Nga Migena Kurushi

Terapia zhvillimore sot shihet nga një perspektivë e cila ndoshta duket e padëmshme në plan të parë, por auto-paragjykimi, stigmat dhe mendimi “çfarë do thonë të tjerët për mua dhe fëmijën tim”, sjellin pasoja negative. Terapia zhvillimore duhet parë si një katalizator drejt progresit të fëmijëve tuaj, një mjet i cili është atje posaçërisht për mendjet e veçanta. Mos harroni, të vegjlit tuaj kanë nevojë për ju dhe mbështetjen tuaj; “atje ku ka shumë punë dhe lodhje, ka dhe shpërblim”. Bëhuni të durueshëm dhe këmbëngulës në marrjen e vendimit në lidhje me ecurinë e fëmijëve tuaj.

  • Flisni hapur për shëndetin mendor.
    Një ndër faktorët që sjellin përkeqësimin e çdo lëkundjeje mentale është barra që mban individi. Të jesh duke u përballur një problem, individualisht apo një pjesëtar i familjes tënde, do të thotë të kesh nevojë për ndihmë, jo mbyllje me idenë që “do të kalojë”, sepse neglizhimi çon në përkeqësim, jo kurë apo preventim. Flisni hapur, kërkoni ndihmë, kujdesuni për mirëqënien mentale.
  • Kushtojini vëmendje gjuhës së përdorur.
    Ndani përkufizimet mjekësore nga zhargoni i përdorur. Një fëmijë me çrregullim te A.D.H.D hiperaktivitetit, një fëmijë me çrregullim te spektrit te autizmit, nuk është fëmijë i prapambetur dhe pa shpresë. Fëmijët janë enëza që mbushen me dijen e jetës, me dashurinë e prindërve. Fëmijët me çrregullime mentale janë disa enëza që kërkojnë një mbushje të veçantë, e në çastin që fëmija plotësohet me nevojat që ka, arrijnë një jetë optimale, madje në disa raste, më të arrirë se individët me zhvillim tipik normal.
  • Mos bini në grackën e auto-paragjykimit.
    Lexoni shpesh, informohuni rreth terapive duke ruajtur vigjilencën dhe duke zhdukur paragjykimin. Mos luftoni me argumente, por luftoni për reflektim. Argumenti pa bazë dëmton, reflektimi me veten shëron, hap rrugën për një gjykim sa më të saktë.
  • Jini të sinqertë me veten tuaj.
    “Unë e luftoj paragjykimin duke thënë që ‘unë ndiqem nga një terapist dhe psikiatër’. Përse njerëzit thonë pa frikë paragjykimi ‘kam një takim me doktorin familjar’, por kjo frikë ekziston në fushën e shëndetit mendor?”– Ysabel Garcia
    Terapia zhvillimore, trajtimi mjekësor apo ndjekja nga një fizioterapist, janë mjete ndihmëse për njeriun kur përballet me një vështirësi shëndetësore. Janë pjesë të së njëjtës kategori, por fatkeqësisht, stigmat janë vetëm në shëndetin mendor. Te presësh dhimbjen fizike për të shkuar në spital, është një “traditë” që duhet zhdukur. Në qoftë se jeta jote dhe e rrethit tënd familjar nuk funksionon ashtu siç duhet shkak i një problem mental, vizita dhe terapitë kthehen në obligim moral, andaj reflektoni, dhe forcën që stigmat dhe paragjykimet po i zhduknin, përdoreni për t’i shkatërruar ato.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.