Vellazëria dhe dashuria në Islam

Dashuria për hir të Allahut është ajo lloj dashurie pa interes, pa kushte dhe pa ndonjë mardhënie të drjetëpërdjetë familjare apo shoqërore.

0

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër” (Maide, 2)

Shumë ligjërata janë mbajtur dhe shumë tema dhe kërkime janë bërë në lidhje me këtë çështje. Madje çdo ditë në mes nesh, femrave muslimane, e diskutojmë dhe pretendojmë se e duam njëra-tjetrën. E vërteta është se pretendimi për të dashur dikë për hir të Allahut duhet edhe të shoqërohet me vepra. Me vepra nuk nënkuptohen vetëm vepra mirësjellje si të dhënit selam, të bërit dhurata, të shprehurit të dashurisë me fjalë ( të dua për hir të Allahut). Me vepra nënkupton dhe mbështetja dhe ndihma në momente të vështira, mos paragjykimi, mendimi i mirë për vëllain dhe motrën muslimane, kërkimi i hallallit dhe dhënia e hakut (qoftë dhe dhënia e ujit të abdesit në raste dyshimi për mësysh).

“S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër,…” . (Huxhurat, 10)

“Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bënë padrejtësi dhe nuk e dorëzon”. (Buhariu dhe Muslimi)

Vëllazëria në Islam është ai lloj solidariteti që i bashkon muslimanët, meshkuj apo femra, në një unitet të vetëm. Argument për këtë kemi thënien e Profetit a.s : “Vërtet, besimtari për besimtarin është sikurse një fortifikatë, e cila forcohet mes veti përmes pjesëve të saj.” (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu thotë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë ndërmjet tyre, mëshirën dhe butësinë, është si shembulli i një trupi të vetëm, nëse ankohet një prej gjymtyrëve të tij, atëherë e pason atë i gjithë trupi me dhimbje e vuajtje.” (Buhariu dhe Muslimi)

Gjithashtu Allahu në Kuran kur drejtohet për ndonjë thirrje për ndalim ose për zbatim përdor formën shumës “o ju besimtarë” dhe jo “ o ti besimtar” kjo për të vënë theksin tek uniteti dhe bashkimi.

Dashuria për hir të Allahut

Dashuria për hir të Allahut është ajo lloj dashurie pa interes, pa kushte dhe pa ndonjë mardhënie të drejtëpërdjetë familjare apo shoqërore. Ka thënë Profeti a.s:

Në disa gjëra mund të gjehet ëmbëlsia e besimit: Kur Allahu dhe i dërguari janë më të dashur se çdo kush dhe çdo gjë tjetër, kur e do dikë vetëm për hir të Allahut dhe kur urren kthimin në kufër ashtu siç urren të hidhet në zjarr. ” (Buhariu dhe Muslimi)

Kjo dashuri është shkak për hyrjen në xhennet, për këtë Profeti a.s ka thënë: “Pasha Atë në dorën e Të Cilit është shpirti im! Nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të duheni. A doni t’ju tregoj për atë që po e vepruat do ta doni njëri tjetrin? Përhapni selamin!” (Muslimimi)

Dashuria për hir të Allahut nuk është vetëm një thënie me gojë por një ndjenjë që duhet vërtetuar ashtu siç vërtetohet besimi me kryerjen e veprave nëpërmjet gjymtyrëve dhe shprehjes me gojë.

Si rrjedhojë, dashuria për hir të Allahut përfshin disa detyrime që kemi ndaj motrës muslimane.

