Nga Myzejen Myftari

Në Perëndim, imazhi i zakonshëm i një femre myslimane është stereotipi i një gruaje të fshehur prapa një vello, një figurë e heshtur, e shtypur, e pa arsimuar, pa zë dhe pa të drejta.

Megjithëse, në përgjithësi, politikat perëndimore shfaqen të mëshirshme ndaj femrës myslimane duke e trajtuar atë si objekt të shtypjes, femrat myslimane dukshëm mbartin mbi vete peshën e ndjenjës anti-islame që ekziston në Perëndim.

Si rezultat, ato vazhdojnë të përballen me shumë sfida dhe vështirësi kur bëhet fjalë për ushtrimin e besimit të tyre dhe integrimin në këto vende.

Ekziston një supozim se femrat myslimane janë të shtypura dhe në shumë raste të paarsimuara, për shkak të mbulesës.

Megjithatë, historia na tregon të kundërtën e realitetit të sotëm. Universiteti më i vjetër në botë, i quajtur Universiteti i Kajrauinëve, u themelua në shekullin e 9-të nga Fatime El-Fihrije e njohur ndryshe si Umul Benin, një femër myslimane. Profesorët që jepnin mësim aty ishin nga më të aftët dhe fitonin të drejtën e mësimdhënies vetëm pasi të kishin marrë rekomandime nga një sërë dijetarësh. Gjithashtu, universiteti kishte dhe një bibliotekë e cila ndodhej në hyrjen e tij. Ajo ishte e pajisur me të gjitha librat e nevojshëm.

Ndërkohë, po të kapërcejmë shkallët e historisë dhe të ndalemi në shekullin e njëzetë, përhapja e kombinuar e shkrim-leximit; disponueshmëria dhe promovimi i edukimit publik për vajzat dhe djemtë; zgjerimi i mundësive për punë për gratë dhe rritja e numrit të konvertimeve në Islam nga besimet e tjera tradicionale, veçanërisht në Perëndim, kanë shtuar dëshirën e grave myslimane për fuqizim më të madh në praktikën dhe interpretimin e besimit të tyre.

Ashtu si në fushat e tjera të jetës, gratë myslimane kanë provuar se jenë të afta, krijuese dhe të përkushtuara për të mbajtur mbi vete përgjegjësinë për jetën dhe besimin e tyre, si individualisht ashtu edhe në mënyrë kolektive. Kjo është përkundër sfidave me të cilat ato hasen shpesh në përpjekjen për të patur qasjen e nevojshme në studimet dhe trajnimet fetare dhe në fitimin e besueshmërisë së institucioneve fetare, veçanërisht të konservatorëve. Sot gratë myslimane janë aktive në fushën e studimit të Kur’anit, aktiviteteve të zhvilluara në xhami e më gjerë, shërbimeve për komunitetin të sponsorizuara nga organizatat fetare dhe jo vetëm dhe të edukimit islam, si studente dhe mësuese. Ka një numër në rritje të lexueseve të Kur’anit, avokateve, juristeve islame dhe profesoreve të studimeve islame në të gjithë botën. Gratë janë gjithnjë e më shumë të pranishme në pozita shumë të dukshme me rëndësi fetare, megjithëse deri më sot, pak kanë poste të rëndësishme në institucionet fetare islame dhe askush nuk ka arritur pozita të larta në to.

  • Përballja me diskriminimin dhe dhunën

E ndodhur para problemeve të brendëshme në Islam, brenda familjes së saj dhe, e përballur me Islamofobinë globale të kohës (urrejtjen ndaj islamit), femrat myslimane po luftojnë për të drejtat e tyre njerëzore në mbarë botën. Ato po përballen me diskriminim dhe dhunën si në vendet Islame ashtu dhe në ata jo-islame. Kjo luftë shpesh lidhet me detyrën për t’u veshur si femër myslimane dhe për të mbuluar kokën dhe tërë trupin.

