Clara Immerwahr ka lindur më 21 qershor 1870 në Polkendorff, në afërsi të Breslau, sot Breslavia, në Poloni e cila në atë kohë ishte pjesë e Prusisë orientale. Ajo ishte bija e kimistit dhe tregtarit Philipp Immerwahr dhe e Anna Immerwahr, të dy hebrenj, u rrit në fermën e familjes së bashku me tre vëllezërit më të mëdhenj. Për shkak të mungesës së një shkolle për vajza, gjatë fëmijërisë ajo mori mësime nën kujdesin e një mësuesi privat. Gjyshja e saj i krijoi mundësinë të shkonte në një shkollë në qytet gjatë dimrit kur ajo qëndronte në shtëpinë e gjyshes. Në vitin 1890 kur ndërroi jetë e ëma, Clara dhe babai i saj e lanë fermën dhe u shpërngulën përfundimisht në qytet. Në Breslau gjatë një kursi kërcimor takon për herë të parë Fritz Haber, i cili dashurohet menjëherë me të dhe i kërkon dorën për martesë. Clara, e cila sapo kishte vendosur te studionte shkenca ekzakte në universitet, e refuzon kërkesën e tij. Dëshiron që më parë të mbarojë studimet e të bëhet e pavarur. Babai i Clarës, një njeri largpames, i jep mundësinë të bijës që të ndjekë prirjet e saj, duke e regjistruar në një institut të lartë të drejtuar nga një grua, zonja Knittel, e cila spikat menjeherë talentin e Clarës ndaj shkencave ekzakte dhe i dhuron asaj një libër të titulluar “Tematika rreth kimise”. Pasi e mbaron së lexuari librin, vajza vendos të specializohet në këtë disiplinë. Me të mbaruar institutin e lartë Clara fillon të punojë si mësuese private. Paralelisht bën të pamundurën për tu regjistruar në Universitetin e Breslau, i cili në atë kohë nuk lejonte të studionin vajza. Duke nisur nga viti 1896, pas shumë përpjekjesh merr lejen për të frekuentuar kurse individuale dhe brenda një kohe të shkurtër përvetëson të njëjtat njohuri si dhe studentët meshkuj që frekuentonin lirshëm. Në vitin 1898, pas disa tentativave, ia del të kalohë me sukses provimin Verbandsexamen, një test i vështirë për përzgjedhjen e studentëve të dalluar që do të ndjekin studime postuniversitare. Atë ditë artikulon betimin e mëposhtëm: “Nuk do të shpjegoj kurrë as me fjalë e as me shkrim dicka që të jetë në kundërshtim me atë cfarë besoj. Do të ndjek të vërtetën dhe do të punoj për të shpënë përpara dinjitetin e shkencës”. Teza e saj e titulluar “Studimi i tretshërisë së kripërave pak të tretshme si mërkuri,bakri,plumbi dhe zinku” studionte potencialin elektokimik të përbërësve të ndryshëm. Clara mori titullin doktor me vlerësime maksimale dhe ia dedikon këtë arritje babait të saj, i cili ka qëne burimi i saj i frymëzimit dhe mbështetjes konstante gjatë gjithë jetës së saj.

Mund t’ju interesoje edhe :

https://muslimania.al/punesimi-grave-ne-qytetet-e-europes-moderne/

Një jetë plot me dorëheqje

Paa doktoraturës, Immerwahr punon për disa muaj si asistente në laboratorin e supervizorit të temës së doktoraturës, Richard Abegg, kështuqë angazhohet përkohësisht si kërkuese shkencore dhe njëkohësisht udhëheq një kurs të titulluar “Fizika dhe Kimia në familje” pranë disa shoqatave dhe instituteve femërore. Bëhet fjalë për disa leksione ku shpjegoheshin përbërja kimike e ushqimeve dhe disa mjeteve të kuzhinës. Ky ishte maksimumi që mund të aspironte një vajzë në ato vite, të kishe një pozicion pune të përhershëm ne universitet nuk ishte e mundur. Puna e saj konsistonte edhe në përfshirjen e grave të tjera ne aktivitete që stimulojne intelektin dhe dëshirën për dije. Në vitin 1901 takohet sërish me Fritz Haber, i cili ndërkohë ishte bërë një kimist i njohur për punën e tij rreth sintezës së amoniakut si dhe kishte zënë një vend pune si profesor në Universitetin e Karlsruhe. Ata të dy u martuan në gusht të 1901. Në fillim Clara shpresonte të mund të menaxhonte edhe familjen edhe kartierën, por shumë shpejt e kupton se ky do të ishte thjeshtë iluzion. Haber, i cili i kishte dhëne të kuptojë se do ta përfshinte në kërkimet e veta shkencore si partner i vërtetë pune, mjaftohet duke i dhënë të bëjë disa punë të parëndësishme si psh, të përkthejë në anglisht ndonjë prej veprave të tij. Immerwahr arrin të bashpëpunojë për hartimin e një libri të të shoqit i formuluar bazuar mbi leksionet e saj, por kur libri botohet ne vitin 1905 ajo nuk përmendet si autore. Emri i saj shfaqet vetëm tek dedikimi “për gruan time të dashur, Clara Haber”. Gruaja tashmë ishte e detyruar të merrej plotësisht me punë shtëpie dhe duhej të qëndronte konform normave shoqërore të kohës ndër të cilat edhe pritja e miqve të shumtë, mes të cilëve shkencëtarë të rëndësishëm, që ftonte i shoqi në shtëpi. Që nga qershoru i 1902, pas lindjes së djalit Hermann, i dobët dhe vazhdimisht i sëmurë Immerwahr ka gjithmonë e më pak kohë për vehten. Nuk ishte kjo jeta që kishte ëndërruar kur ishte vajzë. E zhgënjyer dhe e shqetësuar ajo bie dalëngadalë në një depresion të thelle. I shoqi, një njeri ambicioz dhe i përqëndruar vecanërisht tek karriera e tij, gjendet shpesh nëpër udhëtime pune dhe nuk tregon aspak kujdes për nevojat e së shoqes.

