Vetëpërmbajtja, si dhe bindja e rrënjosur se besimi duhet ta mposhtë medoemos sëmundjen mendore, i ka ndaluar deri më tani burrat, që të marrin ndihmën për të cilën kanë nevojë. Por ka ardhur koha që kjo gjendje të ndryshojë.
Aktualisht, shëndeti fizik dhe mendor i burrave në Britani është në krizë. Nivelet e obezitetit dhe rastet e kancerit të prostatës janë gjithnjë e në rritje. E njëjta gjë vërehet edhe me çrregullimet e të ngrënit (anoreksia, etj.), të cilat deri kohët e fundit kanë qenë shumë të rralla. Vetëvrasja është kthyer në shkakun kryesor të vdekjes tek burrat nën moshën 35 vjeç, çka do të thotë se gjendja e shëndetit mendor është ndoshta nga më alarmantet. Në rang global, depresioni ka zënë vendin e dhimbjeve të shpinës, duke u bërë kështu, shkaktari kryesor i paaftësisë për punë.

Përgjatë viteve të punës time në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (NHS), – sidomos në kohë emergjencash apo edhe gjatë punës vullnetare me refugjatët dhe me të shpërngulurit në Kalais, Lesvos dhe Irak, – kam parë me sytë e mi se çfarë pasojash lënë sëmundjet mendore tek burrat muslimanë, ndër të cilët jam edhe vetë.

Është çështje kulture, në fakt. Ne kemi trashëguar disa ideale të maskilizmit toksik, pjesa më e madhe e të cilave janë vërtet të dëmshme. Ndër to dallohen: rëndësia e të qenit i durueshëm, i të dukurit si i pathyeshëm, apo imazhi i burrit pa kurrfarë dobësie, që furnizon familjen.

Përveç këtyre, ka edhe të tjera pikëpamje të rrezikshme tradicionale, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë e të zbatohen ende. Zakonisht, faji bie mbi njeriun që është në depresion. Sikur të mos mjaftonte kjo, atij i vihet në pikëpyetje edhe niveli i besimit dhe trajtohet në mënyrë të atillë, sikur kjo gjendje të lidhej pikërisht me të.

Në të shumtën e rasteve, problemet e shëndetit mendor perceptohen si dobësi të individit përkatës. Shpeshherë, anëtarët e komunitetit besojnë se, meqë depresioni nuk ka shenja të dukshme, atëherë ai thjesht nuk ekziston. Në këtë kuadër, është tepër domethënës fakti, se në shumicën e gjuhëve aziatiko-jugore që fliten nga muslimanët britanikë, fjala “depresion” nuk ekziston askund. Ekziston vetëm një shprehje e përafërt me të, ku depresioni përshkruhet si “gjendje psikotike afatgjatë”.

Më pak se 1/3 e burrave arrijnë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Madje, burrat që u përkasin komuniteteve etnike dhe fetare të caktuara, janë edhe më të paktë në kërkimin e ndihmës profesionale. Për mua dhe kolegët e mi të shëndetit mendor, kjo është një gjendje tepër kritike. Shumë prej këtyre burrave nuk i pranojnë problemet që kanë dhe kërkojnë ndihmë vetëm atëherë kur gjendja përkeqësohet së tepërmi.

Në rastin e Z. Khan psh., situata u kuptua shumë shpejt. Gjatë vizitës, gjërat u bënë të qarta si për mua, ashtu edhe për të. 15 minuta më pas, ai u largua nga klinika ime me një diagnozë depresioni të përcaktuar, me një listë gjërash për të bërë gjatë javëve në vijim, si dhe me datën e takimit të radhës, ku do të shihnim ecurinë e gjendjes së tij.

Gjendjen depresive të Z. Khan arritëm ta kapnim e ta trajtonim në kohë, por për fat të keq, shumë të tillë si ai, nuk janë aq fatlumë. Shërbimi Kombëtar i Shëndetit është i mbingarkuar dhe nuk i zotëron burimet e mjaftueshme për t’i ndihmuar ata në kohën dhe efikasitetin e duhur.

Por, pse po i shkruaj të gjitha këto? Si mjek, si aktivist i çështjeve të shëndetit dhe si mbështetës i mjekësisë parandaluese, mendoj se ka ardhur koha që të flitet dhe të adresohet me seriozitet problematika në fjalë. Ka ardhur koha që komunitetet muslimane si dhe prijësit e tyre të flasin për këto çështje, të flasin për tabutë rreth tyre dhe të mbështesin njëri-tjetrin për nevojat shëndetësore të anëtarëve të tyre.

Përveç kësaj, ka ardhur koha që të ofrohen shërbime të specializuara mjekësore, të bazuara në specifikat e kulturave të ndryshme. Këto shërbime duhet të përfshijnë në vetvete edhe qasjen holistike ndaj problematikave, si dhe mbështetjen ndërmjet/prej anëtarëve të vetë komuniteteve përkatëse.

Në mbyllje, do të doja t’u thoja të gjithë burrave që vuajnë nga depresioni, apo nga forma të tjera të shëndetit fizik dhe mendor, se ata s’kanë bërë asgjë të gabuar, se Zoti nuk është i zemëruar me ta dhe se s’duhet të vuajnë në heshtje.

Ka ardhur koha që të flisni hapur me mjekun për shqetësimet që keni rreth shëndetit tuaj. Nuk është kurrë vonë për të kërkuar ndihmë!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.