Ajo është një grua sa e fortë dhe e zonja aq edhe e buzëqeshur dhe e çiltër. Cilësi këto të domosdoshme kur bëhet fjalë për fushën e mësimdhënies. Për herë të parë jemi takuar në një promovim libri nga një autore grua, pikërisht në qytetin e Shkupit. Sepse ajo është gjithmonë në saf (rrjesht) të parë kur bëhet fjalë për të mbështetur gra të tjera. 

Shumicën e kohës do ta shihni të rrethuar me fëmijë, së bashku si një buqëtë plot ngjyra dhe aroma lulëzojnë qytetin e Shkupit duke mbjellur dashuri kudo që janë.

Kush është Yeliz Daut Kurtish, për ata që nuk e njohin ende?

Kam lindur në Shkup dhe kam mbaruar shkollën e mesme në medresenë Isa Beu, më pas u diplomova në Fakultetin Teologjik në Shkup. Fillova të jap mësim vullnetarisht që kur isha në shkollë të mesme. Në kohën tonë nuk kishte shoqata dhe ne shkonim çdo javë në një nga shtëpitë tona me miqtë dhe bënim mësimet atje. 

Krahas institucioneve turke, kam marrë pjesë si aktiviste vullnetare në shoqatat maqedonase, shqiptare dhe boshnjake. Gjatë viteve të universitetit kam shkruar nëpër rubrikë për disa gazeta të botuara në Maqedoni.

Prej 14 vitesh tashmë punoj si kryeredaktore e revistës për fëmijë Kardelen. Kam drejtuar një program për fëmijë të quajtur “Të flasim për Kardelen” në radion e MRTV, ku  trajtuam çështje letrare, pedagogjike dhe edukative që lidhen me fëmijët me të ftuar të ndryshëm që janë ekspertë në fushat e tyre.

Aktualisht, në mënyrë aktive jap mësim Lëndën e Kulturës Fetare dhe Etikën në shkollën fillore Petar Zdravkovski Penko në Shkup.

Gjatë gjithë karrierës sime jam përpjekur për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve, të cilët janë garancia e së ardhmes sonë. Për t’i bërë ata të duan mësimet, për t’iu përcjellë një mësimdhënie përmes lojrave, duke u siguruar që ata të mos mërziten në shkollë. Ne të gjithë duhet të përpiqemi që vizioni për fëmijët tanë të jetë zhvillimi i tyre në individë të dobishëm, që kanë për synim hulumtimin dhe leximin. Ata duhet të mësojnë traditat dhe kulturat e tyre si dhe shkencat bashkëkohore. Unë gjithmonë i kushtoj vëmendje kësaj pjese.

Puna me fëmijët më emocionon gjithmonë. Më bëjnë të ndihem sikur nuk jam plakur fare. Sepse kur je me fëmijë, gjithmonë duhet ta rinovosh veten. Sikurse thënia e famshme e Hazreti Aliut  “Edukojini fëmijët sipas kohës së tyre, jo sipas kohës tuaj”. Dhe që t’iu përshtatem atyre, përpiqem të përmirësohem me gjithçka duhet dhe që i nevojitet brezit të ri.

A mund të na flasësh pak më shumë për revistën Kardelen dhe çfarë përfaqson kjo revist në realitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut por jo vetëm?

“Revista Kardelen (Dëbora)” është themeluar në vitin 2009 dhe që prej atëherë kemi arritur ta mbajmë në këmbë pavarsisht krizave të ndryshme që ka kaluar dhe po kalon industria e shypjes në letër.  Kardelen përfaqëson zërin e fëmijëve turq në vendin tonë, por jo vetëm. Përveç kësaj, që nga perjudha e pandemisë, filluam të publikonim revistën tonë në internet kur gjithçka u pezullua. 

Tashmë Kardelen ka ardhur në një forms të re, si pjesë e projektit të Shoqatës për Arsim dhe Hulumtim  “NESİL ÜSKÜP”. Shoqatë kjo ku personalisht jam ndër themelueset, dhe qëllimi i së cilës është të kontribuojë në edukimin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e Ballkanit, të zhvillojë hulumtime në fushën e arsimit si dhe të botojë një revistë për fëmijë dhe të rinj.

Ky format i ri, i quajtur Kardelen Ballkan, ka për qëllim që të promovojë vlera artistike dhe kulturore ndërmjet vendeve të Ballkanit për të krijuar në një farë mënyrë një urë lidhëse mes fëmijëve të moshave 9- 14 vjeç që jetojnë në Maqedoni apo treva por që jane të kumuniteteve të ndryshme. Pra tashmë, revista jonë do të përfshijë edhe artikuj nga shkrimtarë shqiptarë dhe boshnjakë.

Duke cituar këtu Cemil Meriç i cili ka thënë se një revistë është si “një testament për një brez”, Përmes Kardelen ne jemi përpjekur t’ua përcjellim këtë testament të trashëgimis artistike dhe kulturore brezave të ardhshëm. Revista Kardelen është një revistë që u shërben të gjitha shkollave fillore që ofrojnë arsim turk në Maqedoni. Përafërisht 14 vite botim të vazhdueshëm janë një tregues i punës tonë dhe se vullneti ynë është plotësuar. Gjatë këtyre viteve kemi edukuar dhe përcjellur shumë breza fëmijësh. Dhe është pikërisht ky qëllimi kryesor i revistës Kardelen, pra jo vetëm t’u mësojë fëmijëve përmes argëtimit ashtu kot, por edhe t’u mësojë atyre kulturën e tyre, kulturën turke në veçanti dhe kulturën islame në përgjithësi në një mënyrë më të thellë dhe më kuptimplote dhe praktike se sa mund ta mësojnë nëpër shtëpia apo mektebe. Kjo sepse fëmijët tanë janë e ardhmja jonë.