  • Përballja me islamofobinë

Raportet e fundit nga organizata “Amnesty International” dhe “Organizata e Bashkëpunimit Islamik” tregojnë se myslimanët janë viktima të përherëshme në Perëndim. Sot, përhapja e islamofobisë në shoqëritë perëndimore është një shqetësim global në rritje. Megjithatë, femrat myslimane përballen ndoshta me sfidat më të mëdha të popullsisë myslimane, për shkak të shtresave të shumta të diskriminimit të rrënjosura në religjion, barazi gjinore dhe migracion.

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 (9/11) në Neë York City, në Perëndim u shfaq një retorikë dhe klimë politike e cila u dominua nga “lufta kundër terrorit“. Për myslimanët që jetojnë në Perëndim, 11 shatori ishte i rëndësishëm si në pikpamjen sociale ashtu dhe atë politike, pasi globalisht, ekziston një tendencë e vazhdueshme për të lidhur sulmet terroriste me Islamin.

Pas ngjarjeve në Paris më 13 nëntor 2015, mediat si “Al Jazeera”, “The Ëashington Post”, “Korporata Britanike e Transmetimeve” dhe “The Guardian” raportuan se numri i krimeve të urrejtjes ndaj myslimanëve ka arritur shifra tepër të larta, veçanërisht në Francë dhe Britani. Sipas raporteve të këtyre mediave, shumica e viktimave janë “dukshmërisht” femra myslimane, veçanërisht ato që mbajnë mbulesë.

  • Sfida e mbulesës

Kjo mund të shpjegohet pjesërisht përmes imazhit të dyfishtë të femrave myslimane, të cilat shfaqen sot në publikun perëndimor. Nga njëra anë, mbulesa e femrave shihet si një simbol i diskutueshëm në Perëndim, i cili thekson dallimet dhe ndarjet mes “vlerave” perëndimore dhe islame – një shenjë e “prapambetjes” Islame që është në konflikt me Perëndimin “progresiv”. Nga ana tjetër, format e ndryshme të mbulesës, duke filluar nga Hixhabi, Nikabi dhe Burka, dhe që përfaqësojnë Islamin –sipas perëndimorëve, përbëjnë një kërcënim të perceptuar për Perëndimin që prej një kohe të gjatë.

Të revoltuara nga gjithë sa ndodh, shumë të reja myslimane, në Perëndim, kanë zgjedhur t’a tregojnë besimin sipas mënyrës së tyre. Ndërsa nënat e tyre nuk mbajnë mbulesë, ka shumë të reja që po veshin mbulesën Islame si një deklaratë politike dhe një shenjë e identitetit të tyre të sapoformuar, për t’ju kundërvënë kështu përpjekjeve të perëndimorëve për të akuzuar Islamin si rrënjën e problemit në përplajen e kulturave ndërmjet Islamit dhe Perëndimit.

  • Diskursi/debatet meditike

 

Mediat janë një nga përcaktuesit më të fuqishëm të opinionit publik botëror. Disa studime akademike tregojnë se mediat perëndimore forcojnë fuqimisht një pikëpamje hegjemone ndaj femrave myslimane. Nga njëra anë, në media mbizotëron ideja se gjendja e myslimaneve sot lidhet me shtypjen dhe pasivitetin. Nga ana tjetër, mediat rregullisht shprehin shqetësime rreth mbulesës si shenjë kulturoro-fetare që nuk përputhet me “vlerat” dhe “normat” e botës perëndimore. Në të njëjtën kohë, mediat debatojnë dhe i lidhin ngjarjet aktuale me shqetësimet dhe diskutimet rreth integrimit të pakicave myslimane në Perëndim.

Sidoqoftë, jo të gjitha mediat e trajtojnë mbulesën në kontekste negative. Në vend të kësaj ato përdorin aftësinë dhe fuqinë e tyre për të përshkruar imazhe që pasqyrojnë realitete që lidhen me jetën e femrave myslimane. Ekzistojnë disa degë që u japin zë myslimaneve dhe një hapësirë ​​për të shpjeguar zgjedhjet e tyre dhe ndjenjat pozitive në veshjen e mbulesës apo edhe të burkës. Artikujt e fundit në “The Guardian” dhe “Aljazeera” janë shembuj të këtij qëndrimi.

