Nga Valbona Brahaj

Jemi zgjedhur të jemi pjesë e një hapësire të gjerë tokësore dhe një hapësire të panjohur kohore; të jemi pjesë e jetës me frymëmarrjet dhe me një mision mbi shpinë. Por askush nuk mund të jetojë kur nuk hedh hapa, e kjo e fundit nuk është e lehtë sepse shpesh herë nuk dimë se si ta bëjmë. Rrëzohemi dhe misioni nuk çohet në vend ; mbetemi të ngrirë kur kthejmë kokën pas duke mos mundur të ndërtojmë të tashmen mbi të shkuarën, shkatërrojmë të ardhmen për një të shkuar që nuk ka të ardhme. E atëherë , një jetë e tërë çohet dëm dhe fundi na gjen me një grumbull frymëmarrjesh boshe.

Vërtetë që ka një element që gjeneron energjinë e duhur për të ecur përpara përqafuar me optimizmin , për të mbajtur sytë drejt qëllimit dhe mendjen drejt përmbushjes së tij. Pikërisht atëherë, këmbët rendin si era drejt pikës së dëshiruar.

Është vetëbesimi ajo ndjenjë që vë në lëvizje idetë, zgjon dëshirën dhe guximin për të marrë përsipër situata, për të vepruar dhe për të mos u kufizuar vetëm në dëshirën për të arritur, për të mos ëndërruar si rob ëndrrash, por për të vënë në jetë atë që vërtetë duam!

Është thirrje për t’u zgjuar nga krahët e një gjumi që mbulon symbyllurit ndaj çështjeve që  ftojnë në dinamikën e jetës. Në fakt, është rrahja që na mban në jetë, sepse kjo e fundit nuk pushon vetëm me vdekjen e shpirtit, por atëherë kur ne përzgjedhim të vdesim vetë. Atëherë kur vdesin objektivat, kur shuhet dëshira për të ecur me hapa gjigandë , atëherë kur i dorëzohemi valëve të pesimizmit, atëherë vdes njeriu , ndonëse zemra rrah dhe thith oksigjen.

Njeriu është i prirur drejt dëshpërimit dhe dorëzimit të menjëhershëm kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç i planifikon. Durimi i çeliktë është në përqindjen më të ulët në përbërjen tonë, duke harruar se Zoti me gjithë mëshirën e Tij përsëriti dy herë se ‘Pas vështirësisë vjen lehtësimi’. Ndonjëherë ne nuk kemi as shpresën  për të pritur hijen e përmirësimit të situatave dhe ajo çfarë na shemb janë fjalët që hidhen përreth kur në fakt njeriu nuk ka përse të niset për diçka, kur pikënisja e tij janë fjalët , të cilat në vetvete rrallë herë hidhen siç duhen. Duhet armatosur me idenë se dëshira nuk mjafton, duhet vepruar dhe asnjëherë nuk humbet motivi për të ecur përpara. Të mbushim ditët me jetë dhe jo jetën me ditë boshe.

Uni ynë është ai që mund të na inkurajojë më shumë. Nëse e gjithë bota do të na duartrokiste, do të brohoriste me thirrjen për të bërë diçka, nuk do të mundnim pa dritën jeshile të unit tonë , nuk do të mund të merrnim përsipër asgjë, pa i thënë vetes se PO , unë mundem! Këtë jehonë e dëgjojmë në sajë të besimit të ngulur në vetvete.

E nëse nuk mund ta ndjejmë të përzier ndër vena vetëbesimin, atëherë vetëm pak çaste reflektimi mjaftojnë për t’u mbushur me të. Jemi pjesë e jetës në momentin që jetojmë, jo thjesht duke parë e duke frymuar, por duke shfrytëzuar tërë tufën e mundësive që vetë jeta përfaqëson. Secila mundësi trajtësohet në realen produktive, atëherë kur guxojmë dhe ecim symbyllur kundrejt fatit i cili nuk është në dorën tonë, por as nuk është pengesë mosdija për të ardhmen për të  derdhur optimizmin në shpirt.

Vetëbesimi të shtyn drejt të qenit largpamës e kjo e fundit të orienton drejt angazhimit në çështje të vlera. Kur së pari u shikon fundin gjërave, mëson të masësh çdo hap që hedh dhe mbi vete gdhend objektivat sepse nuk mund të kesh diçka që s’e ke patur kurrë derisa të bësh diçka që s’e ke bërë kurrë.

Pra ka një mundësi për të jetuar në harmoni me çdo gjë që na rrethon. Mund të bëjmë shumë, duke mos njohur të shëmtuarën , por vetëm disa shkallë të ndryshme të së bukurës, duke mos njohur të errëtën , por vetëm të bardhën me spektrin e shkëlqimit të saj, duke njohur Krijuesin dhe caktimin, duke qenë të bindur se pas vëshirësisë vjen lehtësimi.

Mund të jemi të verbër para gjërave që na parfumosin me pesimizëm, duke mësuar të përqendrohemi tek vetvetja dhe qëllimet që kemi ndërmarrë.

Po, të gjithë mund të kemi vetëbesim, sepse burimi i tij është i gjërë dhe të gjithë mund të pinë tek ai, të gjithë mund të furnizohen prej tij dhe ta kenë brenda tyre për kohë të pafundme.

Besimi tek Krijuesi, pajis me vetëbesim të pashtershëm. Mjafton bindja se Allahu është rregulluesi i të gjitha çështjeve dhe thellë thellë, e di që do ia dalësh të përmbushësh objektivat sepse mbështetja është e fortë. Edhe zogjtë që ngrihen në ajër, përplasin krahët në fluturim të bindur për të mbërritur ne destinacionin e caktuar edhe pse do iu duhet të fluturojnë midis erës që fryn në të kundërt. E tillë është jeta. Nuk ka zero vëshirësi, nuk ka vetëm rrugë, por edhe labirinte.

Nëse je i qetë gjatë udhëtimit në mjetet automobilistike kur nuk e njeh shoferin , por i beson se do të të dërgojë aty ku do, atëherë si mund të mos jesh i qetë në Dunja, kur e ke Krijuesin më pranë se sa damarin e qafës?

Nuk ka asgjë të pamundur përderisa nuk e mendojmë të kundërtën e të mundurës. Inkurajimi që i bëjmë vetvetes , është motiv që nuk shuhet dhe shmang rrëzimin në krahët e pesimizmit. Për çdo gjë duhet iniciativë dhe besim se do arrijmë përmirësimin. Çdo gjë që bëjmë , është gdhendje e pandalshme e veprimtarisë sonë jetësore. Gjërat nuk zhbëhen , por përmirësohen kur pasohen nga punë me ngjyra më të ëmbla se ato të mëparshmet.

Çdo stuhi është e përballueshme sepse ombrella e mëshirës nuk mbyllet kurrë në këtë botë dhe të shumëfishta janë rezervat e saj në ahiret. Në këtë botë forca është vetëbesimi, busullën kërkojeni tek besimi në Allahun! Atëherë hapësira kohore e panjohur të cilës i përkasim, mbushet me vlera dhe në çastin që shkëputet, lë gjurmë të dobishme për udhëtarët që vijnë më pas…

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.