A mund të na flasësh gjithashtu për projekte të tjera të cilat i ke udhëhequr sidomos kohët e fundit, qoftë në fushën e arsimit apo në media?

Një tjetër projekt është Shkolla Verore e cila në bashkëpunim me Shoqatën “KÖPRÜ (URA)” si dhe me mbështetje të organizatave të tjera si Ensar Derneği, u zhvillua këtë verë për të 15 tën herë. Bëhet fjalë për një shkollë verore që zgjat për gati një muaj dhe ka për qëllim të promovojë vlerat tona kulturore dhe artistike duke i afruar fëmijët më afër këtyre vlerave përmes një eksperience praktike e cila u mundëson atyre ta prekin më afër këtë lloj realiteti. Disa nga aktivitet përshembull janë:vizita në institucione turke si psh. Junus Emre, TIKA etj, takime dhe biseda me profesionist të fushave të ndryshme si gazetarë, shkrimtarë etj, aktivitete sportive të kulturës turke si gjuajtje me shigjeta, vizita esnafeve të vjetra, kurse të kulturës islame, vizita në xhamia apo vende historike etj. 

Në muajin maj gjithashtu organizuam një tjetër projekt Gülümse (Buzëqesh)” një program televiziv për fëmijë, në bashkëpunim me Time Balkan dhe më qëllim që në të ardhmen fëmijët të kishim kujtimet e fëmijërisë së tyre në arkivat e që do t’i bënin ata të buzëqeshnin kur të rriteshin.  Në seritë e këtij programi u trajtuan temat e transferimit të traditave të vjetra tek brezat e rinj si dhe ringjalljes së lojërave dhe zakoneve të vjetra. Videot e programit gjenden në kanalin youtube të Time Ballkan.

Nga konsultime të ndryshme dhe reagimet që kemi marrë, kemi parë se programe të tilla janë shumë të nevojshme për fëmijët që rriten në epokën dixhitale dhe japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe edukimin e tyre dhe të vetëbesimit të tyre me botën e medias. Ne u përpoqëm të mbushim një boshllëk të madh me këto pak episode të këtij programi modest.

Cilat do të jenë projektet e ardhshme, përveç vazhdimësisë së atyre aktuale?

“Kardelen Okulu” është projekti më i ri. Bëhet fjalë për një akademi për shkollat e mesme për klasat 5, 6, 7, 8. Një program që synon zhvillimin e lidershipit dhe përforcimin e vlerave shpirtërore dhe fetare, përmes aktiviteteve argëtuese.

Këshilla jua për vajzat dhe gratë që dëshirojnë të bëjnë shumë gjëra por nuk kanë guxim apo vullnet, apo mbështetjen e duhur?

Në jetën time gjithmonë e kam marrë si shembull Hatixhen, gruan e Profetit Muhamed. Ajo ka qenë njëkohësisht një grua udhëheqëse dhe gruaja e një burri udhëheqës. Hatixheja e Pejgamberit tonë. Përveç karakterit të saj të fortë, ka pasur dhe talent në poezi e në letërsinë arabe. Shumë poezi i shkroi në pritje të kthimit të Profetit nga ekspeditat.. Sa gjë e bukur dhe emocionuese, apo jo? E para që besoi në Profetin tonë. Mbështetje ndaj bashkëshortit pa e vënë në pikëpyetje. Shume e pasur. I pëlqente bizhuteritë, veshjet, parfumet. Por ajo ishte aq e përkushtuar sa të gjithë pasurinë e saj e vuri në shërbim të muslimanëve gjatë viteve të bojkotit. Prandaj e dua shumë Hatixhenë. Ajo ishte një zonjë e vërtetë që mbahej, por edhe e mbante fjalën dhe i peshonte fjala sa edhe burrat e asaj kohe. Hatixheja ishte një grua e tillë që kur ndërroi jetë ajo, Profeti ynë e quajti atë vit “viti i dëshpërimit”.

Mesazhi im për vajzat e reja është ky: kohët e fundit kushtet e jetesës në Ballkan janë paksa të vështira dhe të rinjtë tanë bëhen pesimistë dhe shpërngulen jashtë vendit. Unë gjithmonë kam qenë me idenë e të qëndruarit këtu, e të luftuarit, që të arrijmë diçka këtu në vendin tonë. është shumë e lehte t’ia mbathësh të shkosh diku me kushte më të mira dhe të jetosh një jetë më të lehtë. Por ne duhet të qëndrojmë në Ballkan dhe të bëjmë diçka për gjeneratat e reja këtu. Nuk duhet t’ua lëmë vendin njerëzve që nuk janë kompetentë në punën e tyre. Jetojmë në një zonë gjeografike idilike. Ky është një vend i pasur me histori dhe kulturë. Ne duhet t’i mbartim këto trashëgimi nga gjyshërit tanë tek brezi i ardhshëm në mënyrën më të mirë të mundshme.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.