Saga e 15 Korrikut (një rrëfim)

0

Duke qenë dëshmitare e ngjarjeve të Gezi Parkut dhe valëve të ngjarjeve që pasuan, protestat antiqeveritare u kthyen në një realitet të përditshëm. Kemi përjetuar pasdite të gjata të frikshme mbyllur në apartamentin tonë ku në çdo shpërthim mendonim se erdhi fundi. Ishte me keq se ‘97-ta. Ndoshta sepse këtë herë isha më e vetëdijshme se çfarë po ndodhte. Gjatë 97-tës i qasesha fshehurazi dritareve apo ballkonit për të nuhatur aromën e barutit aq të këndshme për mua asaj kohe. Ndiqja plot kuriozitet të ashtuquajturën “gjendje të jashtëzakonshme” si të ishte një film Far West. Ndërsa gjatë këtyre trazirave hapja e dritares për të ajrosur ambinetin pushtuar nga gazi lotsjellës ishte sfidë më vete sepse kështu hynte akoma më shumë gaz dhe si përfundim frymonim me maska edhe brenda në shtëpi.
Unë, dëshmitare e mëngjeseve pas ngjarjeve kapluar nga një ndjenjë dhembshurie teksa shihja Ankaranë time të shkatërruar nga bijtë e këtij populli që ishin shndërruar në armiq të vetes. Po unë, një ditë, u gjenda vetë fizikisht brenda këtyre ngjarjeve. Atë ditë sa nuk humba fosnjen në bark. Në çarshi po ndodhte një protestë e panjoftuar, e kështu e gjeta veten mes njerzve që vraponin pa drejtim dhe turreshin tufa tufa për t’i shpëtuar gazit helmues si të ishte Dita e Fundit.
Pas kësaj, një seri ngjarjesh të tjera pasuan njëra tjetrën si një vargë rruaze të këputur. Një numër i konsiderueshëm studentësh dhe aktivistësh nga Ballkani, përkatësisht të lëmive të gazetarisë dhe teologjisë u morën nën vëzhgim përtej kangjëllave si një lloj forme presioni parapërgatitës i 15 Korrikut. Të dënuar me akuzën e vetme se ishin produkt i një projekti të kesaj qeverie dhe që së shpejti do të kthehesin në vendet e tyre për t’i bërë yzmet kësaj qeverie e cila investoi për to.
“Pra ju na qenkeni ambasadorët e ardhshëm të këtij vendi?!” thanë Ata, “Ju duhet një shkundje e mirë para se të largoheni” shtuan Ata. Më vonë u zbulua se Ata ishin armiqtë e këtij vendi që po thurnin kurthe për të shënuarën ditën: 15 Korrikun.

Nuk mund ta përshkruaj trishtimin që më pushtoi kur në një mbrëmje meskorriku, duke pirë çajin e zi si nata, në një nga rrugët shtruar me kalldrëma të çarshis së Vjetër e të rrethuar me miq turq, morëm lajmin e hidhur. “Zoti është i madh” u dëgjua diku. “Kalaja e fundit e këtij umeti po kërcënohet, e nëse bie dhe kjo e fundit kala, ra Ballkani, ra dhe i gjithë umeti” u dëgjua diku tjetër. Dikush doli dhe u lut “Mos na lëntë Zoti përsëri pa ezan, pa Kuran, e pa Islam”. Tufa njerëzish vërshuan shesheve dhe i mbuluan ato me kuqe e bardhë. Zemrat e njerëzve atë natë paskan rënë dakort, pa pasur nevojë për thirrje, organizime e komunikata për të dalë në mbështetje. Agimin e të nesërmes mund t’i dalloje qartë zëngjirurit, syfryrët të cilët kishin dalur shesheve në mbështetje.
Për një moment mendova se çdo gjë mori fund. Se nuk do t’i shkelja më ato toka, se nuk do të përqafoja më ata njerëz e mbi të gjitha se nuk do të mund të çoja deri në fund misionin tim. “Ata ja dolën”, mendova me vete. Familjarë e miq më ishin lutur të mos kthehesha më. Por mua nuk më frikësonte aq shumë rikthimi se sa të lija përgjysëm arsyen për të cilin kisha ardhur.
Rrugës për në kthim nuk bëja gjë tjetër vetëm se mendoja për ditët plot ngjyra kulturash dhe shijesh të ndryshme: mëngjesi në një familje turke, dreka në sofrën uygurase, ëmbëlsirat siriane, çaj kinez pasditeve bregut liqenit apo darkë afgane në një ylber kombinimi traditash nga e gjithë bota..
Falë këtij vendi arrita të mësoja se si jetohet në dhe’ të huaj, se si të ndryshoja gjuhën në të qindëtën të sekondës në varësi të personit përballë, si të vlerësoja kultura të ndryshme, si të përqafoja mundësi të reja, si të kërkoja ndihmë e si të pranoja mbështetje.
Po vjen koha për t’u kthyer! Koha për yzmet ndaj atdheut!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.