Nga Anjeza Xhaferraj

Java e kaluar u shënjua nga dy ngjarje të rënda në sistemin shëndetësor dhe në lidhje të ngushtë me situatën e shkaktuar nga pandemia. E para dhe ndoshta ajo që bëri më shumë bujë ishte pa dyshim skandali me sanitaren në spitalin Covid 2 “Shefqet Ndroqi”, e cila për pothuaj 1 muaj rresht kishte marr rryshfet në këmbim të shërbimit ndaj një pacienteje e cila më pas ndërroi jetë. Sasitë e parave që qarkullonin përditë nga xhepi i vajzës së pacientes në atë të sanitares alias infermieres për t’u shpërndarë pastaj nëpër xhepa të tjerë ishin marramendëse, ishin të tilla që në fund viktima e mashtrimit pretendon se kanë vajtur diku tek 8 milion lekë të vjetra. Skandali i dytë, më izoluar dhe që nuk inkriminonte askënd tjetër përveç personit që e kish kryer, ndodhi në Kavajë ku policia (veç dy ditë pas skandalit të sanitares në Tiranë) arrestoi oksigjenistin e spitalit të Kavajës se kish marrë rreth 30 bombla oksigjeni pa autorizimin e këtij institucioni për t’ua dërguar personave të ndryshëm nëpër banesa.

Padyshim të dyja ngjarjet janë të shëmtuara dhe duhen dënuar, por nuk e di pse më kujtuan ato tentativat për të “prodhuar” dhe “ekzekutuar” armikun e popullit në komunizëm. Zbulimi, denoncimi, demaskimi dhe së fundmi dënimi i armikut të popullit, të atij që sabotonte përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për ndërtimin e socializmit pëmes tharjes së kënetave, ndërtimit të rrugëve, metalurgjikut të Elbasanit, shpimit të puseve të naftës diku nëpër Shqipëri, krijimit të kooperativave dhe kolektivizimit, apo edhe qoftë (apo kryesisht) përmes ndërtimit të njeriut të ri, ishte i pranishëm sa herë që planet e pushtetit komunist nuk shkonin ashtu siç me bujë ishte premtuar. Ky armik që nuk ‘rreshti së sabotuari’, në fakt ishte mbështetësi më i madh i regjimit, sepse prezenca e tij legjitimonte regjimin dhe praktikat e tij represive; prania e tij legjitimonte dështimet dhe largonte vëmendjen nga ngjarje të pakëndshme.

Nga cilat ngjarje e largoi vëmendjen, apo më saktë u përpoq të largonte vëmendjen kapja e dy fajtorëve? Kujt i shërbeu kapja e sanitares së Covid 2-it apo oksigjenistit të spitalit të Kavajës? A mund të flemë të qetë tashmë që sistemi shëndetësor u ‘higjenizua’ prej mikrove që sabotonin vendin në ‘përpjekjet gjigante për të luftuar armikun e padukshëm’? Apo Tire të tjera do të shfaqen herë pas here për të na thënë se gjërat në fund të fundit nuk shkojnë mirë për shkak të tyre? Sa sanitare duhet të kapen që ne ta pastrojmë sistemin tonë shëndetësor ?

Në fakt skandali u quajt padrejtësisht i tillë, pra skandal. Edhe shoku që shkaktoi në shoqëri më tepër u imagjinua si i tillë sesa ishte i vërtetë. Shqiptarët nuk jetojnë në ndonjë planet tjetër dhe po i marrin vesh lajmet për Shqipërinë në tv. Ata jetojnë në Shqipëri dhe përballen përditë prej vitesh tashmë me sistemin shëndetësor. Asgjë skandaloze dhe e paditur më parë nuk u zbulua. Pikërisht se këto gjëra dihen edhe vajza e pacientes kishte frikë për të ëmën dhe synonte të blinte shërbimin e mjekëve dhe të infermiereve që e kanë për detyrë të kujdesen për të sëmurët. Ajo bëri atë që tashmë ‘sensi komun’ i shoqërisë sonë di : duhet të japësh që të marrësh shërbim. Dhe kjo na çon tek pyetja tjetër, tek pyetja se pse pacientët kërkojnë ta sigurojnë bomblën e oksigjenit në shtëpi dhe nuk kurohen në spital ? Kur oksigjenisti i spitalit të Kavajës shpërndante bomblat i çonte në 30 familje të ndryshme. Një skemë e tillë ku përfshihen kaq shumë njerëz nuk ka nevojë të zbulohet nga organet kompentete mbas një pune të kujdesshme siç thoshte edhe njoftimi. Një skemë e tillë ulëret nga të gjitha anët. Po sa familje të tilla ka në të gjithë vendin që përpiqen ta sigurojnë vetë bomblën e oksigjenit në shtëpi (pavarësisht se kjo gjë ka edhe rreziqet e veta dhe jo të gjithë dinë ta përdorin) dhe të mos shkojnë në spital? Kushdo që ka patur fatin e keq të ketë një të sëmurë me Covid-19 në shtëpi që ka patur nevojë për bombël oksigjeni di gjithashtu edhe çmimin e frikshëm të saj. E pavarësisht kësaj pacientët preferojnë të kurohen në shtëpi dhe jo ‘falas’ në spital. Ky është skandali i vërtetë dhe jo sanitarja, hallka e fundit dhe më e parëndësishme e zinxhirit të dështimit të sistemit shëndetësor.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.