Nga Flora Hajdarmataj

Fatkeqësisht, privatësia dhe përpunimi i të dhënave duket se janë viktimat e radhës të pandemisë që Covid-19 tashmë ka përfshirë gjithë botën, ku shumë shtete po përdorin teknologjinë avancuar dhe të gjitha mjete që të marrin të dhënat dhe të kenë kontrollin mbi të gjithë njerëzit. Në fakt, shkelja e privatësisë është një çështje që diskutohet nder vite. Por me rastin e pandemisë globale, haptasi u ngushtuan kufijtë e privatësi dhe u  zgjeruan kufijtë e vëzhgimit (mbikëqyrjes).

Teknologjia dhe vetëizolimi                       

Për shumicën nga ne tashmë jeta ka kaluar në një rutinë shtëpiake. Hapim laptopët dhe shfletojmë faqe të ndryshme. Shikojmë njoftimet për mësimet online qoftë përmes sistemeve të ndryshme apo video Zoom. Lexojmë lajmet në Twitter apo kalojmë kohën në Netflix.  Po jetojmë një jetë që duket sikur ka kaluar pothuajse në botën digjitale. Ky izolim i madh sidomos nga marsi i vitit 2020, ka rezultuar që të rritet numri i përdoruesve të internetit në masë të madhe.

Koha e pandemisë, siç shprehet Joe-Bak-Coleman, studiues i sjelljes kolektive dhe ndikimit të teknologjisë tek njerëzit, ndihmoi që shoqëria të kalojë komplet në internet. Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i Programimit të Emergjencave Shëndetësorë të OKB-së është shprehur së zyrtarët shëndetësor po përdorin softuer të lidhur si kurrë më parë për të shkëmbyer informacione në  të gjithë botën në lidhje me përvojat klinike, studimet e rasteve dhe modelimin parashikues. “Kjo ndoshta është pandemia e parë e shekullit 21 në të cilën fuqia e plotë e teknologjisë së informacionit, mediave sociale dhe inteligjencës artificiale po zbatohet pothuajse në çdo aspekt”.

Përhapja e koronavirusit dhe vëzhgimi i të dhënave personale

Ndërsa pothuajse e gjithë bota është nën një bllokim të shkaktuar nga pandemia Covid-19, vendet po garojnë të përdorin çdo mjet në dispozicion për të luftuar sëmundjen dhe pengojnë përhapjen e shpejtë të saj. Shumë prej tyre kanë filluar të përdorin teknologji inovative për këtë qëllim, duke përfshirë mjete digjitale të mbikëqyrjes për monitorimin e vendndodhjeve të qytetarëve, të cilat po dëshmojnë të jenë jashtëzakonisht efektive. Imagjinoni se si do të ishte nëse do paralajmëroheshit me sms që keni qenë pas kontakt me persona që bartin korona virusin dhe se ju duhet të vet izoloheni menjëherë për 14 ditë në mënyrë që të mbroni të afërmit tuaj dhe njerëzit e tjerë.

Qindra izraelitë tashmë u njoftuan me “Big Brother” pasi që qeveria e tyre disa ditë më parë autorizoi shërbimet e saj të sigurisë të përdorin të dhënat e vendndodhjes së telefonisë celulare për të tërhequr lëvizjet e bartësve të konfirmuar të korona virusit. Përmes teknikave dhe softuerëve të veçantë që më herët Izraeli i përdorke për të monitoruar lëvizjet e çdo palestinezi, tashmë po i përdor për izraelitet për t’i ndjekur dhe dërguar mesazhe informuese në rastet nëse kanë pasur kontakt me personat që janë të infektuar nga Covid-19. Shteti i Izraelit nuk është i vetmi që ka përdorur këtë qasje. Kina, ku u shfaq virusi, është udhëheqësi global në mbikëqyrjen masive, me miliona kamera për njohjen e fytyrës në vend, monitorimin e bisedave telefonikë, përdorimit të kartave të kreditit, aplikacioneve me pagesë dhe rrjeteve sociale, madje duke ju kërkuar njerëzve të raportojnë temperaturën e trupit dhe raportet mjekësore. Kompanitë kineze po zhvillojnë teknologji të reja në mënyrë që të monitorojnë temperaturat e larta të njerëzve apo duke nxjerrë në pah individët që nuk mbajnë maskë fytyre edhe të detektojnë ata që mund të paraqesin rrezik në bazë të historisë së udhëtimeve dhe ekspozimin ndaj bartësve të viruseve. Nga vendet e tjera aziatike si Singapori po ashtu ka publikuar në një web site të dhënat e detajuara të pacientëve bartës të virusit, moshën, profesionin, gjininë dhe të dhënat e udhëtimeve përgjatë kohës që kanë qenë të infektuar.

