to, të shpëtuar (prej cdo të keqeje) dhe të siguruar (nga vdekja). Ne kemi hequr prej zemrave të tyre cfarëdolloj urrejtje, e ata në mbeshtetëse qëndrojnë pranë njëri- tjetrit duke qenë te vëllazëruar. Ata aty nuk i godet kurrëfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij.” (15:45-48)

Thjesht fakti se kjo është e përmendur në Kur’an do të thotë se Allahu i Plotfuqishëm e di se ne mbajmë mëri. Përpiqemi të mos mbajmë. Buzëqeshim në sytë e atyre që na kanë lënduar herë pas here, ndërkohë që i themi vetes se kemi ecur përpara. Por diçka pikon, aty në plagët e harruara të zemrës, në këndet më të largëta të kujtesës në momentet kur shikojmë një album të vjetër të fotografive apo hasim kujtime të tjera.

Dhimbja vret. Ndonjëherë e maskuar ndër gjëra të tjera, e varrosur nën rrënojat e kohës dhe harresës, por aty gjendet.  Cdonjëri prej nesh e ka përjetuar.

Allahu i Plotfuqishëm e di se në mospërsossmërinë e trupit dhe mendjes sonë ka hapësirë për ndjenja të sëmura mes njerëzve, madhe edhe besimtarëve. Ai na porosit se kur të hyjmë në xhennet do të lirohemi së pari pikërisht nga këto ndjenja.

Mundësia e vetme për t’i ndryshuar zemrat gjendet vetëm tek Allahu. Nuk ka vend për mëri apo hatërmbetje mes banorëve të Parajsës. Është një lloj lirie e vërtetë që u është dhuruar besimtarëve nga Një Zot i Cili na njeh neve më shumë se sa ne mund ta çojmë nëpër mend se e duam veten.

3.   Asnjë mërzi të së kaluarës, asnjë frikë për të ardhmen:

Mërzia për të kaluarën dhe frika për të ardhmen janë dy ndjesi të natyrshme që jodomosdosmërisht e kundërshtojnë besimin. Janë ndërtuar brenda nesh, dhe duhet t’i kontrollojmë duke ditur se Allahu nuk e ngarkon asnjë shpirt më shumë se që mund të bartë dhe vetëdija se Allahu ka një plan të përsosur për ne.

Por emocionet vazhdojnë të egzistojnë. Ne vazhdimisht kërkojmë stacione të lumturisë, por edhe kur mbërrijmë atje, ka gjithmonë kujtime mërzie, frike apo edhe telashe të së ardhmes që na djegin përbrenda. Jeta jonë në këtë botë kurrë nuk do të lirohet nga frika apo mërzia.

Allahu i Lartmadhëruar e përshkruan xhenetin si një vend ku besimtarët nuk do të kenë frikë as pikëllim. Që nga fillimi i qenies njerëzore, këto shpërblime emocionale të parajsës kanë qenë të njohura. Kur u përzunë Ademi dhe Hava nga xhenneti, Allahu xh.sh iu tha: Ne u thamë: “Dilni prej aty që të gjithë, e juve gjithqysh do t’u arrijë udhëzim prej Meje, e kush e pranon udhëzimin Tim, për ata nuk ka as frikë as që do të brengosen”. (2:38)

Allahu xh.sh e përmend shpërblimin e besimtarëve si “nuk do të kenë frikë as brengosje” me shumë se 50 herë në Kur’an… ata që e besojnë Kur’anin, që i mbështeten Allahut plotësisht, që janë në rrugë të drejtë, që ndjekin udhëzimet e pejgamberëve që Ai dërgon, që falin namazin dhe bëjnë vepra të mira, dhe shpenzojnë fshehtazi dhe haptazi nga pasuria e tyre… (ata nuk do të kenë frikë e as brengosje). 

Prej Madhështisë së Allahut është se të gjitha shpërblimet e Tij, qofshin edhe përtej imagjinatës sonë, gjithashtu përshtaten me nevojat dhe dëshirat tona. Shumë prej nesh, më shumë se cdo gjë tjetër dëshirojmë të mos kemi më frikë, e as brenga.

