Nga Besarta Fazlliu
Të shkruarit përmban çelësin për një shëndet të mirë mendor, lumturinë dhe progresin e njeriut, bazuar në studimet e fundit.  Përveç kësaj, të shkruarit u mëson njerëzve një fjalor të pasur përmes të cilit ata mund të përshkruajnë dhe shpjegojnë mekanizmat e proceseve bazike që ndikojnë tek idetë, ndjenjat dhe mendimet.
Zhvillimet e papritura të jetës, stresi, depresioni, ankthi apo traumat mund të ndikojnë që të kemi mendime të turbulluara dhe jo-logjike mbi botën fizike por edhe atë shpirtërore. Prandaj të shkruarit mbi ndjenjat dhe mendimet që lindin si pasojë e përvojave të ndryshme jetësore traumatike apo stresuese, ndihmon shumë njerëz të përballen me pasojat emocionale të tyre si dhe i ndihmon ata që të organizojnë mendimet dhe t’i japin kuptim përvojave të tilla. Për këtë arsye, vetëndihma konsiderohet si një ndër qëllimet parësore në psikoterapi, dhe pikërisht ky është misioni yt heroik.
Të shkruarit rrit vetëvlerësimin dhe ju bën më të lumtur
Arti i të krijuarit në përgjithësi, dhe të shkruarit në veçanti, stimulon lëshimin e dopaminës prandaj edhe ndjeheni më të lumtur përgjatë këtij procesi. Ky neuro-transmetues është veçanërisht i mirë në frenimin e depresionit, i cili gjithashtu më pas rrit vetëvlerësimin. Po ashtu, është vënë re se ky proces ndihmon në çlirimin emocional, lehtësimin e stresit dhe zbulimin e vetvetes.
Jo rastësisht edhe mbajtja e një ditari dhe të krijuarit e shprehisë së shkrimit janë nga zakonet e njerëzve të suksesshëm.
Christiano Strang, profesor i neuroshkencës në Universitetin Alabama thotë se krijimtaria është mjet i rëndësishëm për të qëndruar të lidhur me botën. Duke stimuluar qendrat e shpërblimit dhe kënaqësisë së trurit tuaj, ju jeni në gjendje të imagjinoni një të ardhme më shpresëdhënëse.
Pra, përveç stresit dhe uljes së ankthit, terapia e vetëshprehjes apo e të shkruarit (ku përfshihet edhe art-terapia) mundëson relaksimin, rritë mirëqenien dhe ulë dhimbjet andaj konsiderohet nga ekspertët si plotësues i fuqishëm gjatë trajtimit psiko-terapeutik.
Por si mund ta përmirësojmë shëndetin mendor përmes të shkruarit? Për këtë dhe disa pika konkrete do të flasim javën e ardhshme.
 Në shkrimin e ardhshëm do përpiqem të shtjelloj parimet që çojnë drejt suksesit dhe qetësisë së brendshme, të cilat, nëse zotërohen dhe praktikohen në baza ditore, do të të udhëheqin drejt një ndjenje paqëndjellëse e qetësie.
Më ndiqni në rubrikën time javore, çdo të enjte!

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.