Rrjetet sociale përkufizohen shpeshherë si një domosdoshmëri jetësore nga disa, apo si sëmundje fiksimi dhe varësie nga të tjerë. Në librin e tij “Sa t’i hedh një sy (profilit) dhe do dal” autori turk Sejfullah Senel, liston një numër të madh efektesh negative që vijnë prej rrjeteve sociale dhe që ndikojnë në shëndetin tonë mendor si përshembull: humbja e kohës, deformim i realiteti, dëshira për vëmendje, humbja e vetëbesimit, bullizmi etj. Nga ana tjetër shpejgon se nëse bëhet një përdorim i moderuar duke marrë aspektet pozitive dhe duke i shndërruar ato në potenciale mund të ndikojnë pozitivisht në mirëqenien tonë si komunitet në përgjithësi dhe si individë në veçanti. Në këtë rast ai përmend nxitjen e aktivizmit, vullnetarizmit, thirrjet për vepra të mira dhe kontribut, ruajtja e lidhjeve farefesinore apo miqësore etj.

Nga ana tjetër hoxhë Nuredin Yëlldëz kësaj teme i ka dedikuar një libër të tërë, në formë manuali për përdorimin e internetit nga muslimanët e sotëm dhe rregullat që duhet të kemi parasysh gjatë këtij përdëorimi, të titulluar “Fikhu i Internetit”. Autori në fjalë në këtë manual është përqendruar tek të lejuarat dhe të ndaluarat që na shoqërojnë gjatë gjithë kohës që ne përdorim internetin sidomos rrjetet sociale duke dhënë madje dhe gjykime fetare (fetva) të dobishme për lexuesin.

Të dy autorët e sipërpërmendur qendrojnë pak a shumë në të njëjtën vijë: të mos harxhohet shumë kohë në rrjetet sociale dhe t’i shfrytëzojmë në dobi të qëllimeve tona, pra t’i përdorim dhe jo të na përdorin.

Po sa mund të konsiderohet përdorim i shumtë apo i kontrolluar? Si mund ta përcaktojmë nëse është kohë e humbur apo e investuar në dobinë tonë?

Gjithësecili përgjigjet i peshon tek vetja në bazë të kohës së lirë në dispozicion, angazhimeve ditore dhe përparësive. Tek disa përdorues ekziston ideja se zgjidhja e duhur është mbyllja e profileve dhe distancimi total i rrjeteve sociale në tërës. Nga një eksperiencë personale e ç’aktivizimit të profileve për një kohë të caktuar, kam arritur në përfundimin se duam apo s’duam rrjetet sociale janë bërë pjesë e domosdoshme e jetës sonë. Gjasat janë që rrjetet sociale dhe format e ndryshme të tyre të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë. Kështuqë duam s’duam nuk mund t’i zhdukim nga jeta jonë.

Nga ana tjetër një keqpërdorim i tyre mund të ketë efekte negative në besimin (imanin) tonë.. Përveç këshillave që kanë të bëjnë me një përdorim të dobishëm të internetit të cilat i kam përmendur në një tjetër shkrim (Përse nuk duhet thyer smartphone-i) do doja të listoja disa këshilla që kanë të bëjnë më tepër me përparësit dhe përgjegjësit tona ndaj vetes dhe komunitetit për të ruajtur një gjendje të mirë të atij që mund të quhet “shëndeti shpirtëror”.

 Krijo një grup miqsh apo rrethin tënd shoqëror me të cilët takohesh rregullisht.

Ndoshta do mendoni se s’keni nevojë të takoheni ballë për ballë miqtë tuaj kur ju rregullisht flisni gjithë kohën në telefon, çatoni apo çoni mesazhe pa fund gjatë ditës. Mirëpo nuk është e njëjta gjë. Ruajtja e lidhjeve të drejtë për drejta është shumë  e rëndësishme për besimin tonë: mjafton të kujtojmë këtu adhurimet (ibadetet) të cilat në bazë të tyre kanë bashkimin (xhematin) si falja e pesë kohëve në xhami (për meshkujt) dita e xhuma, Bajramet, haxhi etj.

