Nga Klodi Smajlaj
I njëjti skenar prapë e prapë: myslimanë anekënd që vihen në mbrojtje e në pozitë qyqarllëku për krime të sajuara shtetërore, të cilat inskenohen periodikisht sipas interesave politike.
Po ç’punë kemi unë e ti, si myslimanë, me një krim? Ç’punë kemi unë e ti që të shfajësohemi a të ndjejmë nevojën për t’u mbrojtur, vetëm sepse krimineli paska thënë ‘Allahu Ekber’ a pse qenka aq ‘i devotshëm’, sa e mbaka kudo Kuranin me vete?!
Jo, s’kemi pse të reagojmë për gjëra që s’kanë lidhje me ne e as të shfajësohemi kolektivisht për krime të stisura me prapavijë të qëllimshme.
Realiteti i vërtetë s’është ai i medias, por është ai që jetojmë e prekim me duar, ai që ndjejmë në çdo qelizë. Në të përditshmen tonë, ne jemi bashkë myslimanë e të krishterë, fetarë e afetarë. As vrasim, e as e justifikojmë vrasjen. Përkundrazi, e dënojmë me forcën më të madhe. Bashkëgjallojmë të gjithë, ndërveprojmë, komunikojmë, qeshim, takohemi, shkëmbejmë ide e mendime. I bëjmë të gjitha këto çdo ditë dhe kudo, në pallat, lagje, rrugë, autobuzë. Kjo është e vërteta. Kjo është e jetueshmja e ditëve tona.
Ndaj, mos e lini urrejtjen, ndasitë e paragjykimet që nxit djalli me mekanizmat e tij, që t’jua pushtojnë zemrat dhe mendjet e për pasojë ta shihni si të huaj, atë që përherë e keni parë si tuajën.
‘E huaja’ është mashtrim. Është manipulim mendjesh. Është përçudnim.
E vetmja e vërtetë është ‘e juaja’, është ajo që prekni, që jetoni e që dëshmoni çdo ditë!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.