Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala ‘zvarrit’ në kuptimin e figurshëm përshkruhet si: e mbaj nëpër duar për një kohë të gjatë, e lë pa e mbaruar, nuk e përfundoj shpejt: e zvarriti dorëzimin e veprës. Ndërsa në gjuhën angleze fjala ‘procrastination’ apo ‘zvarritje’ ka origjinën nga latinishtja ku ‘pro’ – ka kuptimin ‘në favor të’ dhe ‘crastinus’ ‘të nesërmes’, në këtë mënyrë kuptohet që zvarritja i referohet shmangies apo shtyrjes së një detyre për nesër, apo më vonë, shpesh e paspecifikuar. Karakteristikat e zvarritësit i përshkruajnë Devi dhe Dhull (2017), ku thonë se, ato janë jashtëzakonisht optimist për aftësitë e tyre për të përfunduar një detyrë për një afat të shkurt kohor, dhe kjo shoqërohet me një shprehje sigurie se gjithçka është nën kontroll, prandaj nuk ka nevojë që të fillohet. Sipas tyre, ato kanë ndjesinë e pasaktë “Unë punoj mirë vetëm nën presion”. Sepse në këtë pikë nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Kurse për të përshkruar pasojat socio-psikologjike ata shtojnë duke thënë: “Progresi është duke u bërë, por ju keni humbur lirinë tuaj”.

Zvarritja akademike është lloji më i zakonshëm i zvarritjes në përgjithësi dhe është e pranishme në të gjitha nivelet e arsimit, por më e zakonshme në arsimin e lartë. Zvarritjen akademike mund të definojmë si shtyerje, shmangie të mësimit, projekteve, punimeve dhe gjithë detyrave që kanë të bëjnë me pjesën akademike. Qoftë arsye racionale apo irracionale shtyerja e detyrave të caktuara është zvarritje akademike, sepse në përcaktimin e arsyes ne jemi subjektiv, poashtu ne kemi dhënë vendim (të pa shkruar), që ne do të përfundojmë atë detyrë dhe mbetet si punë e papërfunduar.

Zvarritja akademike mund të definohet edhe si pengesë e shfaqjes së performancës së studentëve në jetën akademike, ngase studenti zvarrit mësimin për provim, punimin dhe detyrat tjera deri në minutën apo ditën e fundit dhe është i obliguar që të mësoj apo punoj nën presion duke garuar me kohën. Por, edhe pse me një përqindje të ulët, kemi student që shfaqin performancë më të lartë kur mësojnë apo punojnë nën presion kohor. Ndërsa pasojat e këtij veprimi i përshkruajnë në mënyrë më të mirë Devi dhe Dhull.

Për të shfaqur frekuencën e zvarritjes akademike në jetën e studentëve, Solomon dhe Rothblum (1984) hulumtuan këtë variabël duke e ndarë atë në tre shkallë. Në shkallën për vetëpohim të zvarritjes, të dhënat treguan se 46% e studentëve pothuajse gjithmonë zvarrisin për të shkruar një punim afatgjatë, 25.6% zvarrisin për të studiuar për provime dhe 30.1% për të lexuar detyrat javore. Në masë më të vogël subjektet zvarrisin në detyrat administrative (10.6%), detyrat e frekuentimit (23.0%) dhe aktivitetet e shkollës në përgjithësi (10.2%). Për sa i përket shkallës në të cilën subjektet mendonin se shtyrja është një problem për ta, 23.7% raportuan se ishte gjithmonë problem kur shkruanin një punim, 21.2% thanë se ishte një problem kur studionin për provime, dhe 23.7% thanë se ishte problem kur bënin lexime javore. Zvarritja ishte më pak problem me detyrat e mbetura dhe aktivitetet e shkollës në përgjithësi. Ndërsa lidhur me shkallën në të cilën studentët raportuan që të zvogëlojnë prirjen e tyre për zvarritje, 65.0% thanë se ata donin që padyshim të zvogëlonin zvarritjen e tyre kur shkruanin një punim, 62.2% donin ta ulnin atë kur studionin, dhe 51.1% donin ta zvogëlonin atë kur bënin lexime javore.

Ky studim na tregon përqindje të lartë të zvarritjes akademike në mesin e studentëve, por edhe dallim të konsidërueshëm në deklaratat se ato zvarrisin në jetën akademike, dhe konsidërimin e saj si problem apo pengesë. Ndërsa dëshira për të ulur intensitetin e kësaj variable është mjaft evidente në mesin e studentëve, më evidente edhe se deklarimi që ato zvarrisin. Moonaghi dhe Beydokhti (2017) shtjelluan 27 studime të kësaj variable dhe numëruan gjashtë karakteristikat e zvarritjes akademike: besimet psikologjike lidhje me aftësinë, shpërqëndrimi, faktorët social të zvarritjes, shkathtësitë e menaxhimit të kohës, pasioni personal dhe përtacia. Këto janë edhe indikatorët më të zakonshëm për matjen e kësaj variable edhe pse varësisht nga pikëpamja teorike ato ndryshojnë në disa indikatorë si: perfeksionizmi, qëndrimi negativ ndaj punës dhe mësimit, e tjerë. Për të parashikuar këtë variabël, Steel (2007) në studimin e tij konkludoi që parashikuesit më të fortë dhe më të qëndrueshëm të zvarritjes ishin shmangia e detyrës, vonesa e detyrës, vetë-efikasiteti dhe impulsiviteti, si dhe ndërgjegjshmëria dhe aspektet e tij të vetëkontrollit, shpërqëndrueshmërisë, organizimit dhe motivit të arritjes. Ndërsa studimi i McCloskey dhe Scielzo (2015) tregon se zvarritja akademike është e lidhur me mesataren e notave të përgjithshme, mirëqenie më të dobët, nivele më të larta të stresit dhe se është një parashikues jetik i suksesit në jetën akademike.

Nga studimet e përmendura më lartë çdo student mund të hedh sy në rutinën akademike, të testojë dhe vëzhgojë veten nëse është një zvarritës, por vetëm vetëdijsimi mbi atë nëse ne zvarrisim apo jo nuk mjafton. Studentët duhet të vetëdijsohen edhe mbi atë se sa dhe në çfarë mënyre ky faktor ndikon në jetën e tyre akademike, sociale dhe psikologjike. Duke pasur parasysh studime të ndryshme, zvarritja akademike është pengesa më e madhe mbi shfaqjen e performancës akademike tek studentët. Me zvarritjen akademike studenti nuk zvarrit vetëm punimet, mësimet dhe projektet akademike, por edhe realizimin e qëllimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin akademik. Vetëdijsimi mbi këtë variabël, duke e parë atë nga këndvështrime të ndryshme, do të ishte hapi i parë për vetë-rregullim, organizim, sistematizim dhe menaxhim të jetës së tyre akademike.

LEAVE A REPLY

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.