Politika e ferexhesë nga Joan Wallach Scott

0

Më vjen mirë që libri im për çështjen e mbulesës në Francë ka pasur jehonë edhe në Shqipëri. Ndonëse bëhet fjalë për rrethana dhe kontekste të ndryshme historike, statusi i hixhabit musliman (keq)interpretohet në mënyra të ngjashme. Femrat që mbajnë ferexhe konsiderohen si të prapambetura, edhe pse shumë prej tyre e kanë zgjedhur këtë veshje me vullnet të lirë për të treguar përkatësinë e tyre fetare, përkatësi e cila është moderne në kuptimin e plotë të fjalës. Mendohet gjithashtu se këto gra e mbajnë ferexhenë si rezultat i forcës dhe presionit që ushtrohet mbi to nga meshkujt e familjes apo nga udhëheqësit fetarë, ndonëse për shumë prej tyre s’bëhet fjalë që një situatë e tillë të jetë e vërtetë.

Hixhabi shihet si shenjë përfshirjeje në qarqe të caktuara terroriste, ndonëse gratë që e mbajnë atë nuk kanë të bëjnë aspak me këto lloj idesh politike. Në të shumtën e rasteve, kuptimet që politikanët i japin hixhabit kanë shumë pak lidhje me arsyet e mbajtjes së kësaj veshjeje nga gratë, por këto kuptime bëhen shkak për vendime dhe debate politike.

Gjithashtu, kuptime të tilla çojnë në lindjen e shumë mospajtimeve në shoqëritë e supozuara si demokratike. Ndër këto mospajtime është edhe mungesa e çdo lloj kritike për fetë e tjera, edhe pse shumë të krishterë dhe çifutë i trajtojnë gjithashtu gratë dhe burrat ndryshe, dhe në mënyrë të pabarabartë. Por në të kundërt, çfarë ne shohim është se nuk ka ndodhur ndonjëherë që të bëhet ndonjë vërejtje për shaminë e kokës së Nënë Terezës, ndonëse edhe ajo mund të interpretohet si shenjë e inferioritetit të grave.

Por duke u përqendruar tek pabarazitë që thuhet se i karakterizon marrëdhëniet gjinore në Islam, liderët politikë në Evropë nuk bëjnë gjë tjetër veçse na e largojnë vëmendjen nga pabarazitë (ekonomike, kulturore, fetare, gjinore), që ndodhin në vendet e tyre. Mbi të gjitha, ndalimi i hixhabit është një mënyrë (e një mënyrë e keqe) për të përforcuar njëfarë vizioni nacionalist, atë vizion që ngul këmbë në homogjenitetin e kombit, duke i viktimizuar kështu të gjithë ata që mendohet të jenë krejtësisht të ndryshëm, edhe pse ai lloj homogjeniteti nuk përputhet me historinë e vërtetë dhe me demografinë (heterogjenitetin) e vendit.

Qëndrimi im rreth hixhabit pajtohet me atë të grupeve feministë gjithnjë e në rritje në shumë vende, me ato gra të mbuluara dhe të pambuluara, muslimane, të krishtera, çifute dhe shekullare, të cilat janë bashkuar me një synim të vetëm: dhënien fund të të gjitha llojeve të mbizotërimit, qofshin ato në formën e praktikave fetare të vendosura nga shteti apo të ndërhyrjeve fetare dhe familjare në zgjedhjet individuale. Sllogani i tyre “As mbulim i detyruar, as zbulim i detyruar” duket se përfaqëson qëndrimin më të përshtatshëm që ne duhet të përqafojmë në ditët e sotme.

*Shkëputur nga hyrja e librit “Politika e Verexhesë”. 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.