 

Suksesi i Fritz Haber dhe gazi toksik i përdorur në luftë

Në ato vite Fritz Haber arrin suksese të njëpasnjëshme. Në një libër të tij shpjegon si përftohet amoniaku për qëllime industriale duke përdorur përbërës si azoti dhe hidrogjeni. Kjo gjë i dha mundësinë që ne 1908 kompania kimike BASF ta punësojë si drejtues i fazave të ndryshme të prodhimit të kësaj përzierjeje. Në vitin 1911, tashmë i famshëm dhe i pasur, caktohet drejtor i institutit Kaiser Wilhelm në Berlin. E shoqja normalisht që do ta ndjekë në vendimin e tij për tu transferuar. Me të shpërthyer Lufta e Pare Botërore, Haber përfshihet ne luftë në rolin e këshilltarit shkencor prane Ministrisë së luftës. Ai luajti një rol vendimtar në vendimin për të përdorur gazin toksik në frontin e luftës. Përpjekjet e tij do të fokusohen në projektimin dhe ndërtimin e armës së parë kimike të shatërrimit në masë që ka njohur historia e njerëzimit. Më 22 prill 1915 pranë qytetit belg të Ypres gjermanët lëshojnë gati 170 ton gaz me bazë klorin që sulmon mushkëritë dhe sytë duke shkaktuar probleme të pariparueshme me shikimin dhe frymëmarrjen. Në harkun e 10 minutave vdesin rreth 5000 persona. Në këto kushte Immerwahr del hapur kundër aktiviteteve të të shoqit dhe i quan këto “perversitete të idealit të shkencës” si dhe “shenjë të një barbarie, që thyen në mënyrë të pakthyeshme një disiplinë, qëllimi i së cilës është së pari ai i propozimit të ideve të reja.” 

Vetëvrasja

Në maj të 1915, kur Haber kthehet në Berlin për të festuar suksesin e korrur ne Belgjikë, dy bashkëshortët grinden furishëm. Burri, i cili kishte pak kohë i emëruar kapiten, konsiderohej hero i luftës dhe nuk mund të pranonte që e shoqja të mos ishte në një mendje me të. Në fakt, ajo që ai nuk di është se e shoqja në vend që të jetë bashkëpunëtore e heshtur e nje akti barbar dhe të ulët, preferon që më mirë ta mbyllë jetën. Pasi shkruan disa letra lamtumire, Clara Immerwahr vret veten me pistoletën e të shoqit. Vdes në krahët e të birit adoleshent, ndërsa mëngjesin e nesërm Haber niset për të supervizuar sulmin e parë me gaz toksik kundër rusëve ne frontin lindor. Tre vite më vonë, në 1918, Haber merr cmimin Nobel në kimi për punën e tij në sintezën e amoniakut. Hiri i së shoqes do të transferohet më vonë nga Berlini në Basilea, ku sot dergjet përbri të të shoqit i cili vdes në Zvicër në 1934 pasi është akuzuar për krime lufte. I biri, Hermann Haber, transferohet në SHBA dhe vetëvritet në 1946 kur mbushi të njëjtën moshë sa e ëma. Në një letër dërguar një mikeshe Clara e përshkruan kështu trishtimin e ekzistencialitetit të saj:

“Jam e bindur që jeta ia vlen të jetohet vetëm nëse shfrytëzohen plotësisht kapacitetet e tua dhe nëse kërkohet të shijohet cdo lloj eksperience që ekzistenca njerëzore mund të të ofrojë.

Ka qënë pikërisht kjo, mes arsyeve të tjera, që zgjodha të martohem… Jeta që rrodhi më pas ka qënë shumë e shkurtër…dhe arsyeja e kësaj i mvishet mënyrës shtypëse me të cilën im shoq Fritz ka vënë gjithmonë veten në plan të parë në shtëpinë tonë dhe në martesën tonë, duke bërë të mundur që një personalitet më i brishtë se i tiji të asgjësohet plotësisht.”

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.