Ndoshta nuk janë tjetër vetëm se kokëfortë? Apo ekziston diçka tjetër në psikologjinë e tyre që i ndalon ta pranojnë gabimin dhe të kërkojnë falje?

Të jemi të qartë, edhe sikur dikush të jetë më i ndërgjegjshmi, nganjëherë rastis që të mos kërkojë falje. Dhe kjo ndodh për një apo dy arsye: 1) Nuk e marrin në konsideratë sa duhet shqetësimin emocional të personit tjetër ndaj dhe e neglizhojnë gabimin dhe nuk kërkojnë falje; ose 2) mendojnë se kërkimfalja e tyre nuk kryen punë ose nuk është me rëndësi.

Për shembull, të themi se u zure me një koleg i cili të ndërpreu teksa ti ishe duke garuar për ta kapur afatin e fundit të dorëzimit. Nëse mendon se bashkëpunëtori juaj tashmë të mban mëri për incidentin e mëparshëm, ti nuk i kërkon falje ngase mendon se marrëdhënia jote me të tani e tutje nuk do të funksionojë.

Personat të cilët ngurrojnë të kërkojnë falje shfaqen si individë të fortë të cilët refuzojë të kthehen prapa. Mirëpo këtë nuk e bëjnë për shkak se janë të fortë, por ngase janë të dobët.

Po tani çka me ata të cilët kurrë nuk e pranojnë se kanë gabuar, pavarësisht rrethanave? Çka i ndalon ata të kërkojnë falje edhe kur qartë shihet se janë gabim? Për këta njerëz, pranimi i gabimit dhe pastaj të kërkuarit falje psikologjikisht është shumë kërcënuese. Të kërkuarit falje tregon se ata në një farë mënyre e pranojnë se kanë lënduar apo dëmtuar personin tjetër, gjë që mund të nxisë ndjenjën e turpit. Personat të cilët nuk mund të kërkojnë falje shpesh ndjejnë një vetëvlerësim tepër të ulët sa egoja e tyre e brishtë nuk mund ta pranojë faktin se janë gabim. Pra pëmes mekanizmave të tyre mbrojtës, të cilat nganjëherë zgjohen në mënyrë të pavetëdijshme – ata përjashtojnë çdo faj, madje edhe i kundërshtojnë faktet bazike për t`i ikur kërcënimit se do ta ulin veten nëse kërkojnë falje,

Ata pastaj gabimin e tyre e dyfishojnë duke i fajësuar rrethanat, duke i mohuar faktet, apo duke e sulmuar personin tjetër ose njerëzit e përfshirë, dhe në këtë mënyrë moskërkimi tyre i faljes i bën ata të ndihen më të fuqizuar dhe të pamposhtur.

Fatkeqësisht, shumica nga ne mbrojtjen e brishtë të këtyre njerëzve e interpretojmë si një shenjë se ata janë të fortë psikologjikisht. Kjo për shkak se nga jashtë paraqiten si individë të fortë e të ashpër. Mirëpo realiteti është se ata nuk e bëjnë këtë për shkak se janë të fortë, por ngase janë të dobët.

Nga ana psikologjike, pranimi i gabimit është emocionalisht i pakëndshëm dhe na i cënon ndjenjat. Për ta pranuar gabimin dhe të kërkojmë falje fillimisht vetëvlerësimi ynë duhet të jetë mjaftueshëm i fortë në mënyrë që të jemi në gjendje ta thithim këtë siklet. Në fakt, nëse ne posedojmë një vetëvlerësim të lartë dhe të paluhatur, do të jemi në gjendje që ta tolerojmë një goditje të përkohshme të këtij lloji të pranimit – pa mos i shembur muret e egos sonë.

Por nëse vetëvlerësimi ynë duket se është i lartë por në fakt i brishtë, ajo goditje do depërtojë përmes mureve tona mbrojtëse dhe do të shënojë një goditje të drejpërdrejtë në egon tonë.

Si rregull psikologjik, sa më të ngurtë të jenë mekanizmat mbrojtës së një personi, aq më e brishtë është egoja që ata mbrojnë.

Gabimin që më së shpeshti e bëjmë është kur përballemi me dikë që nuk kërkon falje dhe mundohemi ta fitojmë diskutimin me të. Por realiteti i trishtë është se kurrë s’kemi për të fituar. Edhe nëse ua demonstrojmë me fakte të forta se ishin gabim, ata përsëri do t’i mohojnë këto fakte të pakundërshtueshme ose do të kalojnë në një sulm personal duke thënë: “Përse më servir gjithmonë gjëra të pakëndshme dhe të vështira?”

Në këto situata, më e mira çka mund të bëjmë është që pikëpamjet tona t’i parashtrojmë sa më bindshëm dhe pastaj kur e vërejmë se bëhet joproduktiv atëherë të heqim dorë nga diskutimi – sepse kur ata i kundërshtojnë faktet, përfundojnë me justifikime qesharake ose kalojnë në imtësira. Pasi të qetësohen dhe nuk ndihen më të sulmuar, atëherë mund të shohim shenja të pendimit. A tregohen dashamirës ndaj nesh apo kërkojnë shumë nga ne? Kështu ata në mënyrë të pavetëdijshme përpiqen që ta ndreqin marrëdhënien me ne me metoda që nuk janë kërcënuese për egon e tyre. Dhe si rrejdhojë, më shumë do të ndihen mirë me veten sesa keq.

Nëse personi që nuk kërkon falje është dikush që keni marrëdhënie të ngushta, veproni në nivel të ndjeshmërisë dhe dhembshurisë tuaj. Kujtojani vetes se pas kokëfortësisë së tyre të jashtme, fshihet një personalitet i dobët dhe i lëndueshëm.

Por çfarë të bëjmë me personat që nuk kërkojnë falje të cilët i kemi në jetën tonë, sidomos ata që i kemi familjarë, kolegë apo miq? Në këtë rast, nëse ata nuk janë persona që kontaktoni rregullisht, atëherë përpiquni që t’ì minimizoni bashkëveprimet me ta. Por nëse janë të afërmit tuaj, atëherë përpiquni që të bëni paqe me ta. Mënyra më e mirë për një gjë të tillë është që t’i pranoni ashtu siç janë – sado të bezdisshëm që janë- dhe mos harroni se ata nuk janë tjetër vetëm se të paaftë psikologjikisht për të kërkuar falje. Për më tepër, mos prisni se kanë për të ndryshuar, ngase nuk do të ndryshojnë. Praktikimi i pranimit të tyre do t’ju ndihmojë që t’i shmangni diskutimet me ta si dhe ju ndihmon që të keni sa më pak zemërim, zhgënjim dhe lëndim.  

Dhe si përfundim: që të gjithë kemi momente kur refuzojmë ta pranojmë gabimin tonë. Por nëse një person nuk e merr kurrë përgjegjësi dhe zakonisht i shmanget kërkimit të faljes, atëherë kjo është një shenjë se ata janë njerëz me një ego të brishtë dhe me një vetëvlerësim të dobët.

perktheu:Hanife Alija Dauti

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.