Dhe kur besimtarët të hyjnë në Xhennet (Allahu na bëftë prej tyre) do të thonë:

E ata thonë: “Falënderuar qoftë All-llahu që largoi prej nesh brengat; vërtet, Zoti ynë është që falë shumë dhe është bemires. I cili nga mirësia e Tij na vendosi në vendin e përjetshëm, ku nuk do të na prekë ndonjë mundim fizik dhe ku nuk na prek ndonjë molisje.” (13:23-24)

4.   Shoqërimi me të dashurit tanë

Një njeri e pyeti Profetin Muhamed a.s. për Orën (Ditën e Gjykimit), duke i thënë “Kur do të jetë Ora?” Profeti Muhamed a.s. i tha, “Cfarë ke pergatitur për atë?” Burri i tha, “ Asgjë përveçse e dua Allahun dhe Pejgamberin e Tij.” Profeti a.s. i tha “Do të jesh me atë që do.”

Kjo shprehje e thjeshtë “do të jesh me atë që do” zgjalli gëzim të madh mes shokëve të tij. Ata ishin të ngazëllyer që e morën vesh që edhe pse veprat e tyre nuk ishin aq të plota dhe të sinqerta si të Profetit a.s., ata do të jenë shoqëruesit e tij ne Xhennet falë dashurisë që kishin për të. (Sigurisht që dashuria e tyre nënkuptonte të ndiqnin mësimet e tij.) 

Dashuria mes njerëzve në këtë botë nuk mbaron në momentin që ata vdesin, nuk i përngjan një fijeje që këputet sapo shpirti del nga trupi, pushon një kohë- ndoshta edhe harrohet. Por jo pasha Allahun! Dashuria mes besimtarëve vazhdon të qëndrojë e padukshme, e pandërprerë, deri kur Allahu xh.sh të vendosë t’i ribashkojë.

Zemrat tona lidhen natyrshëm me njerëzit që kemi në jetën tonë, kështu që Zoti i premton besimtarëve se do ti ribashkoj në xhennet me të dashurit e zemrës:

“ (përfundimi i mirë është) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hyjnë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë, ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë.  (U thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend. (13:23-24)

Allahu xh.sh na e zbutë dhimbjen e ndarjes duke na thënë se në këtë botë nuk përfundon gjithçka. Ai na bashkoftë neve me të dashurit tanë në vendin ku nuk ka ndarje!

5.   Riduani (pranimi) nga Allahu

Ne jemi në një betejë të vazhdueshme me vetet tona për të bërë çfarë është e duhur dhe të mos bëjmë gjërat e ndaluara. Shumë herë deshtojmë kur duam t’i ruajmë vlerat tona ose kur na duket se jemi në rrugë të drejtë. Kështu ne gabojmë përsëri dhe përsëri duke i krijuar vragë zemrave tona e rrjedhimisht e dëmtojmë besimin tonë. Dhe pastaj ngrihemi e mbledhim veten dhe kërkojmë falje nga Allahu me shpresën se do të na falë.

Edhe nëse ne jemi njerëzit më besimtarë dhe e shpenzojmë jetën, pasurinë, dhe të gjitha mundësitë që kemi duke kërkuar që të bëjmë sa më shumë vepra të mira, ne shpesh i vëmë në pikëpyetje qëllimin e veprave tona. A po na afrojnë këto vepra drejt Zotit? Ose po i bëjmë ato për ta kënaqur un-in tonë ose po fitojmë me to mendimin e të tjerëve se jemi të devotshëm? E vërteta është se ne jetojmë në këtë botë me shpresë dhe frikë – me shpresën se Ai do të na i pranojë veprat e mira; dhe me frikën se s’kemi bërë mjaftueshëm.

Kjo betejë me vetveten do të përfundojë kur ne të arrijmë në stacionin e fundit xhennetin. 

“Besimtarëve dhe besimtareve All-llahu u premtoi xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj, në to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në xhennetin e Adnit, edhe një disponim nga All-llahu që është mbi gjitha. Ky, pra është ai shpëtimi i madh.” (9:72)

Kështu na pranon Ai qe na ka krijuar, dhe ka qenë me ne gjithmonë – në çdo fazë të jetës, gjatë momenteve të gëzimit dhe hidhërimit, në kulmin e besimit dhe në betejat më të vështira me veten. Pranimi nga Ai është më i mirë se çdo shpërblim që mund ta paramendojmë në Parajsë. Më në fund, zemrat tona do të lehtësohen duke ditur se ne e kemi kryer detyrën tonë si besimtare. E gjitha kjo do tu jepet besimtarëve “ si shpërblim për gjithcka që kanë bërë.” (56:24)

Përktheu: Rahmete Misini Zejnullahu

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.