 

  • Kurikulat arsimore

Zyrtarët në Evropë tani po fillojnë të përqëndrohen në statusin e femrave; ekziston një besim në rritje se fuqizimi i femrave është një faktor kyç për të ndihmuar komunitetet e tyre të integrohen në shoqërinë e vendit. Por, në të njëjtën kohë, pjesa dërmuese e rinisë myslimane (femra dhe meshkuj) edukohen në shkolla me kulturë laike evropiane, gjë që bën që ata të largohen shumë nga traditat dhe familjet e tyre – një dilemë kjo që shpesh çon në vetmi dhe tjetërsim. Të përfshirë në shkolla me kurukula arsimore që çojnë në kahe të kundërta nga edukimi Islam dhe të përballur në shtëpi me traditën familjare, ku të pakët janë ata prindër që arrijnë të bëjnë dallimin ndërmjet udhëzimeve Islame dhe traditës e zakoneve të vendit të origjinës, brezi i ri i lindur në emigracion ndodhet në udhëkryq dhe ndihet totalisht i çorientuar.

Ndërkohë, ata të pakët që kanë mundësi të ndjekin një arsim me kurikula arsimore Islame, ndihen të huaj në shoqëri pasi arsimi i ofruar në shkollat Islame, në perëndim, shpesh përcillet sipas koncepteve tradicionale të vendit të origjinës duke bërë kështu shkëputjen e nxënësit nga realiteti ku jeton.

Si rezultat, mund të themi se brezi i ri i myslimanëve tëhiqet nga kahe të kundërta pa ditur si të veprojë dhe cilën udhë të zgjedhë; atë të familjes e cila e drejton drejt Islamit por që nuk ia qartëson dot atë dhe nuk e bën të ndihet komod në fe, apo atë të shoqërisë e cila përdor metoda nga më të sofistukuarat për ta tërhequr drejt asaj rruge që ka projektuar për të dhe që është shumë larg Islamit.

  • Sfida e punësimit

Një tjetër sfidë më të cilën përballën myslimanët në përëndim është punësimi. Sipas një raporti të parlamentit Britanik të përpiluar më 2017, myslimanët e Britanisë vuajnë disadvantazhin më të madh ekonomik krahasuar me grupet e tjera të popullsisë. Shkalla e papunësisë ndër myslimnët është mbi dy herë më e madhe se ajo e përqindjes së përgjithëshme të pjesës tjetër të popullsisë (12.8% krahasuar me 5.4%) ndërkohë që 41% e myslimanëve janë ekonomikisht inaktivë krahasuar me 21.8% të pjesës tjetër të popullsisë.

Sipas raportit të Parlamentit Britanik, arsyet e kësaj gjendje janë të ndryshme, ato përfshijnë; diskriminimin dhe islamofobinë, stereotipet, presionin e familjeve tradicionale që ndalojnë veçanërisht femrat nga edukimi dhe punësimi, mungesën e këshillave të domosdoshme në përzgjedhjen e arsimit të lartë dhe mungesën e modeleve për t’u marrë si shembull për edukimin dhe punësimin.

Përveç faktorëve që u përmendën më lart, migrimi nga një vend në një vend tjetër, i detyron emigrantët e brezit të parë, të përballen me papunësinë ose punësimin në nivele më të ulta, të papërshtatëshme për përgatitjen e tyre arsimore dhe profesionale. Atyre ju duhet të bëjnë shumë hapa pas, paçka eksperiencës profesionale që mbartin me vete. Kjo rrit zemërimin brenda tyre, pasi ata nuk e gjejnë veten në vendin ku janë vendosur për të vazhduar jetën e tyre, fakt ky që bën që ata të  ndihen të paintegruar në shoqëri.

Artikulli eshte sjellur i shkurtuar, marre nga Drita Islame

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.