Nga Hajrije Emini Sinani, psikologe

Çfarë qëllimi i vendosëm vetes gjatë këtij muaji?

Qëllimi i jep vlerë dhe e lartëson adhurimin, përndryshe namazi pa qëllim do ishte veç ushtrime fizike, haxhi do ishte një shëtitje e thjeshtë dhe agjërimi do ishte vetëm një dietë mujore pak më ndryshe nga dieta jonë e përditshme.

Dhe, a do kishte qëllim më të madh se sa tentativa për ta njohur veten, krijesën më të lartësuar dhe më të dashur të Zotit? Këtë “vete” që kërkon ta gjallërosh të paktën vetëm për një muaj në vit sepse ka nevojë për t’u afruar me Zotëruesin e Lavdisë!

Ne jemi të zgjedhurit e Tij në këtë botë dhe po të ishte ndryshe nuk do ekzistonim. A nuk mjafton kjo që ta duam veten duke e dashur Zotin? Ta duam sepse Ai na deshi përpara se ne ta njihnim veten dhe na fal gabime që ne nuk ia falim dot vetes.

Nën hijen e shpirtit bashkëbisedo me veten dhe parashtroja këto pyetje:

  • Përse Zoti më përzgjodhi pikërisht mua të jem pjesë e kësaj bote?
  • Sa i bekuar mund të jem unë që Ai ma mbushi zemrën me dritën e besimit?
  • Sa e vështirë do ishte jeta ime nëse nuk do të njihja Ty Zot?
  • Cila forcë të bën të mos dorëzohesh asnjëherë?
  • Cilat janë hapat drejt lumturisë?
  • Sa të gjallë jemi sot nëse besojmë se ndiejmë?
  • Si mund ta njoh veten për të arritur më të mirën time?
  • Cili është qëllimi i vërtetë i jetës për mua?
  • Sa është i sinqertë besimi im?
  • A ma ringjalli shpirtin ky Ramazan?
  • Çka duhet bërë përpara se të ikë ky muaj?
  • A lejoj unë që dëshirat e mia të thyejnë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë time?
  • A kam kohë të ndryshoj?
  • A do i shndërroj edhe muajt tjerë në “Ramazan”?
  • Kush është e vërteta ime?

Përpara se dikush të t’i bëjë këto pyetje, bëja ti vetes! Pyetje këto sa të thjeshta aq të vështira, të thjeshta në dukje por të vështira po u përgjigje sinqerisht. Sa më shpejt të mund të përgjigjemi gjatë një monologu konfuz, aq më mirë e njohim të padukshmen tonë.

Pas këtij monologu do e njihni veten ndryshe dhe do ta keni më të qartë atë se për çfarë ju duhet jeta dhe për çfarë i duheni ju jetës.

Ramazani po ikë, ashtu siç ikën gjithmonë, me një shpejtësi marramendëse, duke na lënë si ngushëllim kujtimet e bukura të bashkësisë dhe ngrohtësisë së pazëvendësueshme.
Shpresoj shumë të mos na marrë me vete të pandryshuar në aspektin shpirtëror sepse kjo do ishte humbje e madhe për ne, më saktë, do ishte humbje e një mundësie shumë të mirë për t’iu kthyer vetes meqë ne asnjëherë nuk mund të jemi të sigurt se do kemi një mundësi të atillë vitin e ardhshëm.

Duke e dashur veten ne e duam Zotin, sepse kujdesemi mirë ndaj amanetit të Tij. E ta duash veten nënkupton të praktikosh atë që Krijuesi të ka urdhëruar, e cila padyshim se është në dobinë tonë.
Ramazani po shkon por ne kemi ende edhe pak kohë për t’u ndërgjegjësuar, kemi edhe pak kohë!

Hajrije Emini Sinani  Psikologe

 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.