Disa mendojnë se janë të denjë të hyjnë në nijetet/qëllimet e të tjerëve, sepse pandehin të jenë aq inteligjentë sa të zhbirojnë në thellësitë e shpirtrave të tyre, duke menduar se grada e tyre e sinqeritetit ka arritur sufizmin njerëzor, të dijnë të  fshehtën, mendojnë se janë aq largpamës… të posedojnë firasah
Disa të tjerë mendojnë se mëshira nuk është obligim të praktikohet nga to, po për sa i përket më të dobtëve, ofrojnë dhëmbshuri me pikatore në gotën e nënçmimit…
Të tjerë shpifin mbasi marin spunto nga një detaj mos plotësimi, e trillin histori në mungesë, se për derisa ato e ndjen me zemër me siguri që do të ketë ndodhur asisoj…
Prapaskena këto, me nuanca dhe pretendime megalo-devotshmërie.
Të tjerët vështrojnë të habitur dhe me një fije revolte…e revolta trashet me kalimin e kohës, e për pasoj zë vëndin që mbante mëshira në zemër.
Është e vështirë të rendisësh idetë mbas momenteve të habisë dhe tronditjes. Shpeshherë më duhet thjeshtë kohë, dhe të hesht një kohë.
Allahu i gjithë ditur, ka rregulluar botën me urtësi, ka vënë në qëndër të vlerësimit të punës së njeriut nietin e tij, dhe jo madhësinë apo vogëlsinë e punës siç e shohim ne me sytë tanë.
Në vijim të shtjellimit të lidhjes nijet-punë Allahu i madhëruar e ka fshehur nietin prej syve të njerëzve, e ka fshehur në zemrën thellë në kraharor, dhe e ka bërë punën të tillë që edhe nëse lyhet me fjalë të bukura dhe shkëlqim fasade ajo po qe se nuk është e shoqëruar nga një niet i sinqertë nuk depërton as në sy dhe as në zemër .
Prandaj, është e kotë gjykimi i jashtëm i veprave të të tjerëve, është e kotë besimi i pohimeve për sinqeritet, por gjithashtu i kotë është pretendimi se me zemër mund të arrijmë të kuptojmë nietin e të tjerëve duke qënë se as gjëndjen e zemrës sonë nuk e gjykojmë dot në është e sëmurë ose jo.

Kur një zemër e devotshme bëhet e egër dhe arrogante.