Në vendet e Ballkanit, qeveritë e menaxhuan situatën me mjetet që patën në dispozicion. Autoritetet e Malit të Zi gjetën një zgjidhje të thjesht për individët që erdhën nga jashtë duke publikuar në internet një listë të plotë online dhe të të gjithë individëve që i nënshtrohen vetë-izolimit, me emrat dhe adresat për të parë të gjithë. Serbia veproj pak më ndryshe, pasi që zyrtarisht u shpreh që vizitorët nga Italia po gjurmohen duke monitoruar vendndodhjen e tyre të telefonave për të parë nëse ata i janë përmbajtur izolimit të detyrueshëm  prej 14 ditësh pas hyrjes në Serbi.

Por monitorimin dhe përcjelljen e individëve në mënyrë që të parandalohet pandemia dhe të arrihet mirëqenia e shëndetit publik, kjo situatë ka prekur një fushë të ndjeshme siç është rrezikimi i privatësisë. Sidoqoftë, përdorimi i disa teknikave për marrjen e të dhënave në mënyrë që të parandalohet pandemia mund të jete e dobishme. Por, përcjellja dhe marrja e të dhënave pa ndonjë procedurë ligjore mund të përbejë një kaos. Përndryshe, të gjithë ne mund rrezikojmë sistemin, pushtimi i privatësisë në stilin Orvellian dhe uzurpimi i pushtetit, mund të jetë e pakthyeshme pas përfundimit të krizës, veçanërisht në vendet që kanë problem me zbatimin e ligjit.  “Kështu, nën pretekstin e luftimit të koronës, ai ka mbyllur … parlamentin, ka urdhëruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe po nxjerr çfarëdo dekreti urgjent që dëshiron. Kjo quhet diktaturë” është shprehur në një postim në Twitter profesor Yuval Noah Harari drejtuar Benjamin Netanyahu.

Drejt vëzhgimit vullnetar

Nëse COVID-19 përfaqëson një situatë emergjente që kërkon ndryshime drastike, të përkohshme, të sjelljes dhe distancimit shoqëror (#stayathome) disa qeveri po shqyrtojnë lëvizjen e qytetarëve duke përdorur të dhëna për vendndodhjen, për t’i monitoruar sjelljet e njerëzve. Disa studiues shprehen se lufta ndaj  COVID-19 mund të shndërrohet në një mjet  “mbikëqyrjeje” dhe në diçka më të tolerueshme në shoqëritë perëndimore. Pjesëmarrja thuhet se është vullnetare: përdoruesit pranojnë të ndajnë të dhënat e vendndodhjes së tyre në mënyrë që të lajmërohen kur ata mund të ishin takuar me dikë të infektuar. Të dhënat që qeveritë duhet të marrin nga jeta jonë private kryesisht është në duart e korporatave. Sektori privat është mësuar të bashkëpunojë me agjencitë qeveritare në situata emergjente. Deri tani, shumë prej aplikacioneve të ndjekjes së Covid-19 janë zhvilluara në mënyrë private. Këto aplikacione mbledhin të dhëna të ndjeshme, të cilat ekspozojnë individët ndaj rreziqeve të të drejtave të njeriut. P.sh, stop corona apo edhe në Turqi hayat eve sığar, që kërkon hapjen e bluetooth dhe vendndodhjen, duke paraqitur një harte në të cilën tregon se a jeni në një zone të rrezikshme.

Në ditët në vazhdim do të shihet së çfarë masash do të marrin shtetet e ndryshme për parandalimin e pandemisë, si do të kufizojnë të drejtat e njerëzve dhe mbi të gjitha cilat të dhëna të njerëzve do të preken  dhe monitorohen në këtë situatë

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.