  1. Së pari është shprehja me gojë:

Nga Enesi r.a transmetohet se Profeti a.s ishte me një burrë dhe aty pranë kaloi një person. Burri i tha Profetit a.s” O i Dërguar i Allahut, unë vërtetë e dua filanin!” Profeti a.s e pyeti atë: “A ja ke thënë ti këtë atij?” Ai ju përgjigj: “Jo.” Profeti a.s i tha: “Tregoji atij se e do!”. Burri shkoi tek filani dhe i tha atij: “Vërtetë unë të dua për hir të Allahut” dhe personi i përgjigjet: “Të dashtë Ai për hir të Cilit ti më do mua”. (Ebu Daudi )

  1. Nuk duhet bojkotuar apo braktisur motra muslimane

Ndodh në disa raste që një motër të vendosë mos t’i flasë një motre tjetër për dy arsye:

Për paragjykim apo bindje se motra në fjalë është mëkatare apo bidatçie. Kjo nuk është mënyra e duhur për të reaguar ndaj  gjynahut apo bidatit. Ekzistojne faza të ndryshme të cilat duhen ndjekur. Këto faza më së miri mund t’i vërejmë në jetën e Profetit të Zotit a.s. Në raste kur ai ka parë sahabë të cilët kanë paragjykuar një sahabi tjetër Profeti a.s i ka këshilluar që t’ja shtrijnë dorën dhe jo ta zhysin më keq në gjynahun e tij. Ndërsa kur dihet se dikush ndjek një bidat të caktuar duhet më parë të kuptojmë se sa e vetëdijshme është, se sa dije dhe informacion ka për bidatin në fjalë, duhet këshilluar dhe nëse nuk tërhiqet atëherë atëherë duhet të largohemi nga ajo dhe bidati i saj.

  • Për arsye personale, për hatërmbetje personale gjë e cila nuk lejohet. Ka thënë Profeti a.s:

“Nuk i lejohet muslimanit mos t’i flasë muslimanit për më shumë se 3 ditë dhe që të dy të shmangen nga njëri tjetri kur përballen. Më i miri prej tyre është ai që jep selamin i pari.” (Buhariu dhe Muslim)

Gjithashtu nëse e sheh vëllain apo motrën në fe që ka probleme dhe halle, qoftë ato edhe financiare, duhet ta ndihmojë brenda mundësive. Për këtë ka folur dhe Hasan El-Basri (Allahu e mëshiroftë) duke e futur harxhimin për hir të Allahut si një harxhim që nuk do të llogaritet si shpenzim i tepruar :

“Njerëzorja shihet në sinqeritetin ndaj të tjerëve, ofrimi ndihmë vëllezërve nga feja, në mirëbërjen dhe largimin e vështirësive nga fqinjët e afërm. E mbaj mend kohën kur njerëzit i kanë urdhëruar të afërmit që të mos e refuzojnë e lënë të dëshpëruar asnjë nevojtar. Njeriu do të pyetet për çdo gjë që harxhon, si dhe për harxhimet që i ka bërë për prindërit e vet. Mirëpo, nuk do të pyetet për harxhimet që i ka bërë për vëllain në fe dhe për përuljet tjera ndaj All-llahut xh.sh., sepse Atij i vjen turp ta pyesë për atë që e ka harxhuar për këto qëllime.”[1]

  1. Duhet përshëndetur dhe takuar me fytyrë të buzëqeshur:

Ka thënë Profeti a.s” Mos neglizhoni asnjë nga veprat e mira (sevapet) qoftë edhe përshëndetja mes njeri-tjetrit me fytyrë të qeshur” (Muslim)

  1. Bërja e dhuratave të vogla brenda mundësive:

Profeti a.s n aka këshilluar që të praktikojmë shpërndarjen e dhuratave sepse kjo e shton dashurinë mes nesh.

Dhuratë është edhe bërja dua për vëllain/motrën në Islam në fshehtësi. Transmetohet nga Ibn Omeri se Omeri r.a mori leje prej Pegamberit a.s për të bërë umre. I Dërguari i Allahut e lejojë atë dhe i tha:” O vëlla mos na harro me lutjet tua! Disa të tjerë nga Medina i thanë: “Vëlla! Na shoqëro me lutjet tua! Omeri r.a tha: “Nuk ka pasur për mua gjë më të vyer se shprehja e Profetit a.s kur më drejtohej me “vëlla”. [2]

