Qeveria e Zvicrës të martën u rekomandoi votuesve që ta refuzojnë propozimin e referendumit të 7 marsit për ndalimin e mbulimit të plotë të fytyrës me burkë nga disa gra myslimane, duke thënë se një vendim i tillë do ta dëmtonte turizmin.

Sipas sistemit zviceran për demokraci të drejtpërdrejtë, secili propozim për ndryshimin e kushtetutës vendoset në referendum, nëse për një nismë mblidhen mbi 100.000 nënshkrime. Në vitin 2009, zviceranët e kishin mbështetur propozimin për ndalimin e ndërtimit të minareve të reja.

Mbulimi i plotë i fytyrës në vende publike tashmë është i ndaluar përmes referendumeve rajonale në kantonet St. Gallen dhe Ticino, por qeveria qendrore tha se miratimi i këtij ligji në nivel kombëtar është ide e keqe, shkruan Reuters. “Shumë pak njerëz në Zvicër vendosin mbulesë të plotë të fytyrës. Ndalimi i saj në nivel kombëtar do ta minonte sovranitetin e kantoneve, do ta dëmtonte turizmin dhe do të ishte i padobishëm për grupe të caktuara të grave”, thuhet në deklaratën e qeverisë zvicerane. Më tej, në deklaratë thuhet se shumica e grave që përdorin mbulesë të plotë të fytyrës janë turiste dhe qëndrojnë për një kohë të shkurtër në shtetin helvetik.

Montreaux dhe destinacionet tjera rreth Liqenit të Gjenevës si dhe Interlaken në pjesën qendrore të Zvicrës tradicionalisht tërheqin turistë muslimanë, kryesisht nga shtetet e pasura të Gjirit Arab. Më parë, Franca dhe Danimarka e kanë ndaluar mbulimin e plotë të fytyrës me arsyetimin se synojnë t’i mbrojnë vlerat sekulare dhe ta luftojnë diskriminimin ndaj grave.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.