Jam në autobus në një nga linjat e Tiranës, ndërsa gra rreth meje shfryjnë pasthirrmën kronike verore”uh sa vapë, plasëm”. Të mbushura në djersë, me freskuese në dore që vërtisinin majtas djathtas nën refrenin e vazhdueshëm. Ndërkohë më shikojnë mua plot habi: as edhe një rënkim, as edhe një tentativë përpëlitëse apo ofshamë përgjëruese për pak fresk. As edhe një pikë djerse të më kalojë nga balli nëpër vetull, të më sfidojë pastaj qerpikët apo të guxojë të shëtisë nëpër faqe e pastaj “plluq!” të bjerë në tokë.  “S’kanë vapë këto, i ruan Zoti” shprehet një zonjë me një ton paksa me xhelozi, dashje pa dashje duke na shndërruar kështu nga qënie normale në disa krijesa me fuqi mbinatyrore. Ua kthej komplimentin me nje buzëqeshje miratuese plot krenari dhe dinjitet por pa kaluar në mburrje.

Nga tradita profetike jemi mësuar që pyetjeve të ndryshme t’u përgjigjemi në bazë të personit që kemi përballë, duke marrë parasysh këtu backgroundin (kapacitetin intelektual, bagazhin informariv, origjinën/prejardhjen, klasën sociale etj.) Kjo, jo për të diskriminuar bashkëbiseduesin tonë, por përkundrazi për të pasur kujdes që të japim një përgjigje të përshtatshme, në solidarizim me personin përballë.

Në fillim përqendroja energjitë dhe kohën time duke u munduar të shpjegoj efektet e shamisë, se si në ambientet e jashtme gjatë ekspozimit të diellit shamia do pengonte depërtimin e rrezeve të diellit, rrezeve ultravioletë falë fibrës së copës, dhe vapës në tërësi. Ndërsa në ambiente të brendshme, copa prej pambuku do ndihmnte në përthithjen e nxjerrjes së toksinave, shkurt djersitjes, dhe kështu do të pakësonte ndjesinë e vapës.

Tani i bie shkurt: kur më pyesin a ke vapë, u them: po! Kam vapë, ashtu sikurse dhe ti. Eshtë verë, janë temperaturat 40, dhe vetëm ndonjë jashtëtoksor nuk do të kishte vapë.” Jo sepse nuk kam më durim dhe energji t’u shpjegoj për shaminë, por sepse dallohet pyetja tendecioze, apo pyetja rutinë e kthyer në zakon. Sot, numri i muslimanëve, dhe vajzave të mbuluara veçanërisht, është rritur ndjeshëm si rrjedhojë çdo kush mund ta ketë një të afërt prej së cilës mund të informohet. Nga ana tjetër mund të lexojë ose të pyesë falë aksesit që kemi të gjithë ndaj teknologjisë dhe informacionit.

Përtej naivitetit të pyetjes së bërë me dashamirësi, ekziston dhe një anë paradoksale e pyetjes që lidhet me mendjengushtësinë dhe kompetencat që marrim ne për të ndërhyrë si fillim në diçka që nuk na takon, pastaj në diçka që është ndryshe nga ne apo që s’mund ta kuptojmë. Mendojeni për pak çaste: a do kishte guximi t’i drejtoheshit dikujt me maskë “përse e mbani maskën? A nuk ju zihet fryma me këtë vapë?” por direkte hamendësojmë se mund të ketë një sëmundje espiratore ose ngjitëse dhe për të mos e bërë tjetrin të ndihet keq bëjmë sikur nuk e vërejmë. Apo: mendoni sikur të pyesim një person i cili del pa kapele, syze ose çadër dhe i kërkojmë llogari se a nuk ka vapë që del ashtu në mes të diellit përvëlues pa u mbrojtur aspak? Apo më keq akoma, nëse i drejtohemi një vajze e cila është veshur tepër e hapur dhe tepër e ekspozuar duke e pyetur “a nuk ke vapë që je ekspozuar aq shumë ndaj rrezeve të diellit?”. Nëse do e bënim një gjë të tillë do të na shihnin si konservatorë, të prapambetur, mendjengushtë dhe në më të keqin e rasteve do mendojnë se kemi luajtur mendsh. Atëherë përse ne toletojmë që të tilla pyetje t’u bëhen muslimaneve me shami?

Kuptohet, së pari duhet të dallohet rasti nga rasti duke pikasur pak a shumë arsyen se përse bëhet pyetja.

Në një vizitë tek të afërimit e bashkëshortit dikush nga fisi pas 10 vjetësh rrjesht ma drejtoitë njëjtën pyetje epike “ a nuk ke vapë?”. Aty kuptova se në fakt pyetësi nuk ishte vërtetë i/e interesuar për gjëndjen time fiziologjike apo sakëlldisjen shpirtërore, por në fakt pyetja i vjen instiktive, është kthyer në një rutinë e cila përsëritet për çdo vit. Ndaj dhe me buzëqeshje ja ktheva: “jam mësuar”!

Nga ana tjetër nuk pajtohem dot me atë lloj grupi prej komunitetit tonë, të cilët padyshim kanë qëllim të mirë për t’i përcjellur ritet fetare si praktika të bëshme, normale për jetën e kësaj bote. Por nga ana tjetër rrezikojmë duke i normalizuar aq shumë, saqë mundi dhe sakrifica venitet totalisht dhe të tilla vepra duken si të arritshme nga çdo kush. E vërteta është se vepra të tilla kërkojnë durim dhe përkushtim. Kërkojnë bindje dhe nënshtrim, dhe mbi të gjitha devotshmëri.

Ekzistojnë shumë arsye se përse ne e durojmë vapën dhe largimin nga ushqimi dhe pija gjatë ditëve të nxehta të Ramazanit. Durojmë gjithashtu vapën sfiduese kur ke një veshje modeste apo gjithashtu mbartë dhe një pëlhurë mbi kokë, ndër to (dhe e cila nuk përmendet thuajse kurrë) është vapa përvëluese e zjarrit prej të cilit lusim Zotin të na mbrojë. Mirëpo me të drejtë deri diku si përgjigje mund ta japim vetëm për dikë që ka informacion dhe background fetar por mbi të gjitha dhe devotshmërinë  e duhur për të kuptuar se “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve” (Enam 162)

*shkrimi eshte botuar per here e pare per Revisten Familja, Korrik, 2019.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.