Imagjinoni për një moment se po bie shi. Dhe imagjinoni se jeni brenda shtëpisë tuaj, duke vështruar sesi ai bie. Por imagjinoni se ka diçka shumë ndryshe në lidhje me këtë shi. Është ndryshe nga çdo tjetër që mund të keni parë ndonjëherë. Në këtë ditë, nuk po bie ujë nga qielli. Po bie diçka shumë më e çmuar për ju. Paramendoni se në këtë ditë po bien njëqind dollarë.
Çfarë do të bënit? Çfarë do të ndodhte në lagjen tuaj atë ditë? Çfarë do të ndodhte në botë? A nuk do të vraponim jashtë duke garuar për të fituar sa më shumë para që bien mbi ne? A nuk do të qëndronim jashtë gjithë natën për të mbledhur sa më shumë që të jetë e mundur?
Ne do ta bënim këtë për para, sepse paraja është e çmuar. Por imagjinoni për një moment se po bie diçka e paçmueshme. Jo mijëra dollarë,as triliona, por mëshira e Allahut swt një monedhë që asnjë monedhë njerëzore nuk mund të masë.
I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s ka thënë: “Ramazani ka ardhur tek ju. (Është) një muaj bekimi, në të cilën Allahu ju mbulon me bekim, sepse Ai dërgon Mëshirën e Tij, fal gjynahet dhe u përgjigjet lutjeve të robërve të Tij. Në të, Allahu e shikon garën tuaj (në vepra të mira), dhe mburret me ju tek engjëjt e Tij. Tregoni, pra, mirësinë e Allahut për veten tuaj, sepse i pafat është ai që në këtë muaj është i privuar nga mëshira e Allahut, i Fuqishmi, i Lartësuari. “[Transmetuar nga Tabarani]
Në këtë muaj jemi të mbrojtur nga zjarri i xhehenemit, të mbrojtur nga shejtani dhe të pastër nga mëkatet tona. Pejgamberi a.s ka thënë: “Kushdo që agjëron gjatë Ramazanit nga besimi i sinqertë, duke shpresuar që të arrijë shpërblimet e Allahut, atëherë të gjitha mëkatet e tij të kaluara do të falen.” (Buhariu). Në një hadith tjetër ai ka thënë: “Kur fillon muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit dhe shejtanët janë të lidhura me zinxhirë”. [Buhariu]
Në këtë muaj, ka një natë që është më e vlefshme se njëmijë muaj (97: 1-5). “Ka mbrojtje nga zjarri i Xhehenemit, të paktën 70 herë shpërblim për veprat tona dhe shansi për të dalë me mëkate të falura”. (Hadith) Pra, çfarë humbjeje më të madhe mund të ketë nëse gjendemi në mes të këtij masivi bekimesh pa arritur të mbledhim gjithçka që mundemi nga mëshira e Allahut?
Ndërko që kjo mëshirë na mbulon gjatë gjithë këtij muaji të bekuar, dhjetë ditët e fundit të këtij muaji janë si asnjë tjetër. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se me fillimin e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, Profeti (as) e shtrëngoi rripin e belit (domethënë do të punonte fort) dhe lutej gjatë gjithë natës, sikurse dhe familjen e tij e mbante zgjuar për namaz [Buhari].
Por si mund ta shfrytëzojmë plotësisht këtë muaj të bekuar, veçanërisht në dhjetë ditët e fundit?
Ja disa mënyra:
Caktoni një takim privat me Allahun
Vendosni një kohë para ose pas syfyrit për të qenë vetëm me Zotin tuaj. Shfrytëzojeni këtë kohë për të biseduar më të nëpërmjet namazit, duke bërë du`a, ose duke lexuar Kur’an. Nuk ka kohë tjetër të vlefshme sa kjo. Pejgamberi a.s tha: “Kur të mbetet një e treta e natës, Zoti ynë, i Madhëruar, zbret drejt qiellit të poshtëm dhe thotë:” A ka ndonjë që më lutet, dhe unë të ia pranoj lutjen? A ka dikush që kërkon diçka prej Meje, e Unë ta plotësoj dëshirën e tij? A ka dikush që kërkon faljen time, e Unë ta fal atë? “[Buhariu dhe Muslimi].
Caktoni një kohë për reflektim
Në mes axhendës tonë të zënë, rrallëherë gjejmë kohë për të ndaluar dhe pushuar, e lëre më pas të reflektojmë mbi realitetet e jetës. Gjeni kohë për ta bërë këtë. Gjeni kohën e duhur për të dalë jashtë rutinës tuaj të përditshme dhe të shikoni se ku jeni dhe ku po shkoni. Mendoni për krijimin rreth jush dhe mbi realitetin e kësaj jete, vdekjen dhe takimin tonë përfundimtar me Krijuesin tonë. Zgjidhni një kohë, si psh e treta e fundit e natës, kur nuk ka diçka që të tërheq vëmendjen.
Bëni një udhëtim për Allahun
Ne të gjithëve na duhet ndonjëherë të ikim, të largohemi. Përdorni Ramazanin si një shans për të ikur me Allahun sët si shoqëruesi juaj. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut a.s praktikoi I`tikaf (qëndrim në xhami) në dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe thoshte: “Kërkoni Nata e Kadrit në dhjetë netët e fundit të muajit të Ramazanit” [Bukhari].
Mos e humbni Natën e Kadrit
Ka një natë në dhjetë netët e fundit të Ramazanit që është më e vlefshme se njëmijë muaj (1000 muaj, 83.3 vjet). Pejgamberi a.s ka thënë: “Kushdo që falet natën e Kadrit me shpresë për shpërblimin e tij, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.” [Buhariu dhe Muslimi]
Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “E pyeta Pejgamberin, O i Dërguari i Allahut, nëse e di se çfarë nate është nata e Kadrit, çfarë duhet të them gjatë asaj?” Ai tha: “Thuaj: O Allah, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua. ‘”[Ahmedi, Ibn Majah, Tirmidhi]
Përktheu: Jonida Vishkurti (Hoxha)

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.