Nga Besarta Fazliu

Këtë radhë do të shtjelloj parimet që çojnë drejt suksesit dhe qetësisë së brendshme, të cilat, nëse zotërohen dhe praktikohen në baza ditore, do të të udhëheqin drejt një ndjenje paqëndjellëse e qetësie.

  1. Koncepti i shpresës

Nise çdo ditë të jetës tënde duke menduar mirë për Zotin dhe duke e falënderuar për të mirat me të cilat ai të ka bekuar. Dhe jo vetëm ta mendosh, por edhe ta përjetosh prezencën e Tij në çdo pore të jetës tënde sepse çfarëdo qoftë ajo nëpër të cilën je duke kaluar, mund të ishte edhe më keq andaj bëhu falënderues.

Duke qenë mirënjohës për begatitë që Ai të ka dhënë dhe duke çmuar po ashtu prezencën e  personave të tjerë në jetën tënde si prindërit apo gjyshërit, motrat apo vëllezërit, bashkëshorten apo bashkëshortin, fëmijët apo miqtë, duke shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për ta.

Më pas, hap ditarin tënd dhe shëno një falënderim dedikuar kujtdo që ka lënë gjurmë në jetën tënde apo të ka ndihmuar që të tejkalosh cilëndo qoftë nga sfidat tua jetësore apo qoftë edhe vetëm një fjalë e mirë nga ta. Mirënjohja është dritë për shpirtin andaj bëje atë të shkëlqejë!

  1. Vetëpranimi

Secili nga ne mbart sukseset dhe dështimet e veta të dukshme ose jo, prandaj vuajtja nga keqardhja e brendshme që na bën të ndihemi si dështakë, mbushet me konflikt dhe zemërim si dhe me konfuzion për atë se çfarë kuptimi ka jeta. Por e vërteta është se qëndrojmë përballë një numër të pafund të mundësive. Dhe, kudo që je apo çfarëdo gjendje të pashpresë në të cilën mendon se je, je pikërisht përballë shumë alternativave të pa hulumtuara, për shkak të mungesës së një disipline apo zbatimi të detyrueshëm të disa rregullave të caktuara në mënyrë të ndërgjegjshme.

Pra, të nxis që të hapësh mendjen tënde ndaj mundësive që ke përpara, t’u rezistosh përpjekjeve për injorimin tënd dhe të jesh i hapur për t’i kontribuar paqes individuale.

Andaj, bëj një listë të sukseseve dhe dështimeve tua si dhe shëno për secilën se si ka ndikuar në jetën tënde por edhe shkaqet apo arsyet që ta kanë mundësuar një sukses apo pamundësuar atë. Kështu do ta kesh më të lehtë të identifikosh potencialin dhe mangësitë e tua dhe t’i orientosh ato drejt një qëllimi madhor.

  1. Vendim-marrja

Ne mund të mendojmë rreth vendimeve që kanë mjaft ndikim në jetën tonë. Ato mund të ndryshojnë qëllimet tona duke ndryshuar po ashtu fokusin tonë. Kur ndryshoni fokusin, mendimet tuaja ndryshojnë gjithashtu.

Mendimet e tua vijnë të shoqëruara me energji prandaj edhe ndryshimi është i mundur sepse ato fuqizojnë njeriun dhe mendja është mjet i fuqishëm në krijimin e mirëqenies.

Nëse mendimet e tuaja janë të fokusuara në atë çfarë ti dëshiron të tërheqësh në jetën tënde dhe këto mendime i kanalizon drejt një qëllimi të rëndësishëm, atëherë domosdoshmërisht do të veprosh drejt realizimit të atij qëllimi ngase paraardhës i secilit veprim është thjesht mendimi. I gjithë ky proces është vetëm një vendim i vetëdijshëm nga ana jote për të qenë përgjegjës për të menduarit tënd dhe pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhesh, është zgjedhja jote.

Meqenëse është kështu, krijo një listë të mendimeve tua negative dhe që të shqetësojnë apo dobësojnë duke i radhitur një për një. Identifiko bllokimet e ‘trafikut’ në mendjen tënde të cilat të sjellin ankth. Në këtë mënyrë ju mund të përdorni këtë proces si mjet për të krijuar një strukturë të qëndrueshme të të menduarit. Psikologia Diane Barth thotë se mbajtja e ditarit është një mjet shumë efektiv i cili ju ndihmon të përballeni me veten dhe derisa shkruani dhe pranoni që ndiheni i pakënaqur me veprimet tuaja, do t’ju ndihmojë të mësoni t’i anashkaloni situatat që ju shqetësojnë dhe të çlironi mendjen nga mendimet shpërqendruese.

Këto praktika të të shkruarit do ndihmojnë të zhbllokosh të menduarit dhe të kuptosh gabimet e tua dhe mësimet e nxjerra nga to duke të ofruar rrugë të reja të shtegtimit në botë.

Shkruaj, dhe kupto superfuqinë tënde!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.