Jam e bindur në pohimin se sinqeriteti fshihet në zemër. Gjithashtu jam e bindur se të sinqertin dhe të devotshmin Allahu e dallon nga të gjitha krijesat e tjera, Ai i jep një nur të veçantë, një nur që nuk shihet me sytë e ballit por shihet me sytë e zemrës. Besimtari nuk e shet dot veten për posedues të tij sepse për ta pasur kërkohet shumë në këmbim (alias : është shumë i shtrenjtë). Nëse Allahu don një njeri, çdo krijesë do ta dojë atë njeri sepse Allahu ua shtin në zemër dashurinë për të.
Dikush thoshte : kujdes në rënien nga simpatia në antipati. Është e vërtetë, se nëse përpara simpatia të bënte ta gjykoje tjetrin apriori në mënyrë pozitive tek sa përjetoje veprimet e tij, rënia në antipati është krejt më e rrezikshme sepse në këtë rast hynë në lojë llogjika dhe gjykimi i ftohtë, thyerja e një ekuilibri brënda vetes dhe vendosja e një të riu i cili revolucjonon të parin duke forcuar pozitat e antipatisë brënda tij, kësaj rradhe më të forta se herën e parë për arsye se zhduket aprioriteti dhe lind racjonaliteti dhe grada e alertës për atë individ. Me pak fjalë, ky quhet zhgënjim. Reagim ndaj një personi i cili thjesht të zhgënjeu,të lën një shenjë, kjo ndodh edhe me zemrat e devotshme.
Ajo zemër e devotshme e cila pretendon se grada e saj e besimit ka arritur nivele të konsiderueshme dhe të vetkënaqshme, ajo gradë e besimit e cila në vënd që të mos lodhet me ibadet, rrinë e numëron se sa ibadet ka bërë gjer më sot, dhe se sa i shkon fjala tek Allahu, dhe arrijnë të kenë mëshirë për ato (që sipas tyre fjala nuk i shkon edhe aq shumë).
Këtë gradë dikur e pata arritur edhe unë: tek sa shkonim në një udhëtim dhe ne, veshur bukur me shamiat tona “firmato” vërejmë një vajzë e rrethuar nga çuna, e tillë super trendy dhe moderne me pantallona e me bandana në kokë, të cilën sapo e shohim nis “dita e gjykimit për të” me fjalë të tilla si: e shkreta gjynaf sikur ta udhëzonte Zoti, e pohime të ngjashme, ne kishim të drejtë të luteshim për “gjynafqaren”, ne ishim në një gradë akoma më të lartë, ne faleshim ishim të mbuluara, demek, na shkonte fjala tek Zoti… Sapo na pa e “gjora gjynafqare” vërsulet tek ne e përlotur duke na puthur e përqafuar të gjitha dhe me nxitim na tregonte se sa ishte lutur Allahut që të takonte motra muslimane se edhe ajo dëshironte dhe i luteshe Allahut sa herë që falej dhe lexonte Kur’an që të mbulohej si ne!!! – O Zot zemra jonë në çfarë  grade ishte në ato momente !!!
O Zot, kur mbulohet koka e jo zemra nga ligësitë, ja pra, mendjemadhësia e zemrës së devotshme.
Mendjemadhësia mund të arrij edhe limite të tjera, si ato të zbatimit të shprehjes së lirë… Të shprehjes dhe gjykimit të lirë – me dhuntinë e diturisë apo profesjonit që të ka dhënë Allahu si mëshirë ndaj teje- haptasi se sa i devotshëm apo jo është një zemër karshi tjetrës, mohimin e të drejtës që ka një individ për t’u falur nga njeriu, për shkak të arrogancës që mbulon zemrën e devotshme, duke qënë se nuk i takon atij falja apo dënimi i dikujt.
“Zemra e devotshme nuk duhet të fal gabimet që sheh tek tjetri, ajo është tepër e rreptë në gjykimin ndaj fenomeneve negative të islamit që vëren përreth vetes… është më e rreptë se vetë Allahu xh.sh !!! Se nëse Falësi e ka garantuar faljen e Tij gjithkujt që ja kërkon atë , zemra e devotshme përmëndet kundra padrejtësive në botë… e marrë nga vrrulla dhe euforia e të zbuluarit të vetvetes të devotshëm… kundra çdo lloj ibadeti që nuk është perfekt siç e praktikon ajo… ajo është në rrugën e drejtë…është naturale, s’ka si të jetë ndryshe, orët e namazit të natës numri i hatmeve të Kur’anit gjat muajit të Ramazanit dhikri orë e minut të gjithë duhet të bëjnë kështu, kush nuk e bën i shkreti sa posht që është në grada Allahu nuk do i japi aq shumë…”

Kjo lloj zemre e devotshme, në realitet nuk është e tillë, ajo duhet më parë të pastroi vet veten dhe të turpërohet para Allahut për arrogancën dhe të drejtat që ka i ka mveshur vetes me pa të drejtë. Devotshmëria nuk të jep të drejtën të jesh gjykatës i Allahut në tokë, e gjykatës tokësor i çështjeve qiellore.
Allau është mbikqytës i robërve ë vet.
I devotshmi nuk e kupton që është i tillë për shkak të frikës që ka nga nieti i tij, dhe nga vepra e pa pranuar. Ndërsa ai që një ditë e gjen veten se është i devotshëm, pikërisht në atë moment ka reshtur së qëni i tillë, sepse ka lindur mendjemadhësia, shoqëruesja për në rrugën drejt Xhehenemit. Nëse ai një ditë e gjen veten duke gjykuar atë çka Allahu ka vendosur që të jetë e fshehur tek një besimtar…ruajna Zot nga sherri…
O zemra që pretendoni të hyni të pastra në Xhenet pastrohuni ! O zemra që harroni se Allahu ju ka dhënë, dhe si ju u jep edhe të tjerëve, Zgjohuni! Nuk e keni ekskluzivitetin e mëshirës së Zotit, depot e mëshirës së Tij Ai nuk ua ka lënë në dorën që ju simbas gjykimit tuaj ta shpërndani atë tek kush e meriton dhe kush jo.
Largojeni mëndjemadhësinë nga vetja se nuk jeni të vetëm në adhurim ndaj Tij. Të mjerët të verbër që nuk dijnë për verbërinë e tyre.
Të lutemi o Zot, bëj që të vijmë tek Ti, me zemër të ndritur.

Vajada Keçi Manjani

Vajada Keçi Manjani

Autorja prej vitesh jeton në Itali. Është diplomuar në Universitetin e Brescias për Ekonomi dhe Biznes dhe ka një master në "International Commerce" pranë Universitetit të Padovas.
Vajada Keçi Manjani

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.