Nga Yasmin Mogahed

Kjo për të cilën do t’iu flas tani do t’iu duket si një këndvështrim ndoshta i çuditshëm. Por do ju lutesha ta lexonit deri në fund. Dhe kërkoj një gjë prej jush: Ju lutem lexojeni me gjithë zemër, e nëse e shihni të dobishme, shpërndajeni tek të tjerët…

Allahu gjithmonë jep. Edhe atëherë kur duket sikur Ai ka ndaluar së dhëni. Besimtari i mençur përqëndrohet në ato që i është dhënë, në vend që të fiksohet në iluzionin e asaj që i është marrë.

Këtë vit, Ramazani ka ardhur në mes të një pandemie globale. Dhe shumë prej nesh ndihen të privuar. Për herë të parë në jetën tonë, e kemi të pamundur të shkojmë në xhami, të falim teravi apo të qëndrojmë në itikaf. E kemi të pamundur të frekuentojmë iftaret familjare e ato komunitare. Shumë prej nesh janë të shqetësuar se ky Ramazan nuk do të jetë i plotë. Dhe do të ishte me të vërtetë kështu, nëse unë dhe ti do ta privonim veten tonë nga këto aktivitete në mënyrë të qëllimshme, por jo kur kjo e fundit është caktim i Allahut. Kjo është vërtet e thellë. Kujtoni se vendimet e Allahut për besimtarët janë gjithmonë të mira për ta.

Profeti Muhammed (s.a.s.) ka thënë:

 “E çuditshme është çështja e besimtarit! Çdo gjendje që ai përjeton, është mirë për të, e nuk e arrin këtë askush tjetër përveç besimtarit. Nëse besimtarin e qëllon një e mirë, ai falënderon (Allahun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër), e edhe kjo i sjell dobi.” (Sahih Muslimi 2999)

Kjo do të thotë se të gjitha rrethanat e caktuara nga Allahu janë të mira për ne – për sa kohë përgjigja e besimtarit është durimi dhe mirënjohja. Ndonjëherë dhuratat janë të mbështjella me privim dhe kënaqësi.

Allahu thotë, “Ndodh qe mund ta urreni diçka, nderkohe ajo eshte e mire per ju,dhe ndodh qe ta doni diçka, nderkohe ajo eshte e keqe per ju. Allahu e di (me mire), ju nuk e dini.” (Kuran 2:216)

Gjërat janë shpeshherë ndryshe nga çfarë duken, por për shumë njerëz, frika e tyre më e madhe është se ky privim mund të jetë ndëshkim apo shenjë e pakënaqësisë së Allahut.

Tani, çështja bëhet akoma dhe më e thellë. Edhe nëse besimtari fiton zemërimin e Allahut, privimi përsëri mund të jetë një dhuratë. Për besimtarët, kjo është një shkundje që i zgjon ata e i frymëzon të kthehen (teube) e të pendohen (istigfar). Dhe kjo është një frymëzim për besimtarët që të forcojnë vetet e tyre. Kështu, kjo gjendje është përsëri mirësi për ta. Edhe kur merr, Ai përsëri jep!

Motra dhe vëllezër, kurrë mos mendoni në mënyrë negative për Allahu, pasi ai është Dhënësi.

Pyetja është: Si do të marrim? Kur do ta kuptojmë këtë me plot zemër?  Apo të tregohemi kokëfortë e të pranojmë dhuratat e Allahut vetëm kur ato janë të mbështjella në mënyrën që ne duam? Mbështjelljen të cilën e kuptojmë e me të cilën tashmë jemi mësuar?

A do ta pranojmë caktimin e Allahut vetëm kur është ajo çka ne duam?

Ashtu siç ndodh në të gjitha sprovat, Allahu mund të na privojë diçka, në mënyrë që të na japë diçka akoma më të mirë – apo diçka e cila për momentin na nevojitet më tepër. Ndonjëherë Allahu na privon nga diçka, që ne të mund të tregojmë durim, e më pas të shpërblehemi për durimin e treguar. Ndonjëherë Allahu mund të na privojë nga diçka, me qëllimin e vetëm për të na pastruar.

Ndoshta Allahu na ka privuar nga iftaret kolektive në mënyrë të përkohshme, në mënyrë që ne të rilidhemi me familjet tona. Ndoshta ai na ka kufizuar aksesin në adhurimet në grup, në mënyrë që ne të ndiejmë shijen e adhurimit në vetmi. Ndoshta Allahu na ka privuar nga të shkuarit në xhami, në mënyrë që ne të rikujtojmë se Allahu nuk është i izoluar në një vend apo kohë të caktuar. Ai është gjithmonë pranë. Ai është më afër se vena e qafës sonë. Ne mund ta thërrasim atë nga çdo vend, në çdo kohë.

Dhe përpos çdo gjëje, përpos pastrimit shpirtëror dhe zhvillimit që ai dëshiron për ne, ndoshta Allahu na shpërblen gjithashtu – sikur të kishim qenë në xhami.

Profeti Muhammed (s.a.s.) ka thënë:  “Nëse robi sëmuret apo udhëton, do t’i shkruhet (shpërblimi) i njëjtë sikur atëherë që punonte kur ishte i shëndoshë dhe vendas.” (Sahih al-Bukhari 2834)

Kujtoni mësimin që Profeti ynë (s.a.s.) i dha nënës sonë, Ummu Seleme (r.a.): Edhe përmes privimin, ne mund të na jepet. Ai (s.a.s.) tha, “Nuk ka musliman të cilin e godet fatkeqësia dhe thotë atë që Allahu ka urdhëruar – “Me të vërtetë që të Allahut jemi e tek Ai do të kthehemi. O Allahu më shpërble mua për pikëllimin tim dhe më kompenso mua me diçka më të mirë” – e Allahu të mos e kompensojë atë me diçka më të mirë.” (Muslim 918)

Vetëm kur të ndryshojmë lentet e të parit, gjërat që na rrethojnë do të fillojnë të ndryshojnë. Ne jemi ata që zgjedhim të jemi. Mund të vazhdojmë të jemi prej atyre që fokusohen vetëm tek ato gjëra që kanë humbur tashmë dhe tek çdo gjë që na mungon.

Ose, mund të vendosim të shikojmë më thellë.

Kujtoni se Allahu nuk e privon kurrë besimtarin. Ai do t’i japë gjithmonë atij. Kjo duhet të jetë një bazë e fortë e të kuptuarit tonë ndaj Allahut. Duhet ta forcojmë këtë ide në zemrat tonë. Kështu që nëse një gjendje ndodh me dëshirën dhe vendimin e Allahut, duhet të jetë e mirë për ne – edhe nëse është një dhuratë e mbështjellë me diçka që nuk na pëlqen.

Shpeshherë janë ilaçet më të hidhura ato që përfundojnë duke na shëruar.

Perktheu: Gilda Alla

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.