  1. Nuk duhet debatuar dhe talluar me motrën muslimane dhe as të bëjmë premtime që pastaj nuk mund t’i mbajmë dot

Ka thënë Profeti a.s “Mos debatoni me vëllain tuaj musliman, mos u tallni me të dhe mos jepni premtime e pastaj t’i prishni ato.” (Buhariu)

Mirëpo vënia në pah të gabimeve në formë këshilluese nuk ka gjë të keqe madje është e rekomandueshme. Muslimani është pasqyrë e muslimanit: përmes tij ai i vëren të metat e veta dhe i sheh gabimet. Më parë kur muslimani e takonte vëllain e vet i thoshte: “Vëllai im, unë nuk mund t’i shoh e as t’i di të gjitha mëkatet e mia. Andaj, nëse në diçka e sheh të mirën, më urdhëro që ta punoj, ndërsa më ndalo nga e keqja! Umer ibn el -Hattabi, radijall-llah anhu, ka thënë:

“All-llahu e ka mëshiruar çdonjërin që na i bën me dije veprat tona të këqija”!

Këshilla të dobishme

Mos përgojimi edhe atëherë kur permendja e dikujt bëhet pa vetëdije duke menduar se në fakt nuk po komentojmë ndonjë aspekt negativ të motrës muslimane por thjesht po përmendim një fakt. Ndoshta ajo nuk dëshiron që ai fakt apo një lajm në lidhje me të të përhapet. “Dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 12)

– Ruajtja e amanetit

-Pritshmëritë : Shpesh herë ndodh që në grup shoqëror të kemi pritshmëri të larta. Përshembull është normale madje e këshilluar që të shprehet dashuria për hirë të Allahut, megjithatë ka njerëz që nga natyra janë të turpshëm ose të ftohtë apo të paaftë për të shprehur ndienjat. Kështu nëse dikush nuk ju drejtohet me terma si “motra” “ e dashur” etj. dhe nëse  nuk u shprehet atyre dashuria me fjalë apo forma të ndryshme mbeten të ofenduar dhe të fyer. Gjë e cila pastaj kalon në një paragjykim se personi në fjalë nuk është besimtare e mirë apo praktikante e devotshme.

Për të evituat keqkuptime të tilla, hatërmbetje, fyerje etj është mirë që të kuptojmë dhe të ndërgjegjësohemi se Allahu na ka krijuar me karaktere dhe natyra të ndryshme dikush më e ngrohtë dhe dikush më e ftohtë, dikush me aftë për të shprehur ndjenja dhe dikush jo aq e aftë.

Përfundimi

Duhet që të gjitha ne të ndërgjegjësohemi për rëndësinë e dashurisë për hir të Allahut dhe unitetit mes nesh. Shumë sprova na vijnë edhe sepse  kemi lënduar ndonjë motër (me dashje ose padashje) ndoshta duaja asaj që i është bërë padrejtësi mund të jetë bërë shkak për shkatrimin e dunjasë tonë dhe ahiretit tonë. Shumë sprova na vijnë edhe sepse nuk kemi unitetin e duhur për të përballuar padrejtësi që na bëhen ditëve të sotme ne si muslimanë dhe se nuk jem në gradën që duhet të ishim. Për këtë arsye vëllazëria në islam dhe dashuria për hir të Allahut duhet të qëndrojë mbi çdo lloj interesi personal, hatër mbetje, ofendim apo fyerje që mund të na bëhet. Duhet të durojmë dhe të falim më shumë se ndoshta një ditë filanaja mund të ndërgjegjësohet dhe të vijë e të kërkojë hallallin. Ndaj dhe nuk duhet të shpejtojmë në marrje vendimesh të nxituara apo bojkotime. Kundërpërgjigje të tilla nuk sjellin asgjë vetëm se mbjellje urrejtje në mesin e muslimaneve.

©Muslimania.al


[1] Hasan El-Basri, “Ndjej shushullimen, mikun nuk e shoh!”

[2] Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij, Tirmidhiu në Xhami dhe thotë se hadithi është hasen

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.