Allah (xh.sh) thotë: ”Dhe kapuni të gjithë për litarin (fenë dhe Kur’anin) e Allahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat duke qenë vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur.” (3:103)

Pra përmes vëllazërisë dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin përmisojmë fenë tonë dhe punojmë për qëllime të përbashkëta në dobi të fesë.

Ne jetojmë në një epokë e cila na shtyn që të jemi sa më të lidhur me botën virtuale por aspak nuk përqendrohet tek rëndësia e komunikimit ballë për ballë. Vetmia është shndërruar në një sëmundje epidemike sipas The American Psychological Association. Efektet e vetmisë janë të habitshme dhe po marrin përmasa të paimagjinueshme. Sado aktivë të jeni në rrjetet sociale, nuk do të shëroheni prej vetmisë nëse nuk i mbani fort të lidhura lidhjet e drejtëpërdrejta.

Ruajini disa gjëra të fshehta

Thotë Allahu në Kuranin Famëlartë: “Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim” (2:274)

Në Kuran pra i gjejmë të dyja format e dhënies: fshehurazi dhe haptazi. Balanca që duhet të gjejmë midis këtyre dy formave duhet ta kërkojmë tek vetet tona duke vënë në pikëpyetje qëllimet: nëse po e bëjmë këtë për të treguar veten, për t’u mburrur apo për të frymëzuar dhe motivuar të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërsa kujdesemi për veprat tona të cilat i publikojmë haptazi, dhe s’ka gjë të keqe nëse kujdesemi për imazhin tonë, duhet që veprat e fshehta t’i shumëfishojmë. Nuk ka gjë më të bukur se fjalë dhe vepra të fshehta midis teje dhe Zotit. Këto e përforcojnë devotshmërinë dhe përmbush nevojën tonë për të ruajtur një marrdhënie midis nesh dhe Zotit larg syve të njerëzve.

 Mos e lërë të aktivizuar opsionin autopilotim

Na është mësuar gishti aq shumë duke bërë scroll saqë është kthyer në një manovër pamendje. Muskujt e trurit veprojnë në mënyrë institktive saqë mund të na ndodhë të marrim celularin në dorë, qoftë gjatë një bisede apo duke kryer ndonjë aktivitet tjetër, dhe fillojmë të bëjmë scroll pa e pasur mendjen fare tek telefoni në fakt por tek aktiviteti në fjalë.

Mundohuni ta luftoni këtë, dhe Ramazani është një kohë e përshtatshme për të lënë vese të vjetra. Ndaluni për pak sekonda saherë që merrni në dorë telefonin. Meditoni rreth qëllimit përse e keni hapur internetin: për të dërguar një mesazh, për t’u informuar me të rejat më të fundit, për të lexuar ndonjë gjë interesante apo për të ndarë ndonjë gjë që mendoni se mund të jetë e dobishme edhe për të tjerët? Po nëse përballeni me sukseset e njerëzve të rrethit tuaj? Cili është mendimi i parë që ju vjen në mendje? A ju kaplon ndonjëherë ndjenja e cmirës apo keqardhje për veten se përse edhe ti nuk po korr suksese të tilla?

Në këtë rast do doja të sillja një pjesë nga historia islame kur Zekerija gjendet tek dhoma e Merjemit, nëna e Isait a.s, dhe përballet me një skenë mbresëlënëse: fruta jashtë sezonit dhe furnizime për t’u pasur zili. Edhe më mbresëlënës është reagimi i tij: tërhiqet në vetvete për pak çaste dhe i drejtohet të Plotfuqishmit me një nga duatë më të njohura kur kërkojmë prej Zotit rrisk prej Tij.

