Nga Yasmine Mogahed

Shumë njerëz agjërojnë si një traditë, pa e kuptuar vërtet kuptimin e agjërimit. Të tjerë e agjërojnë në solidaritet me të varfërit. Kjo është vërtet një pasojë e bukur e agjërimit, porse nuk është qëllimi kryesor i përcaktuar nga Allahu. Allahu thotë në Kuran:

“O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që qenë para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm)”. (Kur’an, 2: 183)

Duke kontrolluar dhe kufizuar nevojat tona fizike, ne fitojmë forcë për betejën më të madhe: kontrollimin dhe frenimin e nefsit. Kur agjërojmë, çdo sëmbim i urisë na kujton Zotin – atë për të Cilin e bëjmë këtë sakrificë. Duke kujtuar vazhdimisht Allahun dhe duke sakrifikuar për Të, ne jemi më të vetëdijshëm për praninë e Tij, dhe në këtë mënyrë e rrisim devotshmërinë tonë. E njëjta arsye që na pengon nga mëkati i ngrënies ushqim (gjatë agjërimit) ndërko që askush tjetër nuk na shikon na ndihmon edhe të shmangim mëkatet e tjera në vetmi. Kjo është devotshmëria.

Mos e agjëroni vetëm për urinë dhe etjen

Profeti a.s ka thënë, “Kushdo që nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe veprimet e liga, Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen e tij.” Profeti a.s na paralajmëron gjithashtu: “Shumë njerëz që agjërojnë nuk marrin asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë dhe etjes, dhe shumë njerëz që luten natën nuk marrin asgjë nga ajo përveç zgjimit.” Ndërsa agjërojmë, duhet të kemi parasysh panoramën e plotë të tij. Mos harroni se agjërimi nuk ka të bëjë vetëm me qëndrimin larg ushqimit.  Agjërimi është një përpjekje për tu bërë një person më i mirë.

Dhe duke u përpjekur kaq shumë, neve na jepet një mundësi e artë nga mëshira e Zotit të shpëtojmë nga errësira e izolimit tonë. Por ashtu si dielli që perëndon në fund të ditës, edhe Ramazani do të vijë dhe do të shkojë, duke lënë vetëm shenjën e tij në qiellin e zemrës sonë.

Perktheu: Jonida Vishkurti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.