Nga Besarta Fazliu*

Të shkruash do të thotë t’i japësh të drejtë vetes që të largohesh për pak nga kjo botë, ta ri-frazosh veten dhe ta redaktosh, të vendosësh pikat dhe presjet, të rikuperosh pendesat që shpirtin ta rëndojnë, t’i prekësh ato ëndrra që pret t’i jetësosh, të lundrosh brenda vetes e copëzat e thyera t’i bashkosh, të vishesh me petkun e dashurisë e shpresën ta vësh si kurorë.

Pastaj, të vish prapë në jetë, ndryshe…

Gjithsesi, për një numër të madh njerëzish shkrimi është një ëndërr që mbetet më e bukur në mendjen e tyre.
Nëse po përballesh me dilema të shumta dhe  je duke luftuar për të përfunduar draftin e parë të krijimtarisë tënde, mos u shqetëso! Jeta e ka një fund, shqetësimet jo. 😀

Të mos dish se nga ta fillosh në këtë rrugëtim fjalësh, është e zakonshme dhe më e rëndësishmja në këtë rast është fakti që po ndiheni të shtyrë për të shkruar dhe nuk ka shpëtim nga kjo, përveç se të mësosh zanatin.

Ky proces është një rrëmujë e bukur, një agoni e ëmbël. Është një dhuratë e mrekullueshme, vepër e cila synon për të ndriçuar prirjet shpirtërore duke u ngjizur me të vërtetën e krijimit të botës e të jetës, ku të gjitha kanë një bosht të përbashkët, për ta çuar njeriun drejt përsosmërisë së plotë.

Mirëpo, nuk është krejtësisht e thjeshtë të posedosh në duar ditarin e shkrimtarit/poetit.
Pra, ndryshe nga praktikat krijuese të përbotshme, të shkruash nuk do të thotë vetëm të ulesh në tavolinën e punës me një letër dhe laps (apo para kompjuterit me duar në tastierë) dhe të fillosh të shkruash çdo gjë që të vjen në mendje. Një poet ka thënë: “Për të shkruar është e domosdoshme të ndjesh, sepse në momentin që ndjen, ti nuk je askush tjetër përveç vetes tënde. Megjithatë, nuk është asnjëherë shumë herët e as shumë vonë. Për të mësuar është gjithmonë koha e duhur.”

Si të fillojë? Ku të fillojë? Kur të filloj? Këto e shumë pyetje të tjera do t’i diskutojmë javën e ardhshme në të njëjtën ditë.

*Besarta Fazliu është Psikoterapiste Pozitive dhe Master Trainere e çertifikuar nga MASHT dhe GIZ. Ka diplomuar në Shkenca Sociale dhe është në përfundim të studimeve master në Psikologji Organizative dhe Psikoterapi Pozitive. Është autore e Librit të titulluar “ESËS”.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.