Agjërim i përkohshëm.

Agjërimi që bëjmë ne në ditët e sotme është një agjërim me shkëputje pra konsumojmë ushqim dhe pije gjatë perjudhës kohore të lejuar dhe ndalohemi prej tyre gjatë pjesës tjetër. Një lloj agjërimi i tillë ka dobi shëndetësore qoftë trupore qoftë psikologjike, përkundër agjërimit pa ndërprerje. Provojeni që për disa ditë të tërhiqeni nga rrjetet sociale apo në një ditë të të caktuar të tërhiqeni për disa orë. Mbyllini profilet tuaja për pak kohë sepse kjo perjudhë kohe ju ndihmon që të fokusoheni tek jeta juaj dhe tek përparësitë tuaja jashtë botës virtuale.

Në disa orare të caktuara të ditës, sidomos në mbrëmje kur njeriun e kap zakonisht një ndjenjë trishtimi dhe vetëgjykimi për shkak se nuk ka qenë në gjendje të përmbushë disa objektiva ditore, qëndrimi në rrjetet sociale mund të jetë shumë i dëmshëm për vetëbesimin. Kjo ndodh sepse zakonisht njerëzit preferojnë të ndajnë me të tjerët aspekte pozitive të jetës së tyre dhe ngurrojnë të ndajnë dështime apo sfida të përditshme. Shkëputja ndihmon që të veçohemi me vetet tona dhe të meditojmë rreth faktit se mbajmë përgjegjësi për gjërat që shohim dhe se si i shohim. Ka thënë Profeti Muhamed a.s: “Shikoni ata që janë më poshtë se ju (në çështjet e dynjasë), e mos i shikoni ata që janë mbi ju, sepse kjo është më e ndershme që të mos përbuzni mirësinë e Allahut ndaj jush!”

Duke u përqëndruar tek arritjet e të tjerëve bëhemi më shumë pesimist dhe më pak mirënjohës për të mirat që na janë dhënë.

 Postoni sa më pak dhe mbani përgjegjësi për çdo gjë që postoni.

Meqenëse rrjetet sociale kanë këtë fuqinë e deformimit të realitetit sikur të ishte një botët tjetër, njerëzit marrin kurajon të shprehin ligësi që në jetën reale nuk do i kishin thënë kurrë. Mirëpo ne jemi përgjegjës për çdo gjë që shkruajmë ashtu sikurse për çdo gjë që themi me ndryshim se në rrjetet sociale lihen gjurmë, një audiencë e gjërë do të jetë dëshmitare për ligësitë e thëna, ndërsa në botën reale fjalët mund të harrohen ose mbeten vetëm mes dy bashkëbiseduesëve. Por nëse pendohemi dhe kërkojmë hallallin a jemi në gjendje ta bëjmë këtë publikisht? A kemi mundësi të ç’bëjmë atë që ishte e dukshme për qindra mijëra ndjekës? E frikshme, apo jo?! Rikujtoj në këtë rast thënien profetike: “Kush sjell një shprehi a traditë të mirë në Islam, do të ketë për të shpërblim, por edhe shpërblimin e të gjithë atyre që pas tij e punojnë atë, pa ju zvogëluar aspak shpërblimi i tyre. Ndërsa kush sjell në Islam një shprehi a traditë të keqe, do të jetë barrë mbi të, por edhe barrë e të gjithë atyre që ashtu veprojnë pas tij, pa iu zvogëluar aspak përgjegjësia dhe dënimi i atyre të tjerëve.

Meqenëse Ramazani është gjithmonë një fillim i ri për t’u larguar nga veset dhe gjërat që na hutojnë mund të përfitojmë nga ky rast të vendosim disa kufij vetes në lidhje me përdorimin e rrjeteve sociale. Të fillojmë ta përdorim, për punë të mira dhe për të lënë gjurmë të mira, dhe jo të na përdorë!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.