Koment mbi emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë e ka ndjekur me vëmendje emisionin Opinion të transmetuar më datë 21 tetor 2019 në Tv Klan dhe ka vërejtur me keqardhje përdorimin e një gjuhe me tone islamofobe nga ana e drejtuesit z.Blendi Fevziu, veçanërisht gjatë pjesës hyrëse të emisionit. Paraqitja e mbulesës islame dhe leximit të Kuranit si “shenja të çuditshme” dhe tipare të ekstremizmit jo vetëm që është jo korrekte, por është një stigmatizim përgjithësues që prek me të padrejtë me dhjetëra e mijëra besimtarë muslimanë të Shqipërisë, të cilët e lexojnë Kuranin si Librin e tyre të Shenjtë, dhe veçanërisht ato femra besimtare muslimane, të cilat kanë vendosur me dëshirën dhe vullnetin e tyre të lirë të mbajnë mbulesën islame si shenjë të besimit, identitetit dhe modestisë së tyre. Ne nuk marrim përsipër të vlerësojmë nëse kjo ka qenë e qëllimshme nga ana e drejtuesit të emisionit apo jo, por ajo që ne konstatojmë është pakujdesia  dhe mënyra problematike se si argumentohen dhe diskutohen tema të tilla në media. Kjo bëhet akoma më problematike kur merr parasysh shikueshmërinë e lartë që gëzon emisioni “Opinion”.

Ekstremizimi i përsonave të përmendur në emision nuk ka ardhur as si pasojë e leximit të Kuranit e as të mbajtjes së shamisë, por është pasojë e një ideologjie të shtrembër e cila ka gjetur vend në mendjen dhe praktikën e atyre individëve pikërisht sepse nuk e kanë lexuar Kuranin aq sa duhet dhe ashtu si duhet. Dhe për këtë drejtuesi i emisionit besoj se është i vetëdijshëm. Zgjedhjet e gabuara të këtyre njerëzve për t’iu bashkuar një kulti që vlerëson vdekjen më shumë se jetën janë pasojë e moskuptimit të atij Islami që vetë Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) dhe bashkëkohësit e tij kanë predikuar e praktikuar dhe të atij kuptimi që pasohet e praktikohet nga gati 2 miliard muslimanë sot.

Përpjekjet për t’ia mveshur disi Islamit zgjedhjet e gabuara të këtyre njerëzve nuk bëjnë tjetër veçse hedhin benzinë në zjarrin e islamofobisë dhe paragjykimeve anti-muslimane që vazhdimisht media ushqen në mendjen e shoqërisë sonë. E kuptojmë se përdorimi i stereotipeve në komunikimin mediatik mbase është i leverdishëm për transmetimin e mesazhit në një forme më të përceptueshme te publiku, por kjo nuk e heq në asnjë moment përgjegjësinë që emisioni dhe vetë televizioni ka për të shmangur përhapjen e gjuhës së urrejtjes në shoqëri.

 

Edhe raporti i fundit mbi Islamofobinë në Europë thekson natyrën identitare të Islamofobisë në Shqipëri dhe se si kjo ka bërë që retorika islamofobe të gjejë hapërsirë të gjerë në fjalimet e politikanëve dhe përdorimin e përditshëm mediatik. Kjo shkujdesje me të cilën përdoren stereotipet dhe stigmatizimet islamofobe nga gazetarët dhe drejtuesit e ndryshëm të emiosioneve televizive është shqetësuese.

Megjithatë, problemi këtu nuk është Muç Nano, apo shkarjet e herë pas hershme të Fevziut e të ngjashmëve me ta, por fenomeni i Islamofobisë, të cilin ata e nxisin, me apo pa qëllim. Është shqetësuese lehtësia me të cilën dikush mund të vërë në lojë figura të njohura muslimane apo të përdorë gjuhë islamofobe në media pa u shqetësuar aspak për pasojat, e pa e varë shumë mendjen për përgjegjësitë që mbart të qënit figurë mediatike. Ky aspekt i natyrës së Islamofobisë në vendin tonë e ka kthyer përdorimin e stereotipeve anti-muslimane në një formë të pranuar të racizmit dhe pjesë normale të gjuhës së medias. E kjo mbase dhe jo krejt pa qëllim. Vetëm disa ditë më parë, drejtuesi i emisionit “Provokacija”, Mustafa Nano, përqeshte imamin Elvis Naçi pse ai ishte prekur emocionalisht gjatë një ligjerimi të mbajtur në xhaminë e tij disa kohë më parë. Duket qartë se z. Nano e shqetëson shumë numri i madh i njerëzve që e ndjekin imamin Naçi. Muçi, siç i pëlqen ta thërrasin, është i njohur nga të gjithë për qëndrimet e tij islamofobe, e kjo shfaqje teatrale e fundit nga ana e tij nuk habit askënd.

Kjo lloj retorike dhe shfaqje të tilla të shemtuara duhet të dënohen nga çdokush, pavarësisht besimit të tij. Çdo njeri, e figurat mediatike në veçanti, duhet të shmangin nxitjen e urrejtjes për të mirën e përgjithshme të shoqërisë dhe për hir të ruajtjes së bashkëjetesës paqësore me njëri-tjetrin.

Zoti ka dashur që në këtë vend të ndajnë të njëjtën gjuhë dhe kulturë, pavarësisht besimeve tona fetare. Prandaj, si njerëz që gjithmonë kanë ditur të bashkëjetojnë, ne duhet t’i shmangemi stigmatizimeve të panevojshme dhe ta ruajmë bashkëjetesën fetare si një ndër asetet tona me të vlefshme